Postuar më: 01/03/2019

Deklaratë për mediat mbi situatën e krijuar ne bashkinë Skrapar

Lidhur me situatën e krijuar në Bashkinë e Skraparit (Ҫorovodë), Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur nga afër ҫdo zhvillim në këtë bashki.

Ministria e Financave nuk ka asnjë përgjegjësi për bllokimin e buxhetit dhe nga të gjitha informacionet që disponon shkaktar kryesor për këtë situatë është Kryetari i Bashkisë.

Në bazë   të   Ligjit   për   Vetëqeverisjen   Vendore   dhe   Ligjit   për   Financat   Vendore,   Këshilli   i  Bashkisë, Skrapar me datë 04.01.2019, ka bërë miratimin e buxhetit për vitin 2019. Në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, ky vendim është konfirmuar nga Prefekti i Qarkut Berat.

Sipas pikës 2 të nenit 43 të ligjit 68, datë 27.04.2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, nëpunësi autorizues që në rastin konkret është Kryetari i Bashkisë Skrapar, duhet të dërgojë në degën  e   thesarit   detajimin   e   buxhetit   të   vitit   2019,   sipas   vendimit   të   Këshillit. Pretendimi i Kryetarit të Bashkisë, Skrapar për përdorimin e buxhetit të përkohshëm vendor për vitin 2019, 1/12 e shpenzimeve të një viti më parë është në kundërshtim me ligjin për sa kohë që këshilli i kësaj bashkie është shprehur me një vendim për miratimin e buxhetit të vitit 2019.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë i është drejtuar Kryetarit të Bashkisë, Skrapar përmes shkresës nr. 1250/1, datë 04.02.2019, të bëjë detajimin e buxhetit dhe ta dërgojë atë për zbatim në degën e thesarit Skrapar.

Në vijim, MFE bën sërish me dije se fondet janë të disponueshme në thesar dhe presin vetëm kërkesën e Kryetarit të Bashkisë për detajimin e buxhetit. Pa këtë detajim, që vetëm Kryetari i Bashkisë ka të drejtën në bazë të ligjit për ta dërguar si nëpunësi autorizues i bashkisë, thesari është në pamundësi ligjore të çeljes të fondeve.

I bëjmë edhe njëherë thirrje Kryetarit të Bashkisë Skrapar, për dorëzimin e detajimit të buxhetit të miratuar sipas ligjit dhe mosbërjen pengesë për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët e kësaj bashkie.

Në këto kushte, për krijimin e kësaj situate, bazuar në kuadrin ligjor Ministria e Brendshme si autoriteti qëndror përgjegjës për pushtetin vendor, përmes Drejtorisë së Çështjeve Vendore dhe Prefekturave ka nisur procedurat për inspektimin e të gjithë praktikës të dokumentacionit për këtë rast dhe në ditët në vijim merret një vendim për zgjidhjen.

Ministria e Financave do të bëjë çeljen e fondeve menjëherë sapo të depozitohet detajim i buxhetit sipas ligjit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë siguron gjithashtu të gjithë qytetarët e vendit se ajo vepron bazuar në ligj për të gjithë shtetasit njësoj pa dallim.