Komisioni për Ekonominë dhe Financat në drejtimin e kryetarit të ri të këtij komisioni, Anastas Angjeli miratoi aktin normativ për zgjatjen e afatit të subvencionimit të qirasë deri në momentin e strehimit të këtyre familjeve. Akti i mëparshëm parashikonte subvencionim e qirasë vetëm 1 vit pas dëmtimit të shtëpisë nga tërmeti. Konkretisht, rreth 1,5 miliardë lekë janë parashikuar nga buxheti i shtetit në 2021 për subvencionim e qirasë për familjet të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Buxhetit, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Mimoza Dhëmbi, ky akt synon të përshpejtojë proceduarat e subvencionit të qirasë.
“Ky akt normativ është propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si ministri përgjegjëse për strehimin dhe është marrë miratimi nga Ministria e Rindërtimit. Akti synon të përshpejtojë proceduarat e subvencionit të qirasë. Akti i mëparshëm përcaktonte një afat fiks prej 1 viti për kryerjen e procedurave. Ne propozuam ta shtynim këtë afat për trajtim të familjeve që janë të pastrehë deri në momentin e strehimit të tyre”, theksoi Dhëmbi. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Anastas Angjeli bëri me dije se, mbështetja e familjeve të dëmtuara me qira deri në momentin e strehimit ishte i domosdoshëm, pasi izolimi i shkaktuar nga pandemia krijoi vonesa në nisjen e procesit të rindërtimit. “Rindërtimi tashmë ka filluar në plan të gjerë. Në buxhetin e këtij viti qeveria ka parashikuar fondet e nevojshme për përfundimin e procesit. Asnjë qytetar i dëmtuar nga tërmeti nuk do të mbetet pa u rimbursuar shuma e qirasë që paguajnë deri në momentin e ndërtimit të shtëpive”.
Drejtoresha e Përgjithshme e Strehimit, Doris Andoni tha se në 2020 në total përfituan subvencionimin e qirasë 13,914 familje. “Shifra është dinamike dhe ne presim që të ndërtohen banesat e këtyre familjeve. Nga Durrësi 300 familje janë larguar nga skema, pasi janë strehuar”. Në këtë qytet janë trajtuar me qira rreth 4 mijë familje të prekura nga tërmeti.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.