Postuar më: 16/04/2015

Ministri Cani: “Dibranët të gëzojnë rrugën”! – Kjo është e gjitha!

Fillimisht dëshiroj të falenderoj një grup deputetësh, veçanërisht zotin Qefalia, që si përfaqësues i deputetëve të Tiranës, është flamurtar në mbrojtje të rrugës së Arbrit. Ne e kuptojmë që gjithnjë kemi shkuar mirë me tiranasit dhe kemi qenë miq të ngushtë me ta.

Por nuk mund të lë pa përmendur edhe deputetë të tjerë, veçanërisht do të përmendja se, – ndryshe nga ndonjë deputet tjetër,- fjalët e deputetit Suli m’u dukën shumë të bukura, se ishin fjalë zemre. Kurse ndonjë tjetrit do i thoja më mirë të heshtte se sa të fliste. Sepse mençuria dibrane është edhe tek heshtja. Por, sidoqoftë, secili zgjedh rrugën e vet.

Natyrshëm që edhe zoti Manja diti të flasë në emër të gjithë dibranëve shumë më bukur se çdo fliste secili nga ne, kështu që na përmblodhi të gjithëve bukur për atë që kemi ndjerë dhe kemi quajtur detyrë për t’ua bërë dibranëve, Rrugën e Arbrit.

Dhe erdhi çasti ku të gjithë gëzojmë për këtë rrugë që tashmë e mori rrugën e vet edhe mori drejtimin ku duhet. Dhe do realizohet.

Dy momente dua të sqaroj, për të hequr çdo turbullirë.

Ka risk gjithnjë ndërtimi  i një rruge dhe, – ata që janë ekonomistë e kuptojnë shumë mirë, por edhe populli e kupton mirë, – që, kur ndërtohet një rrugë, bëhet një studim për të ardhurat që do të sjellë. Të ardhurat janë direkte, por edhe indirekte, sepse po u transportua kromi, domatja, molla, frutat, etj, në një distancë më të shkurtër, natyrisht që realizohen të ardhurat, zhvillohet tregtia, investimi, etj., dhe janë të ardhura që llogariten. Por, në qoftë se nuk kalon numri i kamionëve, kuptohet që ka një risk, risk i cili duhet kalkuluar.

Si ministër i Financave jam i detyruar të garantoj këdo, cilindo shqiptar, natyrshëm edhe deputetët, që në tavanet e buxhetit dhe të borxhit është përfshirë gjithçka për ndërtimin e kësaj rruge. Dhe nuk ka as më të voglin problem. Mbetet vetëm qartësimi i negociatave që është një pjesë e dytë e grupeve negociatore. Për transparencë, është vendosur që të vijmë edhe njëherë në Kuvend, në mënyrë që të japë mendimin, vlerësimin edhe Parlamenti për këtë çështje.

Në mbyllje dëshiroj të deklaroj se premtuam dhe e mbajtëm fjalën. Natyrshëm që jemi krenarë se e mbajtëm fjalën; jemi krenarë që bëmë detyrën. As dibranët të mos kujtojnë se na kanë ndonjë borxh, se sikur çfarë bëmë, bëmë vetëm detyrën; atë detyrë që dikush tjetër e mendonte ta bënte për 30-50 vjet, ne e bëmë, mbajtëm fjalën. Ajo që duhet thënë në fund është se rruga do të mbetet, ndërsa kërcënimet që lëshon ndonjë tek-tuk, do jenë pjesë e anektodave të rrugës, që do të tregohen edhe me të. Ajo që vlen për t’u thënë dhe për t’u mbajtur mend nga të gjithë është që “Dibranët të gëzojnë rrugën”! Kjo është e gjitha!

Faleminderit!

Të rejat e fundit