Postuar më: 21/10/2020

Denaj prezantoi në Konferencën e Kryetarëve  projektligjin “Për buxhetin e shtetit 2021”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare dhe të Komisioneve Kuvendore projektligjin “Për buxhetin e shtetit 2021”.

Ministrja informoi mbi prioritetet e buxhetit të vitit të ardhshëm, ku kryefjala ishte rimëkëmbja ekonomike, që vjen si vullnet i palëkundur i Qeverisë, për të përballuar me sukses dy fatkeqësitë natyrore që kanë goditur vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme gjatë fundit të vitit 2019 dhe fillimvitit 2020: tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

“Pritshmëria jonë mbi rritjen ekonomike në fund të vitit 2020 është parashikuar në nivelin -6.1%. Për vitin 2021 parashikohet qe ekonomia shqiptare do të rikthehet në trendin normal të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku parashikohet një rritje prej 5.5%”, u shpreh ministrja gjatë prezantimit  të ligjit më të rëndësishëm financiar .

————————————————————

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj

I nderuar Kryetar i Kuvendit, të Nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare dhe të Komisioneve Kuvendore!

Kryefjala e projektbuxhetit 2021 që kini në dispozicion për shqyrtim, është rimëkëmbja ekonomike, që vjen si vullnet i palëkundur i Qeverisë, për të përballuar me sukses dy fatkeqësitë natyrore që kanë goditur vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme gjatë fundit të vitit 2019 dhe fillimvitit 2020: tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19.

Pritshmëria jonë mbi rritjen ekonomike në fund të vitit 2020 është parashikuar në nivelin -6.1%. Për vitin 2021 parashikohet qe ekonomia shqiptare do të rikthehet në trendin normal të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku parashikohet një rritje prej 5.5%.

Niveli i lartë i rritjes ekonomike i parashikuar për 2021 do të përkthehet në më shumë punësim dhe njëkohësisht në ri-marrjen e punësimit dhe rënie të nivelit të papunësisë në 12.2% në 2021 krahasuar me 13.9% që pritet në fund të vitit 2020. Në këtë kontekst, projektbuxheti 2021 do të vijojë të mbështesë nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës me politika incentivuese fiskale si dhe me skema më efektive të punësimit dhe aftësimit profesional.

Më lejoni t’ju prezantoj shkurtimisht logjikën mbi të cilën janë bazuar pritshmëritë tona për rritjen ekonomike dhe nivelin e borxhit publik:

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 rezultoi një rënie ekonomike në nivelin e minus 6.57%.

Nga pikëpamja e ofertës agregate, kontribut pozitiv në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 dhanë degët:

  • Bujqësia, pyjet dhe peshkimi me rritje 3.0% dhe
  • Aktivitete të pasurive të paluajtshme me rritje 4.2%.

Degët e tjera të ekonomisë kanë pasur rënie dhe kontribut negativ,:

  • Tregtia me shumicë dhe pakicë me rënie -16.1
  • Aktivitete financiare dhe të sigurimit me rënie -14.6;
  • Aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike me rënie -14.1;
  • Ndërtimi me rënie -13.8%;
  • Industria me rënie -8.6% në terma real

Qëndrueshmëria e financave publike përbën një fondament tjetër shumë të rëndësishëm për perspektivën e ekonomisë, ndoshta më të rëndësishmin për tipologjinë e ekonomisë shqiptare, si dhe në kontekstin e një sensitiviteti të lartë lidhur me këtë fondament, sidomos që prej krizës së fundit financiare globale.

Në vitet e fundit financat publike kanë hyrë në një trajektore të sigurt dhe optimale të konsolidimit fiskal, e materializuar në parametrat më kyç të qëndrueshmërisë.

Në vitin aktual 2020 deficiti i përgjithshëm buxhetor pritet të shënojë 6.8% dhe 6.5% në vitin 2021. Megjithatë ky zgjerim i deficitit fiskal do të jetë i përkohshëm dhe i targetuar mirë për të amortizuar ndikimin e dy goditjeve.

Njëkohësisht, në afatin e mesëm në vijim synohet dhe programohet ruajtja e një niveli të investimeve publike në rreth 5 përqind të PBB në vitet 2021-2023, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2021, parashikohen të arrijnë 479 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliard lekë dhe brenda këtij zëri të ardhurat tatimore, të  ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliard lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliard lekë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 10.6 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat rriten 12.2 %.

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2021 të programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë: arsim, shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti.

Shpenzimet e Personelit për vitin 2021 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë atë të shëndetësisë dhe arsimit. Fondi vjetor për rritjen e pagave në këto dy sektorë është në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit në sektorin e shëndetësisë, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar  në masën 91.87 miliardë lekë ose 5.5% e PBB.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 parashikohen në masën 45.9 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si skema e fermerëve, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimi i sportit.

Gjithashtu, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliardë lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 43.8 miliardë lekë ose 2.6% të PBB, kjo për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, por edhe ato nacionale.

Subvencionet janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare. Këtë vit rritja e subvencionit i dedikohet e gjitha programeve të nxitjes së punësimit.

Shpenzimet e fondeve speciale, në të cilat përfshihen shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën e 179.98 miliardë lekë për vitin 2021:

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë ose 8.6% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar vlera prej 2.4 miliardë lekë;

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 është parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 43.8 miliardë  që ka qenë dhe është e pritshme për vitin 2020.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën e 3 miliardë lekë ose 0.2% e PBB.

Shpenzime të tjera sociale përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë që pritet të shkojnë në nivelin 800 milionë lekë.
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 22.2 miliardë lekë ose 1.3% e PBB.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë.
  • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.

 

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2021, parashikohet në masën 4 miliardë lekë, përkatësisht 2 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 1 miliardë lekë fond kontigjence për mbështetjen e procesit zgjedhor dhe 1 miliardë lekë fond rezervë për studime dhe projektime për projektet e investimeve publike strategjike që do të zhvillohet përgjatë vitit 2021.

Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën e 7.2% e PBB, më lejoni të theksoj që kjo është rritja dhe kontributi më i madh  në këtë zë për dhjetë vitët e fundit. Sigurisht ne do të ndalojmë pak më vonë edhe në fondin e rindërtimit, ku një pjesë e rëndësishme në këtë zë është ky fond, por duhet ta theksojmë që është një vit , ku këto shpenzime janë shpenzime, të cilat kanë përqindje më të lartë në raport me PBB, duke e përkthyer në shifra 120.6 miliardë lekë

Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë, dëshiroj ta shtjelloj prezantimin tim duke filluar me Arsimin:

Arsimi Parauniversitar:

  • Dhënia e teksteve shkollore falas për klasa 1-7, si dhe në vitin 2021 për klasat e 8-ta dhe 9-ta;
  • Kompensimi, në masën 100 % fëmijëve që vijnë nga familje që i përkasin shtresave vulnerabël apo minoriteteve;
  • Sigurimi i transportit të 30-32 mijë nxënësve për ndjekjen e arsimit parashkollor
  • Projekte për ndërtime të reja, rikonstruksion, rindërtimin shtesa në objektet aktuale të arsimit parauniversitar, ku parashikohen të financohen për më shumë se 150 objekte arsimore, me rreth 2000 klasa dhe laboratorë mësimore, ku parashikohet të përfitojnë diku tek 60,000 nxënës dhe 4 500-5 500 mësues dhe edukatorë.

Arsimi i lartë:

  • Rritja e cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet kualifikimit shkencor të stafit akademik me 5% deri 10% në vit dhe nëpërmjet rritjes së numrit të stafit akademik me kohë të plotë duke synuar uljen e raportit pedagog/student në 1/24;
  • Pakti për Universitetet përmes financimit me përparësi për ringritjen dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe investimeve në kampuset universitare, si dhe Fondi i mbështetjes  studentore, për të mbuluar shpenzimet për bursat e studentëve nga  shtresat sociale në nevojë, si dhe studentëve ekselencës dhe përjashtimi apo reduktimi i tarifave vjetore të shkollimit për studentët e ekselencës apo studentët e kategorive sociale.

Shëndetësia, financimi do të mbetet në nivelet 2.9% e PBB mesatarisht kjo edhe për vitin 2021-2022, ku përveç rritjes së pagave, që përmendëm pak më lart, do të ketë dhe do të jenë shpenzimet dhe investimet në infrastrukturë dhe shërbim ku mbulimi universal i popullsisë me shërbim shëndetësor duke parashikuar 6.4 milionë numër vizitash në periudhën 2021-2023, mbështetur në treguesit e sëmundshmërisë.

  • Ofrimi i shërbimit të kontrollit për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit;
  • Trajtimi me recetë rimbursimi i mesatarisht 400 mijë pacientëve në vit, përgjatë periudhës trevjeçare.
  • Rritja e numrit të pacientëve që përfitojnë nga paketat e kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë;
  • Numri i pacientëve përfitues nga shërbimi i dializës për vitin 2020 është 1,346 pacientë, e çdo vit shtohen rreth 150 pacientë.

Bujqësia do të vazhdojë të përfitojë në terma realë 0.8% të PBB për periudhën 2021 synohet:

  • Shtimi i numrit të përfituesve nga skema e masave mbështetëse në bujqësi nga 2300 përfitues në vitin 2020 në 2400 përfitues në vitin 2021, 2450 përfitues në vitin 2022 dhe 2500 përfitues në vitin 2023.
  • Mbi 80 mijë fermerë të regjistruar përfitues potencial nga skemës së re të lançuar së fundmi për rimbursimin dhe përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe karbonit.

Në infrastrukturë synohet:

  • Rritja e sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare ku ulja e numrit të aksidenteve është prioritet dhe numri i pikave të zeza me 25%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit;
  • Kompletimi i Rrugës së Arbrit dhe nisja e projektit të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë;
  • Avancimi i punimeve në segmentet rrugore si: Kardhiq – Delvinë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës;
  • Kompletimi i segmenteve rrugore brenda 2021 me financim të huaj si: By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë;
  • Vënia në funksion e Aeroportit të Kukësit si dhe vijimi i punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës;
  • Mesatarja e orëve të furnizimit me ujë të pijshëm në rang kombëtar nga 12.1 orë në vitin 2013 në 20.5 orë në vitin 2023. (për vitin 2021 18.1 orë)
  • Mesatarja e orëve të furnizimit me ujë të pijshëm në zonat Urbane nga 11 orë në vitin 2013 në 23.1 orë në vitin 2023. (për vitin 2021 21.5 orë)
  • Mbulimi me shërbim furnizimi me ujë të pijshëm zonë Rurale 62% në vitin 2023 nga 59% në vitin 2019;

Jo pa qëllim, kam lënë në fund fondin e rindërtimit, pasi sikurse thashë pak më lart është një nga zërat që ka marrë një vëmendje  të konsiderueshme, jo vetëm në vitin 2020, por do të vijojë të ketë një vëmendje të konsiderueshme , edhe në vitin 2021

Në këtë projektbuxhet parashikohet 28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. Krahas kësaj shume, që përballohet nga buxheti i shtetit është parashikuar dhe një fond prej 1.5 miliardë lekë për përballimin e bonusit të qerasë për familjet e mbetura të pastreha.

Më lejoni të rikujtoj se për këtë vit, vitin 2020 ky bonus është parashikuar në vlerën e 3 miliard lekësh.  Sigurisht mendohet që, si rezultat i gjithë procesit gjatë vitit 2020  do të sigurojë një alokim në banesat e ndërtuara për gjatë vitit të ardhshëm, fondi i bonusit do të ulet për vitin që vjen.

Buxheti I rindërtimit do të mundësojë:

  • 3470 banesa individuale;
  • 4646 banesa kolektive;
  • 145 objekte arsimore;

Si dhe gjithë infrastrukturën shoqëruese të nevojshme për vënien në funksion të plotë të tyre

Së dyti, përballimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19

Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën Anti-COVID dhe do të garantojë një menaxhim sa më të mirë dhe efikas të pandemisë COVID 19 (Sigurisht tek kjo shumë nuk parashikohet shuma e rritjes së pagave që unë e përmenda pak më parë).

Për të kaluar tek Shpenzimet për Buxhetin Vendor  ku decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritet dhe është një nga pikat kyçe të qeverisjes shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz të decentralizimit.

Përmes buxhetit të vitit 2021, do të vazhdojë mbështetja financiare për reformën në arsimin parashkollor me synim konsolidimin e një skeme financimi të përshtatshme dhe efektive që synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë të këtij shërbimi.

Reforma për financimin e funksionit të arsimit parashkollor do të vazhdojë të sigurojë në vitin 2021:

–           Uljen e madhësisë së grupeve/klasave të fëmijëve në kopshte nga raporti aktual mesatar 18 fëmijë për një edukatore në raportin 15 fëmijë;

–           Ruajtjen e nivelit aktual të fondeve për ato bashki, të cilat rezultojnë të kenë një numër relativisht “të lartë” edukatoresh për numrin e fëmijëve të regjistruar në kopshte, krahasimisht me bashkitë e tjera;

–           Një ndarje më të drejtë të fondeve për pagat e edukatoreve, duke zbutur diferencat ndërmjet bashkive për sa i përket raportit fëmijë për edukatore.

Kostoja e kësaj reforme është 327 milion lekë, dhe mbulohet nga transferta e pakushtëzuar për bashkitë për vitin 2021, garanton kështu shërbimin dhe vazhdimin e shërbimit të mbi 400 edukatorëve shtesë, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në kopshte.

Në buxhetin e vitit 2021, njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milion lekë. Ky fond është shpërndarë me një formulë, e cila bazohet në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive. Pjesën tjetër të fondit bashkitë mund ta sigurojnë nëpërmjet përdorimit të fondit rezervë dhe të kontigjencës ose/dhe pjesë nga buxhetet e tyre (transferta e pakushtëzuar dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore). Ky fond i akorduar njësive të vetëqeverisjes vendore së bashku me fondin që këto do të adresojnë përbën fillimin e një reforme të rëndësishme për mbrojtjen civile.

Duke e mbyllur fjalën time, shpresoj që të mos kem marrë të gjithë  kohën dhe sigurisht që do të ketë dhe pyetje dhe jemi të gatshëm për të gjitha përgjigjet, dëshiroj t’ju ri-sjell në vëmendje 2 objektivat madhore të qeverisë që kërkojnë të realizohet nëpërmjet projektbuxhetit 2021, që është ai i rimëkëmbjes ekonomike dhe rikthimi në rrugën normale të rritjes ekonomike të përkthyer në mirëqenie më të lartë për qytetarët, si dhe konsolidimin fiskal në periudhën afatmesme.

______________________________________________________________________________________________