-Ministrja Delina Ibrahimaj prezanton projektbuxhetin 2022 në komisionin e Ekonomisë dhe Financave
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi projektbuxhetin e vitit 2022 në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, i cili është dhe komisioni përgjegjës për shqyrtimin e ligjit financiar më të rëndësishëm të shtetit.
Ministrja u shpreh se projektbuxheti 2022 është buxheti më i madh në historinë e shtetit shqiptar dhe fokusohet në prioritete si: vijimi i reformave strukturore për të garantuar rritje ekonomike dhe punësim; mbështetja e shtresave në nevojë; rritja e produktivitetit; forcimi i shtetit ligjor; digjitalizimi i ekonomisë; dhe vijimi i investimeve kyçe në infrastrukturë.
Ministrja theksoi se projektbuxheti 2022 ka si objektiv primar rimëkëmbjen ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme.
Ky objektiv madhor, tha Ibrahimaj, bazohet në pritshmëritë e Qeverisë për një rritje ekonomike domethënëse në vitin 2021 me 7.6%, ndërkohë që për vitin 2022 rritja ekonomike parashikohet në nivelin 4.1 %.
Duke u ndalur në mbështetjen e sektorëve prioritarë, Ministrja përmendi se:
Në Arsim synohet të mbahet niveli konstant në raport me PBB prej mbi 3 % gjatë periudhës 2022-2024, ku përveç rritjes së pagave me 6 % për 36 mijë mësues të ciklit parauniversitar do të financohen me përparësi një sërë projektesh;
Në Shëndetësi dhe Mbrojte Sociale financimi do të mbetet dukshëm mbi 3% të PBB mesatarisht për periudhën 2022-2024, ku përveç rritjes së pagave me 6% për rreth 18500 mjekë dhe infermierë do të financohen me prioritet një sërë politikash;
Bujqësia do të përfitojë rreth 12.7 miliardë lekë në vitin 2022, ku vetëm 1 miliardë lekë do të jetë Garancia Sovrane për mbështetjen e fermerëve;
Në Infrastrukturë synohet vijimi i financimit për një sërë veprash infrastrukturore;
Për sektorin e Mbrojtjes synohet arritja e target-it 2% të PBB të dakordësuar me NATO në vitin 2024;
Për Kulturën financimi do të jetë në total 4.1 miliardë lekë për vitin 2022, që përbën dhe shumën më të madhe të buxhetit që ka përfituar ndonjëherë ky sektor, ku do të financohen me prioritet disa projekte;
Në sektorin e Turizmit dhe Mjedisit do të alokohet Garancia Sovrane 1 miliardë lekë Turizmin dhe me prioritet do të alokohen fonde për pastrimin e plazheve dhe për pastrimin e qyteteve;
Në sektorin e Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit do të financohet me prioritet: Projekti i mbështetjes së bizneseve Start-Up në shumën 250 milionë lekë për çdo vit; Pagesa e papunësisë për naftëtarët dhe Garancia Sovrane 1 miliardë lekë për Manifakturën dhe Sipërmarrjen.
Gjithashtu, Rindërtimi dhe përballimi i pandemisë COVID 2019 mbeten prioritete që do të financohen përmes projektbuxheti 2022, ku:
20 miliardë lekë parashikohen për përballimin e procesit të rindërtimit, duke synuar përfundimin e këtij procesi brenda vitit të ardhshëm;
Për vitin 2022 dhe 2023 do të alokohen, në mënyrë të veçantë, respektivisht 2.7 miliardë lekë dhe 2 miliardë lekë shpenzime për blerjen e vaksinave anti-COVID.
Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj;
I nderuar kryetar i komisionit,
Të nderuar deputetë,
Më lejoni, që në funksion të prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2022, të paraqes një përmbledhje të shkurtër të politikave dhe reformave të ndërmarra nga qeveria deri tani, për të kuptuar ecurinë e ekonomisë, problematikat e ndryshme dhe potencialet për tu zhvilluar në vijim.
Ekonomia shqiptare ka njohur rritje të vazhdueshme që prej vitit 2013, kur nisëm qeverisjen. Të dhënat tregojnë se në 2013 rritja ekonomike ka qenë 1%, ndërkohë që ka ardhur duke u rritur progresivisht, duke arritur deri në 4.07% në vitin 2018.
Për shkak të tërmetit dhe më pas pandemisë COVID 19, ekonomia u ngadalësua, por gjithsesi performoi më mirë sesa ishin edhe parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare. Për vitin 2020, institucionet ndërkombëtare si FMN, Bankë Botërore, Komisioni Evropian, BERZH etj, parashikonin një recesion deri në -9%, ndërkohë zyrtarisht u arrit në -3.96%.
Projektbuxheti i vitit 2022 që keni në dispozicion për shqyrtim, ka si objektiv primar rimëkëmbjen ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme.
Ky objektiv madhor bazohet në pritshmëritë e Qeverisë për një rritje ekonomike domethënëse në vitin 2021 me 7.6%, duke lënë pas recesionin ekonomik të vitit 2020, me 4%.
Falë reformave dhe politikave të duhura që u ndërmorën, ekonomia arriti të rikthehej në norma të larta rritje, ku specifikisht, për vitin 2022 parashikojmë një rritje 4.1%, duke mbajtur një nivel mesatar prej mbi 4% për vitet pasuese 2023 dhe 2024.
Rritja ekonomike na ka mundësuar që të mbështesim qytetarët, duke rritur mirëqenien e tyre dhe të ardhurat e disponueshme për ta. Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike ka qenë me bazë të gjerë. Produkti i Brendshëm Bruto për banor është rritur nga 466 mijë lekë në vitin 2013 në 568 mijë lekë në vitin 2020 dhe pritet që në vitin 2022 të shkojë 661 mijë lekë për banor.
Falë politikave dhe reformave të ndërmarra në ekonomi që prej vitit 2013, treguesit kryesorë që kanë lidhje me mirëqenien e qytetarëve kanë pësuar përmirësim të vazhdueshëm. Kështu, papunësia ka pësuar rënie. Ajo ka qenë në nivelet 16.4% në vitin 2013, ka zbritur në 11.6% në vitin 2019, ndërkohë që pritet të zbresë nivelin 10.3 % në vitin 2022.
Të ardhurat totale në buxhetin e shtetit kanë njohur rritje të fortë falë politikës së duhur fiskale dhe miradministrimit fiskal. Në vitin 2013, të ardhurat ishin në nivelin 327 miliardë lekëve ose sa 24.8% e GDP. Ato kanë pësuar rritje deri në 460 miliardë lekë ose 27.4% e GDP në vitin 2019. Të ardhurat totale pritet të arrijnë në 484 miliardë lekë këtë vitin 2021 ose sa 28.8% e GDP, teksa parashikohen në 536.8 miliardë lekë në vitin 2022.
Në rritje kanë qenë edhe shpenzimet buxhetore, për të mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore, në shërbim të qytetarëve. Në vitin 2013 shpenzimet buxhetore kanë qenë 394 miliardë lekë ose sa 29.2% e GDP. Ato kanë arritur në 29.3% të GDP në vitin 2019.
Investimet publike kanë njohur rritje të vazhdueshme, si një mbështetje për punësimin dhe rritjen ekonomike. Në vitin 2013, shpenzimet kapitale kanë qenë në vlerën 65 miliardë lekë ose sa 4.8% e GDP, teksa kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Në vitin 2020 shpenzimet kapitale arritën në 102 miliardë lekë ose sa 6.3% e GDP, duke përfshirë fondin e rindërtimit. Teksa në vitin 2021 investimet publike shënuan 121 miliardë lekë ose sa 7.2% e GDP, duke qenë një stimul i fortë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe gjenerimin e punësimit.
Borxhi publik ka qenë sa 70.4% e GDP në vitin 2013 dhe qeveria ka ndjekur politikën konsistente e uljes së tij. Në vitin 2019, borxhi zbriti në 66.3% të të GDP dhe u rrit për shkak të pandemisë dhe mbështetjes që qeveria u dha qytetarëve dhe bizneseve me dy paketat fiskale deri në masën 80% që pritet deri në fund të 2021.
Për të mbështetur qytetarët dhe për të nxitur shtimin e të ardhurave të disponueshme, qeveria ka rritur vazhdimisht pagën minimale. Në vitin 2013, paga minimale ka qenë 22 mijë lekë. Ajo ka pësuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve në vijim, për të arritur në 30 mijë lekë që është aktualisht. Rritja e fundit e pagës minimale u bë në janar të këtij viti. Rritje ka pësuar edhe paga mesatare, ku nga 45.961 lekë që ishte në tremujorin e parë të 2014 ka arritur në 56.710 lekë në fund të vitit 2021.
Në mbështetje të ekonomisë, bizneseve dhe buxheteve familjare, qeveria reagoi shpejt ndaj dy fatkeqësive që ndodhën në vendin tonë. Në kuadër të pandemisë u ndërmorën një sërë masash, pjesë e dy paketave të ndihmës, si:
Dyfishimi i ndihmës ekonomike për një periudhë dymujore;
Mbështetja për të punësuarit nëpërmjet pagave të luftës;
Si dhe mbështetja ndaj biznesit përmes dy garancive sovrane.
Ekonomia shqiptare ka pasur një rikuperim të shpejtë në gjashtëmujorin e parë të 2021. Për këtë periudhë, Produkti i Brendshëm Bruto ka shënuar rritje prej rreth 11.9 për qind krahasuar me një vit më parë.
Ky rikuperim mbështetet në një sërë faktorësh dhe duket se ka një shpërndarje të gjerë në dimensionin sektorial të ekonomisë. Reduktimi i kufizimeve pas rënies së infektimeve luajti një rol kyç, por edhe procesi i vaksinimit ka luajtur rolin e tij në rritjen e besimit të biznesit e konsumatorit, si dhe të gjithë grupeve të interesit.
Nga këto zhvillime kanë përfituar sektori prodhues dhe ai i shërbimeve, duke ofruar rimëkëmbje për biznesin dhe punësimin dhe duke krijuar premisa të mira edhe për perspektivën afatmesme.
Për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, ne paraqesim projektbuxhetin 2022, i cili është buxheti më i madh në historinë e shtetit shqiptar. Ky dokument i rëndësishëm fokusohet në disa prioritete si:
Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2022-2024 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet. Ndërkohë që kërkesa e jashtme neto pritet të ketë një efekt pozitiv të moderuar. Eksportet si të mallrave ashtu edhe të shërbimeve (veçanërisht turizmi) pritet të kenë një ecuri të mirë, por njëkohësisht pritet që edhe importet të kenë po ashtu një rritje (në reflektim të rritjes së kërkesës agregate, veçanërisht investimeve), e për rrjedhojë kontributi neto i kërkesës së huaj në afatmesëm pritet të jetë serish pozitiv, por ndjeshëm më i moderuar se ai i kërkesës së brendshme.
Specifikisht, konsumi final total për periudhën afatmesme, 2022 – 2024, parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht 2.6 për qind në vit, duke kontribuar me mesatarisht 2.4 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB.
Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real me 5.5 për qind në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.2 pikë përqindje në vit.
Për sa i përket objektivit madhor të uljes së borxhit publik, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe:
Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit parashikohet të arrijnë 536.8 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore janë 500.1 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat janë 360.5 miliardë lekë. Ndërkohë që, të ardhurat nga kontributet planifikohen 112 miliardë lekë.
Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit për vitin 2022 parashikohen të rriten me 7.8 %, si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme e Mbledhjes së të Ardhurave, e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimi.
Shpenzimet Buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB-së. Në terma nominalë, shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë rreth 28 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2021, duke e bërë kështu buxhetin më të madh të të gjitha kohërave.
Projektbuxheti 2022 do të vijojë të mbështesë sektorët prioritarë si:
të cilat së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe shpenzimeve për infrastrukturën e IT, për administratën publike si dhe për të rinjtë e të rejat që do të kenë mundësi të përfitojnë më shumë dije dhe aftësi për të konkurruar denjësisht në të ardhmen në tregjet emergjente të teknologjisë së informacionit.
Nëpërmjet këtij buxheti do të vijojmë të kryejmë reforma strukturore të nisura, të cilat do të shërbejnë si stimuj fiskal për të nxitur një rritje ekonomike në vijim në çdo sektor, duke sjellë rritjen e punësimit:
Investimet në digjitalizim përfshijnë ministritë përkatëse në sektorët e rendit, mbrojtjes, shëndetësisë, financave dhe ekonomisë dhe arsimin.
Me një fond 1.9 miliardë lekë financohen arsimi parauniversitar, laboratorët shkencorë dhe klasat e teknologjisë së informacionit.
Me investimet në projektet për trajnimin e të rinjve në teknologjinë e informacionit, ata do të përshtaten më mirë me kërkesat dhe ofertat në tregun e punës dhe do të krijohen vende pune më cilësore.
Investimet Publike për vitin 2022 janë planifikuar në masën 6.4% të PBB ose 119 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 20 miliardë lekë si dhe transfertën kapitale për fondin e shpronësimeve me 1,8 miliardë lekë).
Në planifikimin e investimeve për vitin 2022 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si edhe në vitin 2020, në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3% përgjatë periudhës 2022-2024. Përveç rritjes së pagave me 6%, nga e cila janë parashikuar të përfitojnë rreth 36 mijë mësues të ciklit parauniversitar, në këtë sektor do të financohet me përparësi:
Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale, ku financimi do të mbetet dukshëm mbi 3% të PBB mesatarisht për periudhën 2022-2024, ku përveç rritjes së pagave me 6% për rreth 18500 mjekë dhe infermierë do të financohen me prioritet këto politika:
Bujqësia do të përfitojë rreth 12.7 miliardë lekë në vitin 2022 ku parashikohet:
Të gjitha këto politika të reja në mbështetje të fermerëve shqiptarë së bashku me financimet ekzistuese, kapin një total prej 7.4 miliardë lekë që përbën dhe financimin më të madh të dhënë ndonjëherë nga buxheti i shtetit dhe nga burime të huaja, kryesisht grante të IPARD, për fermerin shqiptar këto 3 dekadat e fundit.
Në Infrastrukturë synohet:
Për sektorin e Mbrojtjes synohet arritja e target-it 2% të PBB të dakordësuar me NATO në vitin 2024 kryesisht nëpërmjet:
Në sektorin e Kulturës do të financohen me prioritet:
Me një financim në total prej 4.1 miliardë lekë për vitin 2022, sektori i kulturës shënon një rekord për sa i përket madhësisë së buxhetit të përfituar.
Në sektorin e Turizmit dhe Mjedisit do të financohen:
Në sektorin e Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit do të financohet me prioritet:
Në projektbuxhetin e vitit 2022 vijojmë të kemi në fokus trajtimin e dy prioritetet e ardhura si pasojë e dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin tonë:
Në projektbuxhetin e vitit 2022 parashikohen 20 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit, duke synuar përfundimin e këtij procesi brenda vitit të ardhshëm.
Për vitin 2022 dhe 2023, kemi alokuar në mënyrë të veçantë respektivisht 2.7 miliardë lekë dhe 2 miliardë lekë shpenzime për blerjen e vaksinave anti-COVID, ndërkohë që shpenzimet e tjera për përballimin e situatës së krijuar prej COVID-19 reflektohen në rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe të FSDKSH.
Për të kaluar tek Shpenzimet për Buxhetin Vendor, Përballimi i një sfide të madhe ekonomike dhe buxhetore nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për shkak të pasojave të shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia COVID-19 janë një tregues pozitiv i punës së zhvilluar në këto vite në drejtim të stabilitetit makroekonomik, parashikueshmërisë së fondeve dhe transparencës së përdorimit me disiplinë të fondeve buxhetore. Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri më tani dhe pritet të kenë impaktin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2022, janë parashikuar në masën 59.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.3% më shumë se i pritshmi i vitit 2021. Këto shpenzime për vitin 2022, zënë 3.2% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013. Me qëllim ruajtjen e stabilitetit të shpenzimeve vendore dhe për mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore për përballimin e shpenzimeve të Covid-19, niveli i transfertës së pakushtëzuar për vitin 2022 do të jetë rreth 250 milion lekë më i lartë se viti 2021. Kjo transfertë, krahasuar me vitin 2015 (viti para reformës administrativo-territoriale), është 6.3 miliardë lekë më shumë ose 54.5 për qind më e lartë. Në transfertën e pakushtëzuar për vitin 2022, 18.7 miliard lekë, do të shtohen edhe fondet prej 8.75 miliard lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, transferuar në nivel vendor. Si rrjedhojë, në vitin 2022, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 27.45 miliard lekë. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2021 do të jenë 27.6 miliardë lekë ose 6 për qind më të larta se sa i pritshmi i vitit 2021 dhe pothuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015. Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor nga 3.9 miliard lekë në vitin 2015 në 6.1 miliard lekë në vitin 2022, ose rreth 2 miliard lekë më shumë të ardhura për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Gjithashtu një objektiv i rëndësishëm për buxhetin vendor do të jetë edhe përmirësimi i skemës së financimit të menaxhimit të mbetjeve urbane, nëpërmjet hartimit të një metodologjie, ku fokusi do të jetë standardizimi i këtij shërbimi dhe rritja e cilësisë.
Në vijim të procesit efektiv të decentralizimit, vend të rëndësishëm zë vazhdimi dhe konsolidimi i reformës së financimit të arsimit parashkollor. Përmes buxhetit të vitit 2022, do të vazhdojë mbështetja financiare për reformën në arsimin parashkollor me synim konsolidimin e një skeme financimi të përshtatshme dhe efektive që synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe uroj diskutime konstruktive deri në përfundim të miratimit të projektbuxhetit të vitit 2022.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.