Postuar më: 01/07/2021

Denaj në takimin e Bordit të Guvernatorëve të BERZH: Mirëpresim bashkëpunime për zhvillimin e sektorëve jetikë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në Takimin e 30-të Vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në fjalën e saj të mbajtur në këtë takim Ministrja tha, se Shqipëria mbështet perspektivën ambicioze të BERZH për të ardhmen, në një kohë që axhenda e BERZH përbën dhe përpjekjen e përbashkët për të përshpejtuar transformimin dixhital dhe për të përmirësuar konvergjencën me angazhimet globale sipas marrëveshjes së Parisit.

Në kuadër të integrimit europian, Ministrja Denaj theksoi,  se Shqipëria është e angazhuar në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila është e fokusuar në investime moderne, të gjelbra dhe të fokusuar te njerëzit.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja vlerësoi mbështetjen që BERZH ka dhënë për vendin tonë në vite për sektorë si energjia dhe transporti, duke nënvizuar, se ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë i frytshëm në të ardhmen në drejtim të veprimeve të përbashkëta klimatike dhe zgjidhjeve të qëndrueshme në vendet ku BERZH operon dhe ekonomitë e tyre.

Aktualisht BERZH  llogarit rreth 1.6 miliardë euro investime në Shqipëri në sektorë të ndryshëm.

Gjatë këtij takimi u theksua se axhenda e përbashkët reflekton angazhimin drejt integrimit europian me fokus axhendën e gjelbër, transformimin dixhital dhe zvogëlimin e hendekut gjinor.

Gjithashtu gjatë këtij takimi u theksua vijimi i bashkëpunimin për të garantuar zbatimin e projekteve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.