Postuar më: 31/03/2014

Cani: Akreditimi në BE, tjetër besim për qeverinë shqiptare

Institucionet shqiptare,  do të menaxhojnë vetë në mënyrë të pavarur fondet e Bashkimit Evropian dhe jo sikurse ka ndodhur deri tani nëpërmjet  Delegacionit Evropian.  Vendimi i fundit i Komisionit Evropian i jep mundësinë qeverisë shqiptare të jetë përgjegjëse, për procedurat e prokurimit dhe zbatimit të projekteve. Janë rreth 64 milionë euro të cilat do të përdoren për zbatimin e 12 projekteve si pjesë e programit IPA-2013, miratimi i së cilit u bë disa javë më parë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha dhe Ministri i Financave z. Shkelqim Cani  përshëndetën këtë vendim duke e konsideruar vlerësim dhe shprehje e besimit për qeverinë shqiptare.

“Ky sukses është një dëshmi e një administrate shtetërore efiçente ku Brukseli mund të mbështetet pa asnjë ekuivok.  Gjithashtu do ta cilësoja një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare e cila duhet të vazhdojë rrugën e nisur duke përparuar me reformat,  për të garantuar mbi të gjitha më shumë siguri dhe progres për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Ministrja Gjosha në fjalën e saj.

Ministrja theksoi se suksesi i arritur, është në vijim të pikësynimeve që Qeveria shqiptare ka në përmbushjen e kushteve dhe objektivave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit . Kjo arritje,  sipas ministres është   gjithashtu, rezultat i një pune konkrete që vendi ynë  ka bërë në drejtim të plotësimit të  së një sërë detyrimesh.

Sigurisht që ky vendim nga strukturat përkatëse të BE arrihet pas një angazhimi maksimal të Qeverisë Shqiptare në krijimin e kuadrit ligjor e institucional dhe të një sistemi të përgjithshëm kontrolli dhe menaxhimi të IPA-s, i cili  përmbush kriteret e përcaktuara nga BE-ja për kalimin nga menaxhimi i centralizuar i asistencës financiare në menaxhimin e decentralizuar”, u shpreh Ministri i Financave z. Shkelqim Cani.

Ministri theksoi se  zbatimi më tej do të jetë një sfidë për strukturat e administratës shqiptare dhe qeveria shpreh angazhimin për mbështetjen e këtyre institucioneve në realizimin e kësaj sfide.

Fjala e plotë e Minisitrit të Financave, Shkëlqim Cani

Është kënaqësi e veçantë për mua, si Ministër i Financave të vendit, të jem pjesë e suksesit të procesit të akreditimit të strukturave tona manaxhuese të fondeve të BE. Sistemi i Menaxhimit të Decentralizuar ka një rëndësi të veçantë pasi përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe politikat e zhvillimit kombëtar.

Akreditim do te thotë  certifikim  kapacitetesh, me shume fonde, me shume vende pune dhe te ardhura, sepse BE na jep me shume besim dhe njeh  profesionalizmin e strukturave tona manaxhuese. Ky lajm shpreh besimin e madh që institucionet ndërkombëtare  (në veçanti dhe në këtë rast BE) kanë ndaj kësaj qeverie, pasi akreditimi vjen pas auditimit të strukturave shqiptare nga autoritetet e Komisionit Evropian dhe kuptohet pas përmbushjes prej nesh të rekomandimeve të tyre.

Kam privilegjin, por edhe përgjegjësinë e madhe, të jem në këto 6 muaj interlokutori kryesor në negocimin dhe nënshkrimin e mjaft marrëveshjeve të rëndësishme edhe me donatorë të tjerë strategjikë si BB dhe FMN, që së bashku me BE përbëjnë mbështetësit kryesor të programit tonë politik.

Sigurisht që ky vendim nga strukturat përkatëse të BE arrihet pas një angazhimi maksimal të Qeverisë Shqiptare në krijimin e kuadrit ligjor e institucional dhe të një sistemi të përgjithshëm kontrolli dhe menaxhimi të IPA-s, i cili  përmbush kriteret e përcaktuara nga BE-ja për kalimin nga menaxhimi i centralizuar i asistencës financiare në menaxhimin e decentralizuar.

 

Angazhimi i Qeverisë Shqiptare ka konsistuar gjithashtu në krijimin e strukturave profesionale përkatëse në çdo ministri dhe në përgatitjen e tyre për menaxhimin e këtyre fondeve, gjë e cila tregon gatishmërinë për të arritur rezultatet konkrete në procesin e integrimit evropian.

 

Zbatimi më tej do të jetë një sfidë për strukturat e administratës shqiptare dhe qeveria shpreh angazhimin për mbështetjen e këtyre institucioneve në realizimin e kësaj sfide.

 

Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj  strukturat e BE-së për ndihmën dhe mbështetjen e gjithanshme, strukturat dhe stafet e menaxhimit të decentralizuar në ministritë përkatëse, për kontributin e padiskutueshëm në suksesin e marrjes të së drejtave nga Bashkimi Evropian për menaxhimin e decentralizuar të fondeve IPA, Komponenti i I-rë. Vetë menaxhimi i fondeve IPA do të bëjë të mundur që Shqipëria në të ardhmen të menaxhojnë në mënyrë efiçiente Fondet Strukturore dhe ato të Kohezionit që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian përfitojnë.

Të rejat e fundit