Postuar më: 17/09/2015

Cani: Të vendosur në reformën kundër informalitetit

Në kuadër të operacionit kundër informalitetit në ekonomi, sot u nënshkrua në Sallën e Hartave në Kryeministri, Memorandumi i Bashkëpunimit në luftën kundër evazionit dhe informalitetit, mes tre institucioneve: Ministrisë së Financave, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje këto institucione dhe hallkat e tyre dakordësojnë një platformë bashkëpunimi permanente, në funksion të hetimit në fushën financiare.
Marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Më poshtë fjala e plotë e ministrit të Financave, z.Shkëlqim Cani në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në luftën kundër evazionit dhe informalitetit:

Siç jeni të njohur, ka javë që ka filluar në front të gjerë një reformë anti-informalitet. Sot kemi një pjesë të operacioneve që zhvillohen në këtë kuadër. Së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, ministrin e rendit, ne do të nënshkruajmë një Memorandum     Bashkëpunimi ku hetimi tatimor dhe ai doganor, së bashku me prokurorë të veçantë dhe me pjesëtarë të policisë së krimit ekonomik, do të realizojnë sa më shpejt hetimin e ngjarjeve, dokumentimin e fakteve dhe, për pasojë, (si të jetë rrjedha), edhe sekuestrim apo ndjekje penale të personave, të cilët dalin jashtë kritereve të zbatimit të ligjit dhe kryejnë veprimtari të papranueshme.
Në këtë reformë kërkojmë mirëkuptimin e biznesit që të mos kujtojë se është një çështje që ndizet dhe do të shuhet për çështje javësh apo muajsh. Kjo do të vijojë në vazhdimësi, në vite, në zbatim të detyrimit që kemi që gjithsekush që ka detyrim ligjor për të paguar, të paguajë.

Së fundi, më duhet të falenderoj të gjithë bizneset, duke filluar nga bizneset të mëdha , por edhe ato të vogla, që na kanë mirëkuptuar deri tani në këtë reformë dhe në fakt i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për t’u përshtatur me pjesën tjetër. Mund t’ju përmend që vetëm në dy muajt e fundit, regjistrimet nga bizneset e reja  janë jo më pak se 15 mijë dhe mendohet që deri në fund të vitit do të jenë jo më pak se 30 mijë, çka do të thotë 30% më shumë biznese aktive; po kështu ka në një ditë marrje kasash aq sa më parë merreshin në një muaj; kuponi tatimor ka një rritje me 50%, por edhe ajo që u përket bizneseve të mesme në fakt, kemi fatura tatimore që janë rritur në mënyrë të ndjeshme.
Besoj se ka regjistrime të reja edhe të punonjësve në biznese dhe në vijim me klimën që kemi pasur te biznesi, ne do të jemi në gjendje të realizojmë të gjitha objektivat, që në fund shqiptarët, si gjithë evropianët, të kenë shkallë të lartë zbatueshmërie të ligjit, në rastin konkret në fushën e tatim-taksave.

Faleminderit!

Të rejat e fundit