Mirëmbrëma të nderuar përfaqësues të bletëve punëtore, të dhjetëra mijëra bletëve punëtore që nuk janë sot të pranishme në këtë sallë, të cilat i falenderoj për punën e tyre të përditshme.
Të nderuar kolegë, miq,
Duket se organizatorët kanë menduar mirë për këtë mbrëmje; e kanë futur skenarin në “dallgë”, ku në maja qëndrojnë emocionet e atyre që japin dhe marrin çmime, doemos që ka bukurinë e madhe edhe pjesa e artit, e fusin edhe pjesën e burokracisë, si kjo fjala ime.
Një falënderim nga zemra shkon pa përjashtim për gjithë biznesin shqiptar, i cili me rolin e tij themelor ka realizuar të mirat për vendin dhe punësimin. Mbrëmja e sotme nuk do të kishte vlerën e duhur, nëse të gjithë ne, ministrat apo qeveria në tërësi, nuk do t’ju shihte me mirënjohje si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari të vështirë. Është e natyrshme që gjatë këtij viti, me gjithë vështirësitë e veta, Qeveria është përpjekur për konsolidimin e ekonomisë dhe për të vënë nën kontroll treguesit makro. E thënë në një publik më të gjerë, do të ishte më e vështirë për të më kuptuar, por biznesi e ka më të lehtë të kuptojë sa e vështirë është për ta vënë nën kontroll ekonominë dhe treguesit makro, por mirëkupton edhe dobinë e kësaj kostoje jo të lehtë për qeverinë, por edhe për ju, sepse, të vendosësh nën kontroll treguesit makro, është një punë titanike, por e domosdoshme, për arsye se biznesi nuk mund të shohë nga zhvillimi, nga e ardhmja, nga investimi, nëse treguesit makro nuk do të jenë nën kontroll.
Por më lejoni që të ndalem në vitin 2014-2015 dhe t’i përziejë bashkë se çfarë është përpjekur Qeveria dhe Ministria e Financave, në bashkëpunim me biznesin, të realizojë:
– Janë një sërë reformash të cilat kanë koston e tyre, por, nga ana tjetër, jemi përpjekur të realizojmë lehtësira për biznesin. Kolegu tha se është krijuar KEK, por është gjithashtu edhe Këshilli Tatimor,i cili ka qenë çdo ditë në mirëkuptim, në diskutim, në debate, nganjëherë edhe të forta, për shkëmbim mendimesh, dhe në fund ne kemi arritur që sot të jenë 22 masa lehtësuese, të cilat kanë pasur një përfitim nga biznesi prej 11.25 miliardë lekë. Janë edhe 23 masa të tjera lehtësuese, vlerën e të cilave ne nuk mund ta masim, nuk e themi dot sot për sot, por që kanë vlerën e tyre në lehtësim të barrës të të bërit biznes në Shqipëri.
– Shlyem, deri tani, 300 mln USD nga detyrimet e prapambetura, por janë dhe 100 të tjera që besoj se do realizohen deri në ditët e fundit të vitit dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit do të jetë për 400 mln USD. Paratë për 10 mld lekë ose 100 mln USD janë në Thesar dhe presin biznesin për t’i marrë.
– Për të mos krijuar hapësirë për detyrime të prapambetura kemi hartuar strategjinë që në ardhme të eleminojmë çdo detyrim ndaj biznesit.
– Vitin 2015 e kemi vit të luftës së hapur kundër informalitetit. Kështu që, së bashku, do të realizojmë një punë edhe shumë më të mirë në promovim të biznesit të ndershëm, në promovim të atij biznesi që i takon e ardhmja.
– Janë realizuar trajnime të thelluara të administratës tatimore dhe doganore. Duket sikur është vetëm përfitim i yni, por, në fakt, është i përbashkët, sepse biznesi do të ballafaqohet me një administratë më të kualifikuar, më të kultivuar, më etike.
– Siç jeni në dijeni, në 1 janar 2015 fillon zbatimi i Kodit të ri Doganor dhe ligjit të ri të TVSh-së, të dy sipas standardeve të përparuara evropiane.
– Në 1 janar fillon nga puna E-Tax, sistemi i ri informatik për tatimet me një përmirësim të thellë nga paraardhësi duke pasur në fokus lehtësimin në maksimumin e mundshëm të procedurave tatimore.
– Fillon projekti “Një dritare e vetme” në sistemin doganor dhe kujtojmë se pak javë më parë filluam procedurat e reja për një Operatorë Ekonomik të Autorizuar dhe, brenda tremujorit të parë të vitit 2015, maksimumi muaji prill, të tjerë operatorë ekonomikë të autorizuar do t’i bashkëlidhen ose do të ndjekin atë biznes të parë, bletën e parë të artë. Jemi të sigurt që edhe sot kishte me dhjetëra bletë që e meritonin, por si çdo rast, ka vetëm një fillim.
Vitin që po mbyllim, janë kryer jo pak reforma, reforma të cilat kanë pasur jo pak dhimbje, por jemi të vendosur për të tjera reforma në të mirë të ekonomisë, në të mirë të biznesit.
Në mbyllje do të doja që t’i bëja një ftesë biznesit: Mos prisni fundin e vitit për të bërë të tjera përmirësime në marrëdhënien administratë-biznes. Jemi të gatshëm të mirëpresim çdo sygjerim tuaj me një kusht, për të na lehtësuar punën neve buroktarëve; përgatisni edhe aktin ligjor dhe nënligjor përkatës, na e sillni në mënyrë që bashkërisht të kalojmë jo 45 masa lehtësuese që kemi bërë deri më tani, por dhe 450 po qe e mundur.
Suksesi i biznesit, suksesi juaj, në fakt, është për t’u admiruar dhe ne ju mbështesim edhe për një arsye të thjeshtë: suksesi juaj është suksesi i ekonomisë shqiptare dhe i qeverisë shqiptare.
Ju uroj një vit të ri të gëzuar plot suksese në biznes dhe në familjet tuaja!
Ju faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.