Postuar më: 17/11/2014

Buxheti 2015 – konsolidim i reformave dhe besueshmëri të financave

Sot kam kënaqësinë të diskutoj për miratimin në parim të projektbuxhetit 2015 dhe të akteve të paketës fiskale që e shoqërojnë.

Natyrshëm unë nuk mund të them se është një risi, sepse buxheti është i përvitshëm, debati është i përvitshëm, por kuptohet që ka një interes në rritje nga politika, publiku, grupet e interesit, etj. Kuptohet që mbi këtë, në fakt buxheti ka një rëndësi tejet të madhe, sepse buxheti i shtetit në fakt ndikon në buxhetin e aktorëve ekonomikë dhe deri në buxhetin e familjeve. Për këtë do doja të flisja më me detaje lidhur për projektbuxhetin, duke kërkuar edhe mirëkuptimin tuaj pasi flasim në këto orë të vona.

Parimet e buxhetit

1.       Buxheti 2015 është ndërtuar mbi një parim të qeverisjes, e programit politik të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Është viti i dytë, buxheti i dytë, që kërkon të realizojë këtë filozofi të re.

2.       Ky buxhet kërkon dhe realizon zbatim të programeve elektorale, por dhe të qeverisjes, për të cilat u votuam në mazhorancë të thellë.

3.       Është e natyrshme që buxhetit t’i bëhen komente dhe sugjerime, edhe nga opozita, por do shumë vëmendje nga një opozitë e cila dështoi totalisht me buxhetet. Dua t’ju rikujtoj se vetëm katër vitet e fundit, buxhetet e sot opozitës, dje mazhorancës,  kanë dështuar në mënyrë të turpshme dhe natyrshëm ne nuk mund të marrim parasysh sugjerime që kërkojnë ta çojnë dhe këtë projektbuxhet drejt atij drejtimi të gabuar që ne kurrë nuk mund ta marrim parasysh. Është një filozofi e re, është një buxhet për publikun. Jo për kryetarin e partisë, apo për partinë vetë.

4.       Projektbuxheti 2015 ka në objektiv vendosjen e balancave makroekonomike, uljen e borxhit, rritjen e qëndrueshme ekonomike, rritjen e investimeve, si dhe garantimin e reformave të ndërmarra. Strategjia jonë ekonomike nuk është të shkurtojmë shpenzimet, por të kemi eficiencë në shpenzime.

5.       Projektbuxheti  i vitit 2015 synon ulje të borxhit publik në nivelin 70.6% të PBB-së, synon rritje ekonomike në 3%, synon shpenzime totale për 475 miliardë lekë ose mbi 4.5 mld USD, synon një deficitin buxhetor që ulet në mbi 50% nga viti 2014, dhe synon investime në ekonomi për 80 miliardë lekë.

Të mos harrojmë se për buxhetin e vitit 2014 diskutonim për borxhe të fshehura, diskutonim për një gjendje të mjeruar të ekonomisë, sot kemi kënaqësinë të nxjerrim konkluzione se ku jemi me realizimin e buxhetit të vitit 2014.

•        Sot Shqipëria është vend kandidat për në BE;

•        Standard&Poor’s ndryshoi parashikimin nga “negativ” në “stabël” dhe sot në  “pozitiv”;

•        Doing Business: Shqipëria është 40 vende e renditur më mirë nga sa ishte më parë;

•        Treguesi i Ndjesisë Ekonomike ka përmirësime të ndjeshme. Këto ditë dalin shifra të reja lidhur me këta tregues, ku Shqipëria  përsëri sheh përmirësime.

 

  1. Çfarë përmban projektbuxheti 2015 më në detaj?

Kuptohet që nuk mund të flas për të gjithë projektbuxhetin edhe pa dashur të bie në përsëritje, për shkak se kam gati 2 javë që flas për buxhetin në komisione të ndryshme, por do të ndalem në pesë momente kryesore.

 

• Së pari, ky projektbuxhet mbështet dhe mbështetet nga reforma madhore.

•Së dyti, ky buxhet mbështetet dhe mbështet prioritete të qarta që shohin nga e ardhmja.

•Së treti, ky buxhet mbështetet mbi shpenzimet publike eficiente në këndvështrim të përmirësimit të shërbimeve ndaj publikut.

•Së katërti, financimi i shpenzimeve bëhet nga burime të qëndrueshme.

•Dhe së fundi, kemi tashmë një borxh publik nën kontroll, me tendencë ulje nga viti në vit.

Më lejoni të marr me rradhë shkurtimisht këta faktorë:

-Lidhur me reformat madhore që po realizohen në ekonomi. Së pari është Sektori Energjetik – Tashmë reforma në këtë sektor ka filluar. Këto ditë vijon aksioni mbarëkombëtar për eliminimin e abuzimeve në konsumin e energjisë elektrike, kjo reformë do të sjell që brenda 5 viteve ky sektor të jetë fitimprurës. Një sektor që u mësuam që për mbi dekada të dalë me humbje. Këtij sektori i jepen 20 miliardë lekë për ta mbështetur.

•        Një tjetër reformë madhore është Sektori i Inovacionit – Modeli ynë është një shoqëri me njohuri bashkëkohore, ku politika është në mbështetje të shkencës dhe inovacionit. Për vitin 2015 starton projekti “Reforma e Shërbimeve në Administratën Publike” mbështetur nga një fond prej 50 mln USD, i cili do të përmirësojë ndjeshëm shërbimet ndaj publikut dhe do të ulë koston dhe eliminojë korrupsionin ndaj tij.

•        Reforma administrativo-territoriale , e cila gjen mbështetjen financiare në projektbuxhetin 2015.  Mund t’ju kujtoj se shpenzimet e pushtetit vendor rriten me temp 6 herë më shumë nga rritja e shpenzimeve të buxhetit në total. Po kështu mund t’ju kujtoj se kalimi i rentës minerare në favor të 41 njësive të reja vendore është 5 herë më i lartë nga mesatarja e rentës minerare, që i ka kaluar pushtetit vendor në tre vitet e fundit.

•        Reforma e pensioneve, kjo është një reformë tërësore, e cila do të çlirojë buxhetin nga një kosto shumë e lartë. Ju kujtoj se në vitin 2015 do të fillojë zbatimi i Pensionit Social, për ata shtetas që janë mbi moshën 70 vjeç, që nuk kanë mundur të punojnë.

•        Nxitja e Punësimit – Një tjetër program ku 250 mln lekë shkojnë vetëm dhe drejtpërdrejt për industrisë fasone.

 

II.      Cilat janë Prioritetet?

•        Nxitja e zhvillimit rajonal;  jepen në nivele historike 12.2 miliardë lekë me fokus ndryshimin rrënjësor të imazhit të qendrave të qyteteve dhe komunave, si edhe zgjerimin e përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore dhe ujësjellës-kanalizimeve.

•        Mbështetje më cilësore dhe sasiore për fermerët. Mjaft nga kolegët folën se është një paketë e tërë, e plotë, e cila është mbështetur 100%  në kërkesat e Ministrisë së Bujqësisë, asnjë kërkesë nuk u refuzua nga Ministria e Financave në mbështetje të fshatit.

•        Ujësjellës – Kanalizime: do doja të përmend vetëm një projekt madhor, që shkon në drejtim të Durrësit, për të mbështetur këtë zonë turistike.

•        Një tjetër drejtim është transporti rrugor,

       siguria rrugore, do të vazhdojë financimi i projekteve për rreth 20 miliardë lekë.

       do vazhdojë shlyerja e plotë e detyrimeve të prapambetura ndaj investitorëve në këtë sektor.

•        Një tjetër drejtim është nxitja e zhvillimit ekonomik, me përmirësimet që do të ketë, rankimi dhe lehtësimi i të bërit biznes në Shqipëri.

•        Shëndetësia: Ministri i Shëndetësisë i përmendi më në detaje projektet që do të mbështeten përgjatë vitit 2015

•        Arsimi: nuk do të doja të ndalesha gjatë, sepse ministrja përkatëse foli lidhur me këtë çështje.

•        Së fundmi, shlyerja e detyrimeve të prapambetura –Deri në fund të vitit 2014 do të shlyhen rreth 35 miliardë lekë, për vitin 2015 janë planifikuar të shlyhen 20 milionë USD detyrime të prapambetura.

 

III.    Shpenzimet publike:

•        Do të doja të qartësoja vetëm dy momente. Investimet kapin shifra tepër të larta;  5.4% të PBB shkon për investimet, dhe ne realizojmë më shumë shërbime me më pak para për qytetarin.

 

IV.    Po ku gjenden këto para?

Shpenzimet e planifikuara në buxhetin 2015 mbulohen në masën 87% nga të ardhurat dhe vetëm 13% nga deficiti. Parashikohet rritje e të ardhurave në vitin 2015, shumë më të larta nga 4 vitet e shkuara. Në vitin 2015, 2/3 e këtyre të ardhurave shtesë në buxhet vijnë nga lufta kundër evazionit, informalitetit, kontrabandës, rritje e eficencës së administratës tatimore dhe nga rritja ekonomike.

 

Kohët e fundit janë shfaqur shenja mosbesimi do të thoja me keqdashje, por ndoshta edhe natyrshëm nga publiku pasi u mësuan 4-5 vitet e fundit, që në mënyrë sistematike, asnjëherë, nuk u realizuan të ardhurat e premtuara.

Është e vërtetë që edhe qeveria e shkuar çdo vit parashikonte 40 mld lekë shtesë në të ardhura, sepse kaq i duheshin ekonomisë në fakt për të mbuluar të gjithë shpenzimet e domosdoshme dhe përmirësimet cilësore në ekonomi.

E vërteta është se kaq parashikuan në të 4 vitet e fundit, por sa realizuan?

Në fakt nga 1.5 miliardë USD që duhej të realizonin kanë realizuar më pak se 300 mln USD ose 5 herë më pak!

•        Por më e keqja është që dy vitet e fundit,  të ardhurat kanë pësuar ulje më të mëdha nga viti në vit!

•        Qeveritarët e shkuar kanë përdorur çdo mjet për ta fshehur këtë realitet:

       kanë privatizuar dhe në mënyrë të parregullt,

       kanë rritur taksat mbi karburantet, duhanin, automjetet, ilaçet dhe shërbimet shëndetësore; pra ulja e taksave ka qenë një mit, jo një realitet! E sot ç’nuk bëjnë për ta fshehur këtë realitet.

       kanë shpallur lloj-lloj fushatash për të mbledhur të ardhurat;

       kanë dyfishuar borxhin publik, e megjithatë nuk kanë arritur ta fshehin realitetin.

Sot jemi përballë faktit që të gjithë e dimë që në mënyrë sistematike nuk kanë arritur të realizojnë asnjë objektiv. Ndërsa krejt e kundërta është me 3-mujorin e katërt të vitit 2013 dhe për gjithë vitin 2014, të paktën deri tani.

 

Realizimet:

•        Vetëm për 10-mujorin janë realizuar 33.5 mld lekë (apo rreth 330 mln USD) më shumë se tetori 2013! Dhe deri në fund të vitit pritet të realizohen 390 mln usd më shumë!

•        Janë luftuar raste korrupsioni: vetëm nga Ministria e Financave janë mbi 150 çështje drejtuar prokurorisë për një dëm të shkaktuar vendit me rreth 100 milion USD.

•        Janë dyfishuar matësat elektronikë për pikat e karburantit, ka një rritje prej 30% të kuponëve tatimorë në numër; është rritur me rreth 40 mijë veta numri i të punësuarve vetëm gjatë kësaj periudhe 10-mujore të këtij viti.

E kuptoj që mundësitë janë edhe për më shumë dhe prandaj ne këto mundësi i kemi parashikuar në vitin 2015.

Së fundi pak fjalë për borxhin publik. Borxhi publik vërtetë po ulet gjatë vitit 2015. Ka mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje, nëse duhet apo jo. Ne si qeveri u zotuam për uljen e këtij borxhi dhe po e mbajmë këtë zotim. Po është thjesht një dëshirë? Jo, nuk është një dëshirë.

–        Ju kujtoj se çdo shqiptari, qeveria e shkuar në 8 vite qeverisje, s’bëri gjë tjetër veçse i 2-fishoi borxhin dhe doemos do të na mbetet ne në kurriz ashtu si dhe në ‘97, për të shlyer detyrime të marra në mënyrë zyrtare apo jozyrtare, për t’i shlyer ndaj të tretëve.

–        Vetëm pagesa e borxhit për vitin 2013 ishte  43.5 mld lekë, ose 18% më e madhe se shuma e investime me fonde të brendshme.

–        Nëse sot niveli i kostos në buxhet të borxhit është relativisht i ulët, për arsye se është shumë e ulët norma e interesit, nesër gjatë vitit 2015, 2016 me tendencat në rritje që kanë interesat në tregjet ndërkombëtare, por ndoshta dhe në Shqipëri, kostoja e buxhetit nga borxhi i mbartur do të rritej shumë herë dhe do të kthehej në një rrezik për ekonominë shqiptare. Kjo është edhe arsyeja kryesore që na është dashur që të shlyejmë borxhin, edhe pse e dimë që duke e lënë borxhin ashtu siç e lanë paraardhësit, do të kishim ca para më shumë për të bërë më shumë rrugë, më shumë spitale dhe shkolla.

Por paketa fiskale, ashtu siç tha dhe kryeministri dhe ministra të tjerë, përmban 19 masa, nga të cilat 3 janë në shtim të kostos dhe 16 masa janë në lehtësim të kostos për grupet e interesit.

Shumë shqetësohet opozita se katrahura do e gjejë vendin, ashtu siç u shqetësuan për vitin 2014, por në fakt ndodhi e kundërta dhe kështu do të ndodhë edhe për vitin 2015.

Të nderuar kolegë,  këtë buxhet natyrshëm që nuk e konsideroj “perfekt”. Nuk besoj se ekziston gjëkundi një i tillë. Por do ta quaj një buxhet që shikon në sy sfidat me të cilat përballet vendi, mbështet qartësisht reformat për ti përballur ato, tregon me ndershmëri se si do ti përballojë kostot, dhe garanton rritjen ekonomike, mirëqenien e vendit, por mbi të gjitha sheh nga e ardhmja.

Të rejat e fundit