Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për këtë takim konsultativ për “Decentralizimin Fiskal”, i cili bëhet në kuadër të zbatimit të reformës territoriale, si dhe në funksion të debatit që fillojmë për buxhetin e vitit 2016.
Një tjetër falënderim shkon për USAID-in dhe qeverinë zvicerane si bashkëorganizatorë të këtij aktiviteti, por njëkohësisht, edhe si kontribues kryesorë në modernizimin e funksionimit të pushtetit vendor.
Me këtë rast falënderoj edhe të gjithë donatorët e tjerë që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në çështjet e pushtetit vendor në Shqipëri.
Mazhoranca aktuale ndërmori një hap shumë të rëndësishëm me miratimin e ligjit për ndarjen e re territoriale dhe më tej pas zgjedhjeve, edhe me fillimin e zbatimit të këtij ligji me zgjedhjet e qershorit të 2015.
Qëllimi i kësaj reforme ishte modernizimi i qeverisjes në nivel vendor dhe jo thjesht reduktimi i njësive vendore, por, gjithsesi, nga kjo reformë rreth 50% e shpenzimeve administrative u kursehen taksapaguesve, duke ua kthyer po taksapaguesve në formën e investimeve dhe shërbimeve publike.
Ky është një shans që ne t’i rilindim financat e pushtetit vendor mbi rrënojat e një modeli të vjetër, për t’i bërë gjërat ndryshe. Ne mësojmë nga gabimet e të kaluarës duke synuar të krijojmë financa të pushtetit vendor sa më solide dhe sa më në shërbim të qytetarit.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.