

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Korcës, Sotiraq Filo, ku diskutoi mbi masat e marra nga Qeveria në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, për të përballuar efektet e pandemisë Covid 19.
Gjatë këtij takimi Ministrja theksoi se si biznesi i madh mund të ndihmohet me incentivat që po kordinohen edhe me planin e rimëkëmbjes. Aktualisht në Korçë janë 4.500 biznese dhe mbi 10.000 qytetarë, të cilët janë përfitues të paketave 1 edhe 2.
“Ato janë politika ekonomike të cilat ndërthurin garancitë, por edhe 2 skemat e garancisë: Garancia e parë sovrane, e cila deri më tani është përdorur mbi 50% dhe garancia e dytë sovrane, ku të dyja së bashku me një shumë totale rreth 220 milionë euro që janë në ndihmë të biznesit të madh. Sigurisht, kjo ndihmë është hua dhe unë e di qasjen e bizneseve që huaja nuk është e vetmja ndihmë, por në këtë moment nevoja për likuiditet adresohet shumë mirë prej tyre”, u shpreh Ministrja.
Ministrja bëri me dije se ndërkohë është duke u punuar për skemat e rritjes së punësimit, kombinimin e granteve me garancitë, në mënyrë që çdo ndihmë për biznesin e madh të shkoj paralelisht me një përfitueshmëri, e cila do të jetë e lidhur me automatizimin dhe digjitalizimin e industrive përkatëse, ashtu edhe me rritjen e punësimit. “Këto janë procese të cilat nuk ndodhin brenda një muaji apo një jave, por ndarja e qasjeve që kemi si pushtet qendror me objektivat e pushtetit vendor”, tha Denaj.
Gjithashtu Ministrja informoi se janë 5 institucione në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë që jane futur në shërbimin online, me synimin që deri në fund të vitit 94% të të gjithë shërbimeve të ndodhin nëpërmjet sportelit virtual.
“”Pandemia na tregoi akoma më shumë sesa e nevojshme është marrëdhënia me industrinë digjitale të mos na trëmbi dhe të ri-organizojmë marrëdhëniet edhe përtej pandemisë. Ne nuk shikojmë vetëm aftësinë e kohës për të dhënë një shërbim. Shumica e sporteleve të ISSH-së në Tiranë, kanë pasur prej kohës radha të gjata dhe individë të moshuar të cilët prisnin prej dy orësh, kur këtë shërbim ne duam që të ndodhë ndryshe. Shërbimi më i rëndësishëm nuk është vetëm pritja e reduktuar, por fakti që 2/3 e dokumentacionit që është brenda shërbimit online, janë dokumenta që janë brenda administratës publike dhe nuk mundet që një qytetar, qoftë ai i një moshe të caktuar, të presi dy orë në sportele sepse shërbimi qytetar fillon dhe krijon problematikën e kostos së kohës, për biznesin kjo është kosto e drejtpërdrejtë”, tha Ministrja .
Ministrja rikonfirmoi se nuk ka akoma një paketë të tretë ndihme, por një zgjerim të paketës së dytë, pasi ekonomia u hap prej datës 18 maj dhe fokusi tashmë është në politika të organizuara dhe të kordinuara mes të dy qeverive, duke parë përpara rimëkëmbjen dhe ringritjen e ekonomisë.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.