Meqenëse u thanë shumë gjëra këtu për ekonominë, shumë shkurt do më duhet të them që se ekonomia është shumë më mirë që prej pothuaj fundit të vitit 2013. Pa folur për mrekulli dhe për parajsë (atë duhet ta gjeni mes jush kur kaluat edhe Gjermaninë), të jemi korrekt me atë që i themi publikut. Për arsye se edhe vendet e zhvilluara dhe me prosperitet shumë të lartë prej dekadash apo shekujsh nuk guxojnë të artikulojnë të tilla fjali.
E vërteta është se viti 2014 e në vijim është viti i kthesës së ekonomisë së vendit. Dhe për këtë janë një mori treguesish që flasin për një ekonomi të përmirësuar. Ne nuk mund të themi se rritja 2% e PBB qenka mrekullia, por është shumë më mirë nga 1.3%. Nëse do të marrim katër vitet e fundit të qeverisjes suaj, ju ulët dukshëm tempin e rritjes së ekonomisë shqiptare. Kjo është ajo që duhet të biem dakord me njëri-tjetrin dhe mesazhet duhet t’i japim të qarta, sepse janë ndërkombëtarët që flasin me mesazhe veç nesh.
Në qoftë se nuk ju pëlqen ajo që thotë qeveria, juve nuk ju pëlqejnë as ato që thonë ndërkombëtarët: FMN, BB, ata që vlerësojnë ekonominë shqiptare – që janë firma ndërkombëtare të mirënjohura, apo dhe BE.
Atëherë le të merremi me një tregues tjetër, që nuk besoj se do të guxojë jo ekonomist, por as politikan, që të artikulojë se nuk e vlerëson. Le të marrim tregun ndërkombëtar financiar që vërteton faktin se nuk mund të jenë kaq të paditur apo të panjohur me realitetin shqiptar, sa t’i jepnin ekonomisë shqiptare një hua me një normë interesi prej 2.6% (maksimumi), për kredinë prej 250 milionë euro.
Ju kujtoj se keni marrë një kredi, në analogji me kredinë e fundit, por me 13.6%. Nuk ju duket vlerësim ky? Si e komentoni këtë? Kush ka provuar të marrë kredi (dhe ka shqiptarë plot që kanë marrë kredi në bankë), e dinë mirë se sa më i pabesueshëm të jesh, aq më e lartë është norma e interesit, sa më i besueshëm të jesh, aq më e ulët është norma e interesit. Këtë e keni realitet! Kredia do të vijë në Kuvend për t’u miratuar, sepse ka garancinë e BB! Për fatin tuaj të keq, meqë jeni mësuar vetëm të nxini, norma e interesit, pra, do të jetë 2.6%. Mua s’më mbetet tjetër, veçse uroj që t’ua japim shqiptarëve dhe, bashkë me ju, të urojmë shqiptarët për këtë kredi me këtë kosto të ulët që po e marrim.
Për të shmangur çdo spekulim, po ju them nuk është shtim huaje, por do të zëvendësojmë atë hua që do të merrnim në tregun e brendshëm me këtë hua të re. Pra, nuk shtohet huaja, meqë e keni merak se kjo është fjalia që ju ka mbetur në gojë.
Ju këtu keni qenë, pse nuk vepruat?
Nuk e besoj se do dilni këtu me SMS-të që ia dërgoni njëri-tjetrit, si shqetësime të popullit për këtë gjendje të rëndë të ekonomisë?! Këtu keni qenë 8 vite!
Flisni për heqje tvsH, ulje taksash! T’i kishit bërë këto dhe ne s’do të kishim se çfarë të bënim!
Diçka për atë që ju propozoni. Na thoni se pse ne e quajmë atë propozim elektoral. Po, e quajmë elektoral, pastër është elektoral, se po të donit, e kishit bërë më parë këtë propozim. Kishit ardhur në Kuvend, kishit debatuar.
Flisni sikur efekti i propozimit tuaj është një shumë, sikur të blesh apo mos blesh një paketë cigare! E kuptoni që po flisni për 16 miliardë lekë! Është një shumë e madhe, është sa 2/3 e investimeve të brendshme në Shqipëri, nuk është një shumë që buxheti mund ta neglizhojë, siç doni ju.
Na përmendi vazhdimisht se po ju trembim dhe po nxjerrin si gogol fmn, bb dhe be. Jo! Po i përmendim se janë partnerët tanë, ndryshe nga ju, që i përzutë, ata janë partnerët tanë dhe me të cilët ne biem dakord, edhe për hartimin, edhe për miratimin e paketës fiskale, të buxhetit dhe, doemos, mundohemi t’i mbajmë këto zotime! Dhe s’mund t’i bëjmë ndryshimet në mes të vitit, ashtu siç i teket kujtdo dhe si do! Sepse ka një harmoni dhe buxheti nuk është një lodër, që mund të veprojmë për shuma kaq të mëdha me indiference të tillë.
Ju keni hall si të prishni buxhetin, siç e prishët kur ishit në qeverisje. Por harroni se të gjitha kanë qenë masa të detyruara për të keqen që na sollët me tërë këtë borxh, 72%, pasojë jo e politikave të pamençura, por agresive dhe kriminale, do t’i quaja.
Tani doni jo vetëm të godisni buxhetin, pa pyetur për deficitin dhe borxhin, por, në fakt, doni të hidhni shashka jo vetëm elektorale, siç ua thashë edhe në Komisionin e Ekonomisë, sepse, po të kishit ndërmend të ulnit çmimin e energjisë, nuk do kishit bërë atë që (ja u tha edhe Kryetari i Komisionit të Ekonomisë) disa herë e keni bërë, keni rritur çmimin e energjisë.
Por ju doni të shkatërroni dhe këtë që po bëhet, këtë revolucion në mbledhjen e të ardhurave nga pagesa e energjisë elektrike, një sukses i kësaj qeverie, që duhet t’ia njihni, sepse (po ju kujtoj) janë futur në skemën e pagesës së energjisë elektrike edhe 175 mijë familje nga 247 mijë të cilat paguanin 0 lekë në evidencat tuaja. Kjo është e turpshme si shifër! Si është e mundur që 247 mijë familje të mos paguajnë asgjë?
Thuhet me shumë shqetësim se keni merak shtresat në nevojë, çmimet shumë të larta, etj. E vërtetë është se qeveria e mbajti zotimin, ka kompesuar 100% familjet në nevojë, atë që ju s’e keni bërë gjatë tërë kohërave.
Ajo shuma që e shihni në buxhet, 1.6 miliardë lekë (dhe që unë po e quaj si lutje, por është si urdhër) është mirë ta sqaroni kryetarin e partisë që të mos qajë kot, se paratë janë dhënë. Dhe mos gërmoni nëpër buxhet, por, nëse keni ndonjë pensionist në shtëpi, pyeteni nëse i ka marrë lekët. Dhe do konstatoni se janë marrë paratë, siç u premtua. Pyesni pensionistët, mos u lodhni nëpër evidenca, sepse nuk dini të lexoni buxhetin! Pasi hartohet, buxheti paguhet bashkë me shtesën e pensionit, ashtu siç u zotuam në fakt. Mos qani kot dhe mos derdhni lot kot se do të lodheni dhe nuk ju beson kush për këtë çështje.
Në mbyllje doja të thoja shkurt se kjo nuk është as më shumë, as më pak propaganda e radhës, meqenëse po afrojnë zgjedhjet dhe ju pretendoni se do gjeni diçka, siç gjetët për rritjen e pagës.
Hiqni dorë, është e kotë, nuk e ha kush!
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.