Kam idenë se gjërat në këtë botë janë më të thjeshta nga sa duam t’i bëjmë ne, por nga që kërkojnë të emocionojnë veten, jo të tjerët, fillojnë dhe tjerrin fjalë. Kemi dhe ca shprehje që shkojnë drejt fatalitetit dhe ekstremeve dhe pastaj eksitohemi, kam dëgjuar këtu fjali nga më të çuditshmet. Dikush tha që renta minerare nuk merret nga nafta e vendit që eksportohet, por merret nga nafta e importit. Ky është bastardim.
Dikush tjetër spekulloi me 21 janarin, në mënyrë makabre, duke u marrë me viktimat, por po në mënyrë kriminale nuk la pa përmendur dhe të gjallët. Përmendi një drejtues të nderuar, pastaj me hile, me marifet, e quajti atë “me integritet”. Po, është me shumë integritet, është Nderi i Matit, njeri i përsosur, punonjës i shkëlqyer, që i bën të gjitha punët siç duhet! Por juve nuk ju vjen mirë se ndoshta nuk ka zbatuar komandën tuaj, për të vrarë njerëz. Ky është problemi.
Tani, më duhet t’u përgjigjem disa pyetjeve. Nuk do flas shumë për Aktet Normative, unë do të mundohem t’i marr zë për zë se çfarë bën Akti dhe, ju në fund, do të votoni “Pro” apo “Kundër”. Unë do t’ju pyes: “Jeni Pro apo Kundër këtij veprimi që ka bërë Akti?”.
Aktet Normative nuk kanë prekur të ardhurat dhe shpenzimet. Kështu që nuk keni pse votoni, as për të ardhurat, as për shpenzimet.
Veprimi i parë: Shtesë në fondin e shpronësimeve publike deri në masën 5 miliardë lekë, pra ka një fond për shpronësimet. Sepse ju dhe ne kemi identifikuar si problem të madh shpronësimet, kur bëjmë një investim. Ne ndahemi qartazi me ju. Ju, tre vjet më përpara, i merrnit tokën, e zaptonit, bënit çfarë donit, nuk e paguanit dhe na e latë ne që t’i paguanim. Ne themi: Të krijojmë një fond që ta shlyejmë në çastin që ne duam ta bëjmë investimin, ta kemi tokën e lirë dhe të vazhdojmë punën për investimin publik. Jeni kundër? Thoni jeni kundër dhe jemi pro grabitjes së pronës!
Po deshët merrni edhe ata që janë quajtur ish-pronarë, që janë pronarët e vjetër. Ne themi që ta zgjidhim. Ju thoni jemi “Kundër” dhe votoni “Kundër”, me rradhë, që nga fundi, që nga roja që mund të keni atje tek SHQUP e deri tek Presidenti. Të gjithë keni votuar në mënyrë unanime “Kundër”, sepse nuk doni që ta zgjidhni. Doni ta lini 300 e ca vjet zgjidhjen. Kështu keni bërë. Shikoni të gjitha fondet që keni dhënë për çështjen e pronës.
Ne themi të bëjmë atë që mund të bëhet midis të dy brezave dhe brezave të ardhshëm, le të lëmë aq sa mundemi dhe t’u japim edhe atyre.
Tjetër pyetje dhe votoni si të doni: Mbështetje e mëtejshme e kryerjes së investimeve deri në 5.2 miliardë lekë në ato objekte që nuk kanë performuar mirë në projekte dhe objekte që performojnë më shpejt, më mirë, në mënyrë që t’ua japim paratë atyre që performojnë më mirë. Dhe duke nxitur investimet, nxisim rritjen ekonomike. Jeni “Pro” apo “Kundër”? Ne themi që do të bëjmë ç’është e mundur që të arrijmë rritjen ekonomike 2.7% (dhe me sa duket rritja ekonomike për 2015 do të jetë 2.7%), që është 3 herë më shumë nga viti 2013.
Planifikuam 2.5 miliardë lekë për zhvillimin rajonal. Ia dhamë pushtetit lokal, me decentralizim. Jo si ju, që i çonit shërbimet, por pa para. Ne iu çojmë edhe mbështetjen buxhetore. Në mënyrë që t’i përdorin për qytetarin, për të shkuar drejtpërdrejt tek qytetari.
Doni të marrim 1 miliard lekë që i dhamë mbështetje KESH. Çfarë doni? Nuk ishte fundi i vitit me thatësirë? Donit që t’i linim hidrocentralet me rendimentin minimal dhe shqiptarët pa energji elektrike. Këtë donit? Doni të votoni “Kundër”? Votoni! Thoni se këta kanë gabuar dhe ju kanë dhënë energji gjatë vitit të ri dhe këto ditë në vazhdim, pse edhe këto ditë është i mbyllur hidrocentrali i Fierzës. Votoni! Dhe do iu dallojnë njerëzit, do mësojnë se cilat janë argumentat me të cilat ju do të votoni.
Kemi planifikuar “Shpërblim financiar në ndihmë të shtresave në nevojë”. Doni pensionistët, doni personat me aftësi të kufizuar (PAK), ndihmën ekonomike? 2 mijë lekë, (këto ishin mundësitë), ua dhamë. Urojmë që këtë vit dhe vitin tjetër të kemi edhe më shumë, në gjendje që të japim më shumë para. Do votoni “kundër” pse u dhamë para atyre? Votoni, është e drejta juaj për të votuar kundër, por ama një gjë mos bëni siç e bëtë në Komisionin e Ekonomisë: të thoni “lëmoshë”! Nuk janë shtresë që duhet përbuzur, është një shtresë sociale, që duhet mbështetur, qoftë edhe moralisht! Mos përdorni fjalë fyese, e thatë këtë atje, në Komision të Ekonomisë, madje edhe u tallët. E keni në traditë! Doni përgjigjen e Ministrisë së Financave në kohën tuaj, si i është përgjigjur Ministrisë së Mirëqenies Sociale se “nuk kemi para për t’ju dhënë”? Nuk flas për shpërblim, por ato që u takojnë PAK.
Ju thatë “nuk kemi”. Na i latë ne. Ne kemi shlyer 5 miliardë lekë në dhjetor të vitit 2013. Që i kishit lënë ju nga një vit më parë. Pra e keni në traditë këtë lëmoshën, këtë ndjenjën e fyerjes se edhe e shkruani.
Nuk doni dhe këtë? Votoni kundër! Shumë e thjeshtë, ju do thoni “Po” ose “Jo”.
Jeni kundër shpërblimit të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer në Shqipëri? Jeni kundër mësuesve dhe mjekëve profesionistë të dalluar? Jeni kundër policëve që u qani hallin? Ne u kemi dhënë shpërblim nëpërmjet këtyre akteve normative. Do votoni “kundër” ose “pro”, do t’ju shohin njerëzit tek votimi. Kaq e thjeshtë është!
Tani po them disa fjalë për të famshmin “partneritet privat publik”. Nuk dimë si thuhet në shqip, më mirë se sa një fjali: Nuk merret me mbledhjen e TVSH. Nuk bën mbledhjen e TVSH, por është një platformë informatike, në ndihmë të DPT. Kjo është puna që do të bëjnë. Kaq e thjeshtë është!
Ne qenkërkemi më mirë nga bota në mbledhjen e tatim-taksave. Njerëz, publik, votues të PD apo të PS, opozita thotë: “Ne, kjo qeveri, është e shkëlqyer në mbledhjen e tatim-taksave”!. Sapo e thatë. Në rregull. Sepse deri tani çfarë s’kemi dëgjuar: që jeni hajdutë, që keni mbledhur keq tatim-taksat?! Ja pra, që qenkemi mirë! Qenkemi shkëlqyer. Ne themi se kemi probleme, jo thoni ju, jeni të shkëlqyer. Sepse e masni me veten! Kurse ne e masim me atë që duam të shkojmë. Kjo është diferenca.
Tjetër, pothuajse zero është kostoja e këtij PPP! Do bëhen përllogaritjet, mos u mërzisni, nuk është çudi që do kemi fitim nga i gjithë ky aktivitet. Do merremi në detaje. Po të doni, kam një tabelë këtu. Dhe dallimin mes jush dhe mes nesh, ja ku e keni dhe si e bënit. Si i bëtë ju koncesionet, si i kuptonit ju koncesionet? Tarifë mbi publikun, mbi bizneset! Kurse ne themi: Pagesa fitohet vetëm nëse realizon të ardhurat. Jep të ardhura shtesë, do marrësh pagesë, s’jep të ardhura shtesë, nuk do marrësh.
Do të thoni si llogariten të ardhurat? Nuk keni asnjë lidhje midis të ardhurave të realizuara nga partneriteti dhe përfitimeve nga buxheti. Për herë të parë i themi partnerit: “realizo të ardhura shtesë”, që të marrësh pjesën që të takon.
Si është formula financiare? Për ju ka qenë pranuar siç ka ardhur nga propozuesi. Madje “propozuesi ju thoshte “e dua me 200 lekë”, Ju i thonit: “jo, jo, me 600 lekë! Si ta marrësh ti me 200 lekë? Ore, iu thoshte propozuesi “me 200 lekë dua ta bëj”! Jo 600 thoshit ju. Sepse kish ndërhyrë dikush dhe ka thënë: Po unë, çfarë do të përfitoj? Kaq pak do marrë unë?
Ne themi: “E ndajmë riskun bashkë, edhe unë edhe ti të marrim, por me kusht që ti të realizosh tejkalim të ardhurash. Pra, ne kemi dallim thelbësor mes nesh!
Bëhet shumë zhurmë për transparencën fiskale të qeverisë. Po ua lexoj, sepse këtë e ka kërkuar qeveria, për të përmirësuar transparencën. E keni të shkruar nga FMN (meqë e keni merak). Në fillim të raportit thotë: Kërkesë e Qeverisë së Shqipërisë (është Qeveria që e ka kërkuar). Doni të dini çfarë problemesh ka në Shqipëri?
Shikoni çfarë thonë raporti: “Shqipëria ka risqe fiskale të ndjeshme, në disa drejtime”. Dhe shton që “kërkesat e ish pronarëve janë deri në 70 % të PBB”! Pra është kaq e madhe kërkesa. Kësaj qeveria do ja shisni, do i thoni që ne e krijuam këtë ndaj ish pronarëve? Ne, apo e trashëguam siç ishte.
Tjetër risk thotë raporti: “Keni nivel të lartë të kredive të këqija”. Prapë kësaj qeverie do ja lini? A e dini se kjo qeveri ka 2 programe për këto çështje dhe ju zero programe? Ne kemi programuar si të zgjidhim çështjet me pronarët e vjetër dhe për kreditë e këqija. Harroni që keni votuar kundër tyre? Tani thoni që faji është i kësaj qeverie. Ne kërkojmë ta zgjidhim, ju votoni kundër zgjidhjes dhe fajin e ka qeveria?!
Në fakt, unë ndjesë publikut, që ju nuk keni turp të turpëroheni.
Në fund po e mbyll, jo duke i marrë me radhë ato që keni bërë dhe s’keni bërë për transparencën. Mirë që nuk lexoni dot 80 faqe, 40 faqe të raportit të FMN, po tre rreshta nuk i lexoni dot? “Kjo arritje (është për këto tregues që thoni ju) në tërësi është më impresivja dhënë për një vend me një histori relativisht të shkurtër në demokraci”. Këtë thotë raporti i i transparencës fiskale të FMN-së. Çfarë mund të thotë më shumë?
Këta nuk lexojnë, më falni se e zgjata, se këta nuk lexojnë!
Faleminderit!
* Fjala e ministrit të Financave, z. Shkëlqim Cani në Kuvend gjatë diskutimit të Akteve Normative të Buxhetit 2015, 21 janar 2016
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.