Investim 65.2 milionë euro për furnizimin me ujë në Durrës
Qeveria Shqiptare firmos kredinë me Bankën Botërore, projekti përfshin qytetin bregdetar dhe fshatrat përreth
Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore firmosen sot marrëveshjen për huanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit, në shumën 65.5 milionë Euro. Në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe për Bankën Botërore nga Përfaqësuesja e Përhershme e saj në Shqipëri Tahseen Sayed. Ceremonia u mbajt në Bashkinë e Durrësit në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Drejtoreshës së Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, krerëve të pushtetit vendor si dhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 20 dhjetor 2013.
Informacion mbi projektin
Projekti i Investimit ne Sektorin e Ujit ka si objektiv përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës (NUKD) si dhe përmirësimin e performancës financiare.
Aktivitetet që do të realizohen në kuadër të Projektit ndahen në 4 komponentë:
1. Investime Prioritare për Furnizimin me Ujë, ku futet financimi i linjës së re të furnizimit përfshire një stacion të ri pompimi në Fushëkuqe. Linja do të jetë e dedikuar vetëm për qytetin e Durrësit, ndërsa linja ekzistuese do të përdoret edhe për fshatrat rreth saj. Linja e re do te përmirësojë shumë shërbimin e furnizimit të qytetit dhe zonës së plazhit. Gjithashtu, synohet përmirësimi i furnizimit me ujë në të gjithë zonën rurale nëpërmjet ndërtimit të linjave të reja të transmetimit dhe rezervuarëve për çdo fshat.
2. Investime në Rrjetin e Kanalizimeve nëpërmjet të cilit synohet të përmirësohet dhe zgjidhet problemi i kanalizimit të ujërave të zeza të zonës së Durrësit, përfshirë dhe zonën e Plazhit. Qëllimi kryesor është ndarja e sistemeve të ujërave të bardha nga kanalizimet dhe rehabilitimi i linjave kryesore të transmetimit përfshire stacionet e pompimit. Gjithashtu do të mbulohen me rrjet kanalizimesh dhe zonat periferike informale si dhe zona rurale.
3. Komponenti i Zhvillimit Institucional, Fuqizimit të Menaxhimit të Kërkesës dhe Fuqizimit të Ndërmarrjes, nëpërmjet të cilit do të mbështeten politikat dhe reformat e Qeverisë në sektorin e Ujit. Këto Reforma do të përfshijnë përgatitjen dhe zbatimin e një Programi për Monitorimin e Kërkesës për Ujë. Ky i fundit synon zbatimin e një programi matjeje për qytetin e Durrësit duke përfshire si klientët familjare ashtu dhe matjen në pikat e lidhjes ne linjën kryesore, zbatimin e një fushate ndërgjegjësimi për mos shpërdorimin e ujit, mbështetjen e Njësisë se Monitorimit pranë DPUK, asistence teknike për mbështetjen dhe zbatimin e një modeli efektiv për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit etj.
4. Komponenti i mbështetjes së zbatimit te Projektit, nëpërmjet të cilit do përballohen shpenzimet e stafit si dhe shpenzime te tjera operative te Njësisë se Zbatimit te Projektit.
Projekti i Investimit në Sektorin e Ujit do të financohet tërësisht nga Banka Botërore (IBRD), nëpërmjet një huaje në vlerën 62,500,000 Euro, financim i cili do të mbulojë edhe vlerën e TVSH në zbatim të projektit, ndërsa kontributi i Qeverisë Shqiptare konsiston në përballimin e kostove të shpronësimeve përkatëse.
Huaja e Bankës Botërore është me termat në vijim:
• Shuma: 62,500,000 Euro;
• Interesi: bazuar në normën e referencës EURIBOR + marzh të pandryshueshëm;
• Tarifa Front-end Fee: 0.25% e shumës së kredisë, shumë kjo qe paguhet nga fondet e kredisë;
• Maturimi: 23 vjet duke përfshirë periudhën prej 10 vitesh pa pagese principali.
Institucioni përgjegjës për zbatimin e projektit është Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës. Projekti mendohet të realizohet brenda një afati prej 5 vitesh.


© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.