Postuar më: 12/10/2022

“E drejta e pronësisë intelektuale”, Shqipëri-BE, rregulla të harmonizuara për mbrojtjen ligjore të markave tregtare

Takimi shpjegues për Kapitullin 7 “E drejta e pronësisë intelektuale”, u zhvillua në Bruksel, mes Komisionit Evropian dhe delegacionit shqiptar, i cili kryesohej nga Zëvendësministri dhe Negociatori i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia.

“Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është prioritet strategjik kombëtar, që udhëheq axhendën qeverisëse të vendit, ndërkohë që ekipi i MFE është i angazhuar në zbatimin e reformave themelore në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Zëvendësministri dhe Negociatori i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia.

Kapitulli 7 parashikon mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të pronësisë industriale. Ai parashikon rregulla të harmonizuara për mbrojtjen ligjore të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to. Dispozita specifike zbatohen për mbrojtjen e bazave së të dhënave, programeve kompjuterike, topografive gjysmëpërçuese, transmetimit satelitor dhe ritransmetimit kabllor.

Në fushën e të drejtave të pronësisë industriale, acquis përcakton rregulla të harmonizuara për mbrojtjen ligjore të markave tregtare dhe dizenjove. Dispozita të tjera zbatohen për shpikjet bioteknologjike, për produktet farmaceutike dhe produktet për mbrojtjen e bimëve. Përveç kësaj, acquis përcakton një markë dhe dizenjo komunitare dhe parashikon rregulla të harmonizuara për zbatimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të pronësisë industriale.

Në procesin e Integrimit Europian, Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton 13 kapituj dhe 2 kapituj me bashkënegocim, nga 33 kapituj gjithsej, si dhe Kriterin Ekonomik.