Postuar më: 10/11/2015

Cani: Eurobondi, likuditet i mjaftueshëm në treg, me interesa të ulëta dhe në afate sa më të gjata

Ju falenderoj për këtë mundësi komunikimi. Në krah tim janë dy personat kyç (zëvendësministri i Financave Erjon Luçi dhe Drejtorja e përgjithshme e Borxhit, Adela Xhemali), që janë marrë me trajtimin e  gjithë procedurave  relativisht të gjata për kushtet e  Shqipërisë. Çështja  e Eurobondit ka zgjatur të paktën 1.5 vite, sepse i tillë është procesi. Kështu që me jepet rasti t’i falenderoj ata dhe një ekip tjetër, që nuk duket. Dua të falenderoj, në mënyrë të veçantë, Bankën e Shqipërisë për mbështetjen që na ka dhënë, sepse kemi bashkëpunuar, pa përmendur ministrat e tjerë dhe qeverinë shqiptare që kanë ndihmuar për realizimin me sukses të eurobondit. Eurobondi është pjesë e një strategjie të tërë që kërkon, synon dhe realizoi lehtësimin e financimit të borxhit publik.

Shqipëria arriti që të marrë 450 milionë euro me një normë interesi prej 5.75%. Besoj se kjo është ngjarje, për disa arsye, por arsyeja kryesore (besoj se të gjithë e kuptojmë se nuk është e lehtë të marrësh një borxh)  është se duhet që doemos të kesh vlerësim pozitiv. Meqenëse fjala borxh, në tërësinë e vet e ngacmon pak veshin dhe ndjenjat e shqiptarëve, (që jo rrallë janë të shqetësuar për nivelin e  borxhit), po them se marrja e Eurobondit bëhet për dy qëllime kryesore:

1.Për të zëvendësuar eurobondin e parë, të marrë në nëntor të vitit 2010, prej 300 milionë eurosh, me normë interes 7.5%,

2. Dhe 150 milionë euro, mbi 300 milionë euro të vitit 2010, që e zëvendëson tërësisht atë eurobond, do të jenë të mjaftueshme që ne të tërhiqemi nga tregu i brendshëm. Pra nuk do të shtojmë borxhin, sepse do të zëvendësojmë atë pjesë pjesë të borxhit që do ta merrnim në tregun e brendshëm me eurobondin.

Pse e bëjmë këtë?

Arsyeja është e thjeshtë: Sepse duam të lëmë hapësirë për biznesin për vitin 2016, që të mund të marrë kreditë e nevojshme. Ju e dini, nuk është e panjohur që, kreditimi në Shqipëri ka vuajtur këto vite dhe nuk është një histori as një vjeçare, as dy vjeçare, por pothuajse mbi 5-vjeçare. Një nga mënyrat kryesore për të nxitur kreditimin është që qeveria të tërhiqet nga marrja e kredive në tregun e brendshëm, të bëjë presion tek bankat që të mbajnë normat e interesit të ulëta, që bankat të priren për të dhënë kredi dhe me interesa më të ulëta e, duke  qenë kështu, nxitet zhvillimi i ekonomisë, pra i vijmë në ndihmë biznesit dhe rritjes së ekonomisë.

Tani nga ana tjetër ka dhe një çështje që duhet sqaruar – lidhur me faktin nëse do ta shtojmë apo jo borxhin? Ky është një debat që merr formën e një leksioni, por jam i detyruar që ta sqarojë publikun.

Pavarësisht se nga çfarë thuhet, ka 24 vite rresht, pa përjashtuar asnjë vit, që Shqipëria kur bën buxhetin e vitit të radhës, del me defiçit. Ashtu siç do të jetë edhe buxheti i vitit 2015 dhe siç do të jetë edhe ai i vitit 2016. Pra, në 25 vite ne do të dalim  me deficit.  Që do të thotë se të ardhurat që realizojmë nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Si në familje, kur të ardhurat e përmuajshme apo të përvitshme nuk i realizojnë dot në madhësinë për të mbuluar nevojat e shpenzimeve, do të drejtohesh diku për të marrë borxh.

Ne nuk kemi arritur asnjëherë, në asnjë vit, që të dalim me sufiçit, por kjo nuk është veçori vetëm e Shqipërisë. Janë të shumta vendet në ekonominë botërore, përfshi edhe vende të zhvilluara, që janë nga viti në vit me deficit. Ne po shpjegojmë eurobondin, pra çfarë kemi bërë? Duke pranuar që nga viti në vit do marrim borxh, mendoj deri nga viti 2020, ne do të jemi ndër vendet që do të dalim me deficit dhe që çdo vit do të shtojmë nivelin e borxhit. E mira është që niveli i rritjes ekonomike të jetë më i lartë se sa niveli i borxhit që marrim. Në atë rast duket se ekonomia është në ecjen e duhur. Shqipëria është një realitet që as ka qenë, as do të jetë, të paktën deri nga vitit 2020, në këtë gjendje.

Atëherë çfarë bëmë? Zëvendësuam eurobondin e vjetër me eurobond për 300 milionë euro me 7.5 % normë interes me 300 milionë euro me normë interesi 5.75%, ndërkohë morrëm edhe 150 milionë euro të tjera që nuk do i marrim nga tregu i brendshëm, por ja lamë biznesit  për të marrë kredi.

E mira e këtij e këtij eurobondi është që po marrim një hua 5-vjeçare dhe po heqim dorë nga tregu i brendshëm, që zakonisht (në pjesën më të madhe), na jep hua me afate 3, 6, 12-mujore ose 2-3-5 vjeçare në raste shumë të rralla 10 vjeçare. Pra, zëvendësojmë një pjesë të borxhit, që është afatshkurtër, me një pjesë të borxhit që është afatgjatë dhe kështu rregullojmë strukturën e borxhit. Kështu i bëhet mirë ekonomisë që të mos jemi nën stresin e marrjes së borxheve  të shpeshta,  të daljes në tregun e brendshëm.

Cili është roli i Ministrisë së Financave, sepse e ndjej peshën e kritikës së njerëzve që janë të shqetësuar për borxhin?

Ne këtë detyrë kemi, kur ekonomia parashton kërkesat për likuiditet me buxhetin që miratojmë, me shpenzimet, Ministria e Financave bën detyrën e vet që të gjejë likuditetin e mjaftueshëm në treg, me leverdi sa më të madhe, me interesa sa më të ulëta dhe në afate sa më të gjata.

Me eurobondin bëmë detyrën dhe them se me këtë i kemi bërë më të mirën e mundur ekonomisë shqiptare, financave publike dhe, në tërësi, të gjithë shqiptarëve, për arsye se po të hyjmë në llogaritje  dhe analizë të eurobondit, del që kursehen para për ekonominë shqiptare.

Kjo është parashtresa që doja të bëja, ndoshta ishte pak e gjatë,  ndoshta një pjesë edhe e kishit dëgjuar, por jam i hapur për çdo pyetje dhe sqarim. Për gjëra më teknike mund të përgjigjen kolegët e mij, që janë marrë përditë me detaje teknike.

Ajo që mund të shtohet është se tek eurobondi patëm kërkesa përtej pritshmërive, për arsye se qenë 115 investitorë, midis të cilëve disa që vijnë për herë të parë dhe që janë shumë seriozë në tregjet ndërkombëtare. Kërkesa për eurobondin ishte shumë më e madhe nga sasia që ne kërkonim, që është dhe kjo një sjellje, apo një çështje më vete sepse tregon interes për eurobondin shqiptar dhe doemos që kur investorët ose ata që duan të japin hua kanë interes për ty, tregon se i shohin reformat e qeverisë shqiptare në rrugën e duhur dhe e shikojnë ekonominë shqiptare në rrugën e duhur.

Të rejat e fundit