Postuar më: 09/11/2021

Akti Normativ-Ibrahimaj në Kuvend: Synojmë përballimin e krizës energjetike dhe marrjen e Eurobondit

Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancën plenare të rradhës, Aktin Normativ që parashikon rishikimin e Buxhetit 2021.

Sipas këtij dokumenti, qëllimi kryesor i tij është përballimi i krizës energjetike, si pasojë e rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe dalja me Eurobond në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Gjatë prezantimit të këtij Akti Normativ, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se Qeveria mbetet e angazhuar dhe se po punohet që të kemi një borxh gjithnjë e më afatgjatë dhe më pak të ekspozuar ndaj risqeve.

Ibrahimaj theksoi se përmes këtij akti normativ nuk pësojnë ndryshime treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2021. Pra, në thelb deficiti nuk preket,  por ndryshojnë zërat e kufijve të borxhit publik si dhe zërat e financimit të buxhetit të vitit 2021.

“E rëndësishme është të menaxhojmë rritjen e borxhit publik në nivele më të ulëta sesa rritja e ekonomisë. Një rrugëtim i tillë është nisur nga ana jonë, ka dhënë rezultat në harkun kohor të katër viteve nga viti 2015 deri në 2019, u shpreh  Ministrja, duke shtuar se rruga tashmë është shtruar, dhe janë në fuqi mekanizmat e duhur që do të na mundësojnë të kthejmë borxhin publik në atë trajektore rënëse të iniciuar dhe të ndërprerë përkohësisht në 2020 dhe në 2021”.

Sipas Ministres, e rëndësishme është të kemi një portofol borxhi cilësor dhe të mirëmenaxhuar, ndaj përpjekjet tona do vijojnë të jenë të fokusuara në këtë drejtim, duke mundësuar një borxh gjithnjë më afatgjatë dhe më pak të ekspozuar ndaj risqeve.

—————————————————————————————

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në seancën plenare:

E Nderuar Znj. Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar Deputetë!

Jam para jush sot për të prezantuar Aktin Normativ nr. 31, i cili parashikon rishikimin e Buxhetit për vitin 2021.

Ky rishikim i buxhetit vjen në linjë me nenin 101 të Kushtetutës, i cili parashikon se Këshilli i Ministrave ka të drejtë të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit.

Nevoja për këtë Akti Normativ lidhet me dy çështje emergjente:

  • Përballimin e krizës energjetike si pasojë e rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare;
  • Daljes me Eurobond në tregjet ndërkombëtare të kapitalit;

 

Përmes rishikimit të buxhetit të vitit 2021, qeveria do të mbështesë financiarisht OSHEE në situatën e krizës energjetike të shpallur me anë të VKM nr.584.

Kjo mbështetje do të jetë në formën e Garancisë Sovrane me vlerën 10 miliardë lekë për vitin 2021.

Përmes saj do të mundësohet që OSHEE të garantojë blerjen dhe vazhdimësinë e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, rishikimi i Buxhetit 2021 vjen edhe për shkak të nevojës për të rregulluar kufijtë e borxhit publik. Kjo vjen në kushtet ku Republika e Shqipërisë do të dalë në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond prej 700 milionë eurosh, vlerë më të lartë se ajo e parashikuar në ligjin vjetor të buxhetit.

Vetëm dy javë më parë ne miratuam projektligjin për Eurobondin, për miratimin e përjashtimeve nga tatimet dhe taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, për marrëveshjet që do të lidhen nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Kjo është hera e pestë që Shqipëria kërkon financim në tregjet e kapitalit ndërkombëtar, përmes instrumentit të Eurobondit. Vlen të theksohet se gjatë gjithë kohës ne kemi siguruar norma interesa më të ulëta dhe interesi i investitorëve për instrumentat tanë ka qenë gjithnjë në rritje.

Gjithashtu, dëshiroj të përmend faktin se, gjatë vitit 2020 dhe 2021, jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e Ballkanit dhe të Europës kanë pësuar rritje të borxhit.

Nevoja për një rritje me 200 milionë euro të vlerës së Eurobondit vjen në kushtet kur parashikimet ndërkombëtare kanë pësuar ndryshime, përsa i përket normave të interesit të vitit të ardhshëm. Vlerësimet dhe parashikimet, jo vetëm të ndërkombëtarëve, por edhe të gjitha bankave qendrore ndërkombëtare, për vitin e ardhshëm pritet të ketë rritje.

Ky transaksion do të na ndihmojë të përmbushim nevojat tona financiare për realizimin e reformave ekonomike dhe gjithashtu përbën një mundësi për të pasqyruar perspektivat optimiste afatmesme kundrejt investitorëve, një test që investitorët e shohin vendin tonë si të qëndrueshëm dhe me një stabilitet makroekonomik dhe financiar.

Me emetimin e Eurobondit, borxhi publik parashikohet të shkojë në rreth 80.6 %

Theksoj se përmes këtij akti normativ nuk pësojnë ndryshime treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2021. Pra, në thelb deficiti nuk preket por ndryshojnë zërat e kufijve të borxhit publik si dhe zërat e financimit të buxhetit të vitit 2021.

Do të doja të ritheksoja edhe një herë atë që është thënë në mënyrë të vazhduar nga ana jonë, që qeveria shqiptare ka ndjekur një trajektore rënëse të borxhit dhe ka qenë e qëndrueshme në menaxhimin e financave publike, gjithashtu në terma të deficitit.

E rëndësishme është të menaxhojmë rritjen e borxhit publik në nivele më të ulëta sesa rritja ekonomike dhe ne ia kemi dalë ta bëjmë këtë.

Një rrugëtim i tillë i nisur nga ana jonë dhe ka pasur rezultat në harkun kohor të katër viteve nga viti 2015 deri në 2019.

Rruga tashmë është e shtruar dhe janë në fuqi mekanizmat e duhur që do të na mundësojnë të kthejmë borxhin publik në atë trajektore rënëse të iniciuar dhe të ndërprerë përkohësisht në 2020 dhe në 2021.

Përpjekjet tona do vijojnë të jenë të përqendruara, për të patur një portofol borxhi cilësor, një borxh me sa më pak risqe. Të dhënat tona dëshmojnë se borxhi që kemi sot është sigurisht një borxh shumë më i mirëmenaxhuar  dhe me risqe më të ulura nga viti në vit.

Për sa i përket objektivit tonë madhor të forcimit të financave publike, si për vitin 2022 ashtu edhe për periudhën afatmesme, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe të përfshira dhe në projektbuxhetin e 2022 si:

  • Deficiti fiskal prej 5.4% e PBB është në ulje krahasuar me pritshmërinë e vitit 2021 prej 6.8% të PBB;

Në krahasim me vendet e rajonit, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, tkurrja e balancës fiskale nga viti 2021 në vitin 2022 për Shqipërinë është nga më të lartat në rajon.

  • Balanca korrente (diferenca midis investimeve publike dhe deficitit fiskal) planifikohet në shifra pozitive edhe gjatë vitit 2022, në nivelin prej 1% të PBB dhe me një rritje prej 0.5 pikë përqindje krahasuar me pritshmërinë e vitit 2021.
  • Balanca primare, e programuar në vlerën –8% të PBB për vitin 2022, është me ulje të konsiderueshme krahasuar me nivelin e pritshëm të vitit 2021. Në fund të vitit 2024 synohet një balancë primare pozitive, në përputhje me ligjin organik të buxhetit.

Për rrjedhojë, gjithashtu në përputhje me rregullin respektiv fiskal, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet trajektores rënëse në vitin 2022, me një vlerë të targetuar që shkon në 79.4% të PBB.

Sigurisht, trajektorja graduale rënëse e borxhit publik ndaj PBB synohet të vijojë edhe në secilin vit tjetër pasues përgjatë afatit të mesëm.

Një objektiv i rëndësishëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i menaxhimit të borxhit. Për këtë qëllim:

  • Huamarrja e brendshme do të synojë rritjen e përdorimit të titujve afatgjatë dhe me norma interesi fikse; Sot, për herë të parë në historinë e Republikës së Shqipërisë, është emetuar një obligacion me afat 15 vjeçar. Kjo tregon një zhvillim cilësor të tregut të kapitaleve dhe gjithashtu një rritje të besimit të investitorëve në bondet e qeverisë shqiptare.

 

  • Huamarrja e huaj do të diversifikohet nëpërmjet burimeve të ndryshme, për të siguruar optimizimin e kostos së borxhit. Një vend të rëndësishëm në huamarrjen e huaj do të zerë përdorimi i instrumentit të Eurobondit, i cili do të plotësojë nevojat për financim, përmirësojë jetëgjatësinë e borxhit që sigurohet nëpërmjet titujve të tregtueshëm, dhe do të garantojë prezencën e vendit tonë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Në fund të fjalës sime, dua të theksoj se është e rëndësishme që të kemi një portofol borxhi cilësor dhe të mirëmenaxhuar. Ndaj përpjekjet tona do vijojnë të jenë të përqendruara në këtë drejtim, duke mundësuar një borxh gjithnjë më afatgjatë dhe më pak të ekspozuar ndaj risqeve.

Ju faleminderit!