Së pari, falënderojmë misionin për bashkëpunimin dhe dhënien e ekspertizës në shqyrtimin e situatës ekonomike në vend, si dhe në analizën e sfidave që i shfaqen ekonomisë shqiptare.
Edhe në këtë rishikim, bashkë me Misionin ne konfirmojmë se programi për konsolidimin e ekonomisë dhe financave të vendit është në rrugën e duhur.
Së bashku me Misionin bëmë një analizë të performancës së deritanishme, si dhe konsideruam impaktin e situatës së pritshme për pjesën e dytë të vitit.
Ekonomia
Ekonomia në pjesën e parë të vitit hasi disa vështirësi (përmendim motin e keq me reshje dhe performanca jo e mirë nga kjo goditje në bujqësi), si dhe dobësimi i kërkesës së jashtme nga vendet e BE për arsye se nuk ishte në linjën e parashikuar ecuria e vendeve të BE-së, sidomos dy vendeve fqinje tona që ulën disi ritmin e ekonomisë. Duke pasur parasysh se një pjesë e këtyre faktorëve kanë efekt kalimtar, ne mbetemi të mendimit se konsolidimi i ritmit të rimëkëmbjes së ekonomisë do të forcohet gjatë pjesës së dytë të vitit.
Duke pasur parasysh përmirësimin e gjendjes financiare (të mjedisit ekonomik), vazhdimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, rritjen e konsumit dhe kërkesave për investim në gjysmën e dytë të vitit, ne mendojmë se rritja ekonomike do t’i afrohet projeksionit prej 3%. Gjithashtu ne mendojmë se trajektorja e rritjes ekonomike edhe për vitet 2016- 2017 do të jetë shumë pranë asaj që është parashikuar më parë, bëhet fjalë për një temp rritje 3.5% në terma realë në 2016-ën dhe afër 4% në 2017-ën.
Faktorët ku do të bazohet rritja ekonomike e vendit do të jenë: rritja e kërkesës së brendshme (bazuar në rikthimin e konfidencës, normat e ulëta të interesit që do të jenë prezente në horizontin afatmesëm), investimet e huaja direkte (sepse siç jeni në dijeni tani fillojnë zbatimi i projekteve të mëdhenj në ekonomi, një prej të cilëve është TAP), dhe shpresojmë shumë tek rikthimi gradual i rritjes së kreditimit.
Të ardhurat
Të ardhurat fiskale reflektuan në fakt moderimin e ritmit të ekonomisë në gjysmën e parë të vitit, por në një masë të konsiderueshme u ndikuan edhe nga faktorë të tjerë të paparashikuar apo tranzitorë:
Sidoqoftë, ne mendojmë se një pjesë e efekteve me impakt negativ në të ardhura janë të një natyre kalimtare dhe do të rikuperohen në pjesën së dytë të vitit.
Ndërsa aspektet që janë më permanente, më të qëndrueshëm, edhe pse patën një efekt me impakt të menjëhershëm, imediat, në të ardhurat fiskale, në fakt në një kohë të dytë ne shpresojmë se duke nxitur kërkesën agregate në ekonomi, (përmend këtu normat e ulëta të interesit, përjashtimi i disa makinerive dhe pajisjeve nga taksimi apo heqja e TVSh-së në tregun e sigurimeve), natyrshëm që këto do të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe për pasojë pastaj edhe në të ardhura.
Sido që të jetë, ne jemi të bindur që Qeveria do të mund ta mbajë buxhetin nën kontroll dhe deficiti i projektuar do të realizohet deri në fund të vitit dhe sidomos nuk do të preken shpenzimet kapitale. Tashmë duhet të dimë se dhe reformat strukturore kanë filluar dhe kuptohet që do të vijojnë të japin, me më shumë, intensitet efektet e tyre pozitive.
Greqia
Ne mendojmë se efektet e situatës greke në ekonominë shqiptare janë nën kontroll për disa arsye:
– Së pari sepse ajo që po ndodh në Greqi, situata greke nuk “përbën më lajm”, kemi pesë vjet që ekonomia jonë përshtatet me këtë gjendje dhe bizneset, aktorët ekonomikë shqiptarë kanë arritur të përshtasin të gjithë planet e tyre për investime apo tregti, etj;
– Mundet që ulja e fuqisë blerëse në Greqi të ndikojë disi në eksportet tona, por kjo është një çështje për tu parë me kohë për arsye se nëse do të ndodhë ajo që quhet zhvlerësim i monedhës apo nënçmim i monedhës kuptohet që mund të jetë një efekt i përzier, por sido që të jetë të jemi te ky pakt që presupozojmë se do të ulet kërkesa për mallra shqiptare duke qenë se eksportet tona në Greqi janë vetëm 5.3%, ky efekt është i ulët.
– Ndoshta më me rëndësi është për tu parë diçka për Bankat shqiptare me kapital grek, në atë që ne jemi mësuar ti quajmë si banka greke, por janë shqiptare si nga ana ligjore, ashtu dhe nga ana e administrimit të tyre për arsye se janë tërësisht të shkëputuara nga mëmat, janë banka që kanë aksioner siç mund të jetë çdo lloj biznesi fason apo biznesi ndërtimi, etj. kështu që ne gjykojmë që këto banka që janë me kapital grek janë tërësisht nën kontrollin e autoriteteve shqiptare , në rastin konkret të Bankës së Shqipërisë. Besoj se ju i keni ndjekur takimet më të shpeshta që kemi bërë për këtë çështje së bashku me BSH dhe me autoritetet e tjera financiare të vendit në kuadrin e Komitetit dhe gjykimi është që të gjithë treguesit e sistemit bankar shqiptar dhe në veçanti e bankave greke janë të konsoliduara, kështu që nuk ka asnjë rrezik për depozituesit shqiptarë.
– Një tjetër faktor që ndoshta merret në konsideratë janë çështja e remitancave ose dërgesave nga emigrantët, në fakt impakti i tyre në ekonomi ka vite që ka rënë, siç edhe është normale pritshëmria për to, por edhe ky faktor mund të merret në kah rënës apo edhe rritës në varësi nga sjellja e emigrantëve shqiptarë që ndodhen në Greqi, sepse mund të ndodh që të ulin dërgesat por mund të sjellin depozita apo mund të vijnë të ngrenë biznese,etj, pra është një faktor që duhet marrë në konsideratë në mënyrë të përzier.
– Pra në tërësinë e vet janë një mori faktorësh që nuk mund t’i përcaktojmë që tani me efekt negativ, disa prej tyre do të gjykoja se do të kenë edhe efekte pozitive.
Të gjithë autoritetet, Qeveria, Banka Qendore, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, etj jemi duke e ndjekur me shumë kujdes situatën dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë, për të minimizuar çdo risk që mund të shfaqet në këtë drejtim.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.