Postuar më: 22/07/2019

Administrata Tatimore paraqet rezultatet e Planit Operacional kundër Informalitetit

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Delina Ibrahimaj, prezantoi para mediave rezultatet e arritura nga zbatimi i Plani Operacional kundër Informalitetit për periudhën 01-21 Korrik. Nga 1,064 subjekte të kontrolluara, për 367 prej tyre janë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor.

Deklarata e plotë Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve:

Këtë takim me median, e kemi thirrur për të ndarë me ju dhe përmes jush me publikun e gjerë, një mesazh të qartë të Administratës Tatimore, se lufta kundër informalitetit nuk është një plan i përkohshëm masash, por vullnet i fortë i qeverisë shqiptare për të garantuar rregulla të barabarta në treg; për të mbështetur biznesin që respekton rregullat dhe punon çdo ditë për të siguruar fitime në mënyrë të ndershme.

Asnjë sipërmarrës nuk mund të pasurohet, duke shkelur ligjet në kurriz të të tjerëve. Nuk do të ketë më bare, lokale apo hotele që operojnë në treg pa NIPT-e. Nuk mund të ketë biznese që raportojnë xhiro sa një ambulant.

Kjo bie ndesh me parimet e barazisë në treg, bie në kurriz të qytetarëve të cilët kërkojnë me të drejtë shërbime publike të merituara, sepse ata paguajnë TVSH në çdo blerje që bëjnë, por kjo humbet në xhepat e biznesit që nuk e deklarojnë atë.

Administrata Tatimore dhe veçanërisht Strukturat e Monitorimit në Terren, po zbatojnë këtë Plan Operacional, kundër Informalitetit, i cili do të jetë sistematik, i bashkërenduar edhe me institucionet e linjës, të koordinuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në të gjithë territorin e vendit.

Gjatë periudhës 01-21 Korrik , janë kontrolluar 1,064 subjekte, ndërsa 367 prej tyre, janë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor.

Bilanci i shkeljeve nga kontrollet është si më poshtë:

  • 62 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB-së dhe organeve tatimore.
  • 53 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar.
  • 106 tatimpagues të penalizuar për moslëshimin e kuponi tatimor (hera e parë), ndërsa 12 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).
  • 12 tatimpagues janë konstatuar pa pajisje fiskale dhe 12 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune.
  • 20 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

Gjetjet e këtij bilanci, të cilat do t’ju vihen në dispozicion çdo javë,  tregojnë vetëm për fillimin e punës sonë.

Deri në fund të vitit, do të kontrollohen 6200 subjekte në sektorët e evidentuar me risk të lartë, si turizmi, ndërtimi, karburantet, por lufta kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që dëmton konkurrencën e ndershme në treg.

Administrata Tatimore do të vijojë të informojë tatimpaguesit dhe qytetarët për deklarimet, në përputhje me ligjin dhe procedurat tatimore.

Së shpejti, do të kemi edhe një aplikacion “StopInformalitetit”, për të lehtësuar këtë komunikim.

Informalitet do të thotë më pak investime publike dhe cënim i punës së ndershme të të gjitha bizneseve që operojnë sipas ligjit!

Lufta ndaj Informalitetit na përket të gjithëve, ndaj i lutem çdo subjekti apo konsumatori të na bashkohet, duke bërë me dije rastet kur konstatojnë parregullsi, si nga ana e bizneseve, por edhe për punonjësit tanë, nëse abuzojnë me detyrën e tyre.

Nuk ka asnjë tolerancë në këtë luftë! Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë!