Postuar më: 03/07/2020

Denaj: Qasje kombëtare për të adresuar nevojat e grave per punësim në periudhën e pandemisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në takimin virtual të Bordit Këshillues të Bankës Botërore për Çështjet Gjinore dhe Zhvillimin, ku u diskutua ndër të tjera mbi qasjen kombëtare për të adresuar nevojat e grave dhe vajzave shqiptare në periudhën e pandemisë.

Gjatë këtij takimi Ministerja Denaj u shpreh se periudha e izolimit na rikujtoi rëndësinë që gruaja ka për ekonominë shqiptare.” Efekti i diferencës në paga mes burrave dhe grave dhe pjesëmarrja më e ulët e gruas në tregun e punës i kushtojnë ekonomisë shqiptare çdo vit rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Denaj.

Denaj vlerësoi, se vëmendja për rolin e gruas në komunitet dhe veçanërisht në tregun e punës dhe botën e biznesit është e shtuar veçanërisht në kohën e pandemisë.

Megjithatë gjatë kësaj kohe, theksoi Ministrja, rezultatet dëshmojnë se gratë e kanë pasur më të lehtë rikthimin në tregun e punës, pas rihapjes së ekonomisë në krahasim me meshkujt, me rreth 58%.

Deri më sot, rreth 44% e përfituesve të ndihmës së shpërndarë nga Qeveria Shqiptare përmes Paketave ishin gra dhe vajza.

“Së bashku me Bankën Botërore dhe Bordin Këshillues të saj, ku pata kënaqësinë të përfaqësoja Shqipërinë, do të ndjekim hapat edhe në nivel kombëtar për integrimin e plotë të gruas në jetën ekonomike dhe sociale, edhe në sektorët më të vështirë”, vlerësoi Ministrja Denaj.