Përfitoj nga rasti për të falënderuar Bankën Botërore, jo vetëm për ndihmën gjeneroze financiare, pasi siç jeni në dijeni nënshkruam dy marrëveshje ditët e fundit, në këtë moment kritik për ekonominë shqiptare, por në veçanti edhe për mbështetjen dhe ekspertizën e gjerë që Banka Botërore na ka dhënë gjatë tërë kohërave në sektorë kyç të ekonomisë.
Falënderoj gjithashtu ekipin e angazhuar në prodhimin e këtij dokumenti kaq të rëndësishëm, për ne, jo vetëm si Ministri Financash, por më gjerë për ekonominë shqiptare.
Raporti që do të prezantohet vjen në kohën e duhur, kur menaxhimi i financave publike kërkon një përqasje të re. Financat publike në fakt duhet të shohin rimëkëmbjen ekonomike, si dhe konsolidimin fiskal; Mund të ketë ekspertë, të cilët i gjykojnë këto ide thuajse të pamundura, por alternativa e thellimit të borxhit për të dalë nga situata provoi që nuk ishte zgjidhja optimale, ndërkohë që u rrit borxhi dhe u krijua një kosto e lartë për ekonominë, kur në fakt këto para mund të ishin përdorur më mirë dhe në mënyrë produktive, si dhe u shoqëruan edhe me risqe të tjera shtesë nga ekonomitë e vendeve përkatëse, përfshi edhe Shqipërinë.
Kuptohet që në këto kushte kur rreziqet për ekonominë shqiptare u rritën së tepërmi dhe kur kostoja dhe eficienca e shpenzimeve në ekonomisë shqiptare nuk ishin ato të duhura, natyrisht që lind ideja që duhen gjetur rrugë të reja më efektive për mbështetjen e rritjes ekonomike.
Siç thekson dhe raporti i sotëm, alternativa më e mirë për rritjen e qëndrueshme ekonomike mbetet:
Më lejoni të ndalem shkurtimisht në disa prej këtyre momenteve
Parashikimet makroekonomike
Një burim i madh rreziku dhe ineficience të financave publike lidhet me saktësinë e kuadrit makroekonomik mbi të cilin bazohen planet afatmesme të qeverisë.
Vitet e fundit, këto parashikime, nisur edhe nga ajo që ne nuk kemi ditur të kuptojmë plotësisht rrjedhojat e krizës globale për vitet që kaluam, rezultuan në mbivlerësime të të ardhurave fiskale dhe me deficite të rregullta më të larta në buxhetin shqiptar.
Kjo çoi në tejkalim të hapësirës fiskale duke rritur si koston, ashtu dhe rreziqet për borxhin publik.
Këto faktorë na përfshinë në një trajektore të paqëndrueshme duke sjellë çoroditje të menaxhimit të financavepublike, duke rritur shumë pa-parashikueshmërinë e këtyre financave dhe pa-parashikueshmërinë sidomos të shpenzimeve publike nga njëra. Kjo solli më pas shkurtim të shpenzimeve pa ndonjë studim të thelluar, duke krijuar nga ana tjetër një volum të madh faturash të papaguara (investime, rimbursim TVSH, etj), ku të certifikuara kapin një vlerë prej 720 milionë dollarë.
Efekti përfundimtar i kësaj politike, siç u vërejt vitin e kaluar, ishte ngadalësimi i rritjes ekonomike, që ra në mënyrë drastike, në 0.4 % (duke uruar të mos kemi një rishikim tjetër, i cili të na çojë më poshtë këttij treguesi).
Pretendimet se Shqipëria iu shmang goditjeve të krizës dhe nuk u influencua, provoi se ishte iluzive. Kuptohet se ka patur përdorim joefecient të hapësirës fiskale për të zbutur efektet e krizës, gjë që do ta poziciononte Shqipërinë më mirë nëse do të ishin përdorur në mënyrë më eficiente.
Ne po synojmë të zbatojmë mekanizma që do të minimizojnë rreziqet që burojnë nga parashikimet makroekonomike. Konkretisht, së shpejti do të fillojmë një diskutim të gjerë për futjen e një rregulli të ri fiskal për të ankoruar më mirë pritshmëritë e tregjeve dhe të biznesit. Rregulli fiskal do të disiplinojë politikën fiskale në funksion të qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe kryesisht të borxhit publik. Brenda kësaj kornize të qëndrueshmërisë fiskale, padyshim rregulli fiskal do të duhet të përfshijë edhe hapësirën optimale për politika fiskale kundër-ciklike, kur ato janë realisht të domosdoshme dhe frytdhënëse duke minimizuar diskrecionin e ushqyer rëndom nga një politikë miope me qëllime afatshkurtra elektorale gjë që në fakt ka qenë ciklike në Shqipëri në dy dekadat e fundit.
Lidhur me minimizimin e rreziqeve fiskale do të përfshihen disa mekanizma të thjeshtë, por efektiv, me qëllim pakësimin e rreziqeve që rrethojnë parashikimet makroekonomike dhe rritjen e objektivitetit të tyre.
Pa dyshim, asnjë rregull fiskal nuk do të ishte i mjaftueshëm, madje do të ishte i pazbatueshëm, nëse nuk adresohen disa nga probleme më akute që rëndojnë sot në mënyrë shqetësuese, financat publike. Këtu e kam fjalën, ashtu siç përmendi z.Sayed, sektorin e energjisë dhe skemën e pensioneve, që natyrisht trajtohen gjerësisht në raport. Këto dy sektorë kanë qenë pjesë e debateve dhe diskutimeve të vazhdueshme me të gjitha organizmat ndërkombëtare, duke filluar nga BB, që është angazhuar më konkretisht, por edhe nga FMN dhe BE, etj.
Zgjidhja e problemeve të sektorit të energjisë është shumë e gjerë, e thellë, ka vështirësitë dhe të papriturat e veta, një reformë kjo, e cila fillon dhe mbaron me energjinë, por në fakt është një problem thelbësor edhe për financat publike. Sipas gjykimit tim personal, e konisderoj reformë të dhimbshme.
(Pas konferencës, ministri iu përgjigj interesimit të mediave në lidhje me reformën në energji: Është e dhimbshme pasi kërkon angazhim konkret të buxhetit të shtetit dhe të të gjithë ministrive. Për të shmangur çdo keqinterpretim, është e sigurt se nuk bëhet fjalë për çmimin e energjisë elektrike, pra çmimi nuk është pjesë e reformës së thellë që kërkohet për energjinë elektrike.
Jo pak janë dhe reformat që lidhen me pensionet, e cila kërkon zgjidhje “sot”, dhe nuk mund ta lëmë për “nesër” pasi do të jetë shumë vonë. Buxheti paguan shumë për këtë skemë dhe do të na duhet të japim një zgjidhje sa më të shpejtë por dhe përfundimtare.
Por ndërkohë cila është mënyra më efektive dhe më eficiente për të arritur konsolidimin fiskal në një afat të shkurtër dhe të mesëm?
Pa asnjë dyshim, zgjerimi i bazës së taksave, duke ruajtur apo rritur nivelin e shpenzimeve publike, është mënyra më e mirë për të arritur konsolidimin fiskal.
Politika fiskale e qeverisë synon zgjerimin e hapësirës fiskale për të mbështetur sektorët prioritarë të ekonomisë. Shqipëria karakterizohet ndër vendet me qeveri të vogël. Megjithatë meritat për mbajtjen e një qeverie të vogël, nevojat për të mbështetur zhvillimin ekonomik janë më të mëdha dhe shtrojnë dilemën në zgjidhje të sa më shumë shpenzimeve në favor të rritjes ekonomike. Këtu përfshihet shumë gjerë elementi i eficiencës. Duhet një kombinim i masave administrative me politikat fiskale që do të ndjekë Ministria e Financave në vitet në vijim.
Përmirësimi i administratës fiskale është kritik për zgjerimin e bazës së të ardhurave dhe rritjen e konkurrencës së ndershme. Mbledhja e të ardhurave vazhdon të vuaj nga niveli i lartë i informalitetit në ekonomi, duke rezultuar si një nga treguesit më të ulët të efikasitetit të taksave në rajon. Shqipëria për fatin e keq, duam apo s’duam ta pranojmë, ka nivelin më të ulët të mbledhjes së taksave në raport ndaj GDP dhe që duhet ta shohim me përparësi. Jemi duke punuar në disa drejtime për ta minimizuar fenomenin, sicc pritet të vëmë në zbatim në fund të këtij viti një projekt në sistemin informatik të Tatimeve.
Një çështje po kaq e rëndësishme është rritja e eficiencës së shpenzimeve publike.
Përdorimi i fondeve publike në mënyrë sa më eficiente, nuk është një fjali e re por, do të marrë një trajtë të re, pasi së bashku me BB po shihen disa rrugë dhe disa hapësira e mundësi, për të rritur me tej eficiencën e fondeve publike.
Mund t’iu përmend “sektorin e transportit”, si një sektor vital, í gjerë, që ha shumë para nga buxheti i shtetit, i cili po kërkojmë bashkë me BB dhe kjo do dal qartë në trajtimin që do të kemi lidhur me këtë çështje, do të shohë se si duhen gjendur mënyrat më të mira të menaxhimit. Një nga rrugët që gjykojmë se duhen parë me parësi në këtë drejtim do të ishte prioritizimi i objektive dhe investimeve në infrastrukturë, natyrisht në përputhje me buxhetin afatmesëm, në mënyrë që të tashmë Thesari ynë nuk do të lejojë prerje shiritash apo çelje objektesh të reja pa pasur paratë e mjaftueshme në buxhetet afatmesme të çdo ministrie dhe në veçanti për rastin konkret Ministrisë së Infrastrukturës.
Një problem i dytë i cili kërkon vëmendje është mirëmbajtja dhe ruajtja nga degradimi i stokut të infrastrukturës rrugore:
kërkohet një ridimensionim në shpenzimet e buxhetit, në atë që do të hapin hapësira më shumë për rrugë të reja apo do të shohim hapjen e rrugëve të reja dhe në varësi të shpenzimeve që do të na duhen dhe imponojnë në fakt për kohën, pra janë bërë imperative, në drejtim të mirëmbajtjes së rrugëve ekzistuese. Kuptohet që raporti i prezantuar ka rekomandime, që do t’i quaja të dobishme dhe të vlefshme për ribalancimin e shpenzimeve në këtë sektor.
Në mbyllje, do të doja të përmend dhe atë që tashmë është e njohur, si në shlyerjen e detyrimeve të vjetra ose të panjohura më parë, po ashtu edhe në moskrijimin e borxheve të reja. Qeveria është angazhuar seriozisht me Thesarin, me Drejtorinë e Buxhetit dhe me drejtori të tjera në Ministrinë e Financave, në mënyrë që t’i pritet rruga çdo krijimi të borxheve të reja të prapambetura në të ardhmen.
Të gjitha këto masa dhe rekomandime të këtij raporti, që do të jenë të shprehura qartë në strategjinë e re te financave publike në 7 vitet e ardhshme, të cilat do të miratohen dhe bëhen publike së shpejti nga qeveria.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.