Postuar më: 13/05/2014

Ekonomia po reagon pozitivisht

Mirëmbrëma,

Më lejoni të përfitoj nga ky rast të falënderoj sinqerisht misionin profesional të Fondit Monetar Ndërkombëtar të drejtuar nga z. Nadeem Ilahi, për ndihmën e çmuar që dhanë për arritjen e një mirëkuptimi midis Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në përpjekjet tona për garantimin e stabilitetit ekonomik të vendit. Njëkohësisht më duhet të falënderoj jashtë radhe edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, për arsye se ai u largua me një shërbim jashtë vendit. Ai ishte i pranishëm gjatë tërë kohës së negociatave dhe bisedimeve me misionin dhe me dy ministritë përkatëse.

Siç jeni në dijeni viti 2013 ka qenë një vit i vështirë ose viti më i vështirë pas vitit ’97, në disa drejtime, si nga rritja ekonomike shumë më e ulët nga çdo pritshmëri, vetëm 0.4 %, po kështu patëm probleme të mëdha dhe me besimin e konsumatorëve, po kështu dhe me besimin e biznesit. Ndërkohë patëm rënie të kërkesës së brendshme për konsum dhe një sërë faktorësh të tjerë që e sollën që viti 2013 të jetë një vit jashtëzakonisht i vështirë. Por, për të përmirësuar besueshmërinë e bizneseve dhe të konsumatorëve, një prej angazhimeve të qeverisë, siç jeni në dijeni për këtë periudhë dhe ndoshta të shtirë dhe në vitin tjetër, mbetet shlyerja sa më shpejt e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Deri tani, siç jeni në dijeni, ne kemi shlyer afërsisht 200 milionë dollarë detyrime të prapambetura, si dhe netim të faturave të sektorit të energjisë.

Ndërkohë treguesit fiskalë për katër-mujorin e këtij viti nga të dhënat paraprake ose operative, janë që vetëm nga tatimet dhe doganat kemi një tejkalim të të ardhurave të tyre, prej rreth 12 për qind ose 85 milionë dollarë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013,ose për nga ai që quhet plan 2 % më shumë. Ndërkohë vazhdon mbështetja administrative në dogana nga “Crown Agents”, i cili filloi punën siç jeni në dijeni në fund të muajit shkurt, fillim të muajit mars dhe presim rezultate të mira në vijim. Po kështu është Kodi doganor, i një standardi evropian, i cili është dorëzuar në qeveri dhe pret mbledhjet e radhës për të kaluar më pas në Kuvend për miratim.

Vazhdon trajnimi i administratës doganore dhe tatimore, ose përafërsisht 500 punonjës, për të përmirësuar performancën e tyre, është një synim serioz i qeverisë për kualifikimin e administratës publike. Ndërkohë po kështu është përfunduar tashmë nga Ministria e Financave dhe projektligji i ri për TVSH-në, i cili po kështu, për çështje ditësh, do të marrë rrugën përsëripër në qeveri, për të vijuar më pas në Kuvend, edhe ky ligj është në harkun ose në përputhje me direktivat e BE-së. Ndërkohë janë prezantuar edhe një numër hapash për të lehtësuar procedurat tatimore , si dhe për të ulur kostot administrative për tatimpaguesit, bazuar dhe në rekomandimet e një projekti që e kemi të përbashkët me IFC.

 

Janë marrë masa për të shmangur vonesat në pagesën për rimbursimine TVSH-së. Ju dini që në muajin shkurt, ne kemi nxjerrë një udhëzim, i cili pak a shumë thotë që, që nga çasti i paraqitjes së kërkesës nuk duhet të kalojë maksimumi me shumë se dy muaj, por për eksportuesit është një muaj koha e shlyerjes së detyrimeve, për të mos krijuar më detyrime të reja.

Në saj të këtyre masave ekonomia ka filluar të reagojë pozitivisht. Shenjat janë premtuese dhe janë vënë re në disa drejtime në ekonomi. Mund t’iu përmend indeksin e besimit të bizneseve, që ka përmirësime në shumicën e degëve të ekonomisë për 3-mujorin e parë, ju jeni të njohur,është diçka e prodhuar nga Banka e Shqipërisë në mënyrë të pavarur. Po kështu kemi shenja të mira tek eksportet, të cilat janë rritur gjatë kësaj kohe. Ka po ashtu përmirësime në importet dhe çka është më e rëndësishme në importin e makinerive. Siç përmenda edhe më lart ka rritje të të ardhurave nga Doganat dhe Tatimet,dhe nëqoftëse do të duam ti shohim në tërësinë e vet të gjithë këta tregues mbështesin atë që është projektuar së bashku me FMN që në fillim, që rritja ekonomike në Shqipëri është premtuese për nivelin afërsisht 2.1%.

Kjo nuk është vetëm çfarë mendon Ministria e Financave apo Ministria e Ekonomisë, por kjo është një rezultante ose një konkluzion së bashku me partnerët tanë, në rastin konkret konfirmohet edhe nga misioni i FMN-së. Dhe nga rishikimi i parë i programit rezulton se kriteret e performancës dhe objektivat strukturore janë të realizuara. Natyrisht që realizimi i këtyre objektivave që ne kemi është një çështje e cila na bën krenar, por kjo nuk do të thotë që nuk na tregon që duhet të jemi modest, sepse kemi shumë rrugë për të bërë. Janë dy – tre drejtime ose fusha, që kërkojnë vëmendje të veçantë për përmirësime ose reforma në periudhën në vijim.

Për sa më sipër, ne kemi vendosmërinë për përmirësim, si dhe kemi mirëkuptimin e plotë me FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Puna me Misionin, pavarësisht nga diskutimet që kanë rrjedhur gjatë tërë këtyre ditëve, mund ti quaj edhe intensive, edhe të zgjatura siç dhe e tregon edhe dita e sotme, kjo nuk tregon gjë tjetër veçse tregon atë që në mënyrë të përbashkët ne bëmë një analizë për atë ç’është bërë, ç’po bëhet dhe çdo të bëhet lidhur me ecurinë e mëtejshme të ekonomisë shqiptare. E rëndësishme është që të gjitha palët në këto bisedime kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën dhe atë që do ta quaja tension, për të pasur rezultate sa më të mira në rritjen ekonomike, në rritje të qëndrueshme të ekonomisë, doemos në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës dhe të standardeve më të larta të jetesës për shqiptarët. Jemi të angazhuar si qeveri për arritjen e objektivit të rritjes ekonomike, për përmirësim të stabilitetit makroekonomik dhe për zbutje të rreziqeve, sidomos ato që lidhen me borxhin publik apo me të tjera çështje me të cilat ballafaqohen ekonomia shqiptare dhe financat publike.

Faleminderit!

 

 

Pyetje të TOP CHANNEL për shefin e FMN

Doja një saktësim:  ky është mision bisedimesh apo një vëzhgim nga FMN?

E së dyti a mendoni se paratë e borxhit që po u kthehen bizneseve tashmë, do të japin një efekt të përgjithshëm në ekonomi, me aq sa ju keni vëzhguar tashmë, po ndodh?

Përgjigjja:

Faleminderit për pyetjen, përsa i përket natyrës së misionit në kuadër të programeve të tilla,  Fondi Monetar Ndërkombëtar zhvillon misione tre-mujorë, pra çdo tre muaj, misione të cilat bëjnë një shqyrtim, një rishikim të situatës, shikon zhvillimin që është bërë, zhvillimet që ka pasur gjatë tre muajve të fundit dhe po kështu diskuton me autoritetet e vendit përkatës politikat të cilat do të jenë të nevojshme për të përmbushur kriteret dhe treguesit  në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë në vijim. Sigurisht vendimet, përcaktimet që bëhen në kuadër të një procesi të tillë kërkojnë një marrëdhënie bisedimesh dypalëshe.

Sa i takon detyrimeve të prapambetura të papaguara, në këtë rast kundrejt sipërmarrësve dhe bizneseve të ndryshme, sipas mendimit tonë, ekzistenca e detyrimeve të tilla të papaguara në një ekonomi shkakton probleme dhe kufizime në fushën e likuiditetit të këtyre bizneseve të cilat sigurisht lidhen dhe është një nga faktorët që çon në kreditë problematike në sektorin bankar në Shqipëri që ka qenë probleme për disa vjet.

Tashmë shlyerja e detyrimeve të prapambetura, sigurisht që do të përmirësonte likuiditetin e bizneseve dhe në kushtet e një kredidhënieje të kufizuar, jo të përshpejtuar, do të ndihmonte me zhvillimin e tyre , do tu jepte frymëmarrje për të vepruar.

Të rejat e fundit