Postuar më: 30/03/2023

Kuvendi miraton ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, ulet barra fiskale për të punësuarit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili u prezantua para deputetëve nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se përmes këtij projektligji synohet një reformim i plotë i sistemit tatimor shqiptar dhe i hapet rruga një kapitulli të ri në legjislacionin fiskal, duke i dhënë fund ndryshime të shpeshta që i ishin bërë ligjit të mëparshëm, të cilat ndër vite kishin krijuar hapësira për evazion apo keqinterpretime.

Projektligji ka tre objektivë kryesorë, të cilët janë:

  • krijimi i një sistemi tatimor vetëdeklarativ bashkëkohor ku individi dhe entiteti paguan pjesën e ndershme të tatimit mbi të ardhurat që realizon, dhe kërkon kthimin e këtij kontributi në formën e përfitimeve dhe shërbimeve të përmirësuara publike;
  • rritja e kontributit në buxhetin e individëve dhe entiteteve nëpërmjet tatimit të të ardhurave, duke balancuar peshën e tatimeve indirekte;
  • ofrimin e një sistemi tatimi më të ndershëm dhe më të gjithëpranuar.

Ministrja theksoi faktin se me ligjin e ri nuk rritet në asnjë rast barra fiskale për të punësuarit.

“Nëpërmjet këtij ligji ne do të ulim më tej barrën fiskale sepse tashmë kemi ndërmarrë një angazhim që ne nuk duam ta tatojmë pagat e ulëta. E pikërisht nëpërmjet këtij ligji ne do të rrisim pragun e të ardhurave të patatueshme për individët nga 40 mijë lekë që është sot në 50 mijë lekë, nga hyrja në fuqi e ligjit”, tha Ibrahimaj.

 

Nga ana tjetër, Ministrja ritheksoi faktin se, edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, tatim fitimi për bizneset me qarkullim deri në 14 milionë lekë do të vijojë të jetë zero deri ne vitin 2029.

“Janë më shumë se 85 % e bizneseve të cilët do të vijojnë të kenë normën e tatim fitimit zero për qarkullim deri në 14 milionë lekë. Ne duam të nxisim biznesin dhe të incentivojmë biznesin e lirë, ne duam që biznesi i vogël, si iniciativë familjare, biznesi i cili vendos të regjistrohet për të rritur të ardhurat familjare, të vazhdojë dhe të mbështetet”, tha Ibrahimaj.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

 

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë

Sot sjellim përpara jush një projektligj jashtëzakonisht të rëndësishëm i cili do të sjellë një reformim të plotë  të sistemit tatimor shqiptar. Ky projektligj do të hapë një kapitull të ri në legjislacionin fiskal për t’i dhënë fund kështu një odiseje 25 vjeçare.

Modernizimi i legjislacionit dhe paralelisht me të i administratës tatimore ka qenë një ndër objektivat bazë të punës sonë në këtë fushë, sepse ne besojmë te parimet e taksimit të drejtë, te parimi progresiv, te përmbushja vullnetare e detyrimeve dhe te ndërgjegjësimi i tatimpaguesve mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre, pa pasur si fokus primar ndëshkimin.

 

Për të gjitha këto arsye ne ndërmorëm një  proces të gjatë dhe dinamik konsultimi, jo vetëm brenda institucioneve tona, por edhe me grupet e interesit. I njëjti angazhim diskutimesh u bë edhe gjatë shqyrtimit në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, që gjej rastin ta falënderoj për konsultimin e gjerë dhe për vëmendjen e shtuar ndaj këtij ligji kaq të rëndësishëm.

 

Qëllimi ynë ishte të hartonim një projektligj të plotë, që do t’i jepte zgjidhje shumë aspekteve tatimore, që ndër vite kishin krijuar hapësira për evazion apo keqinterpretime.

 

Vizioni që ne kemi është i qartë, të fuqizojmë ekonominë, të nxisim investimet, të rrisim mirëqenien, të minimizojmë tërësisht informalitetin dhe evazionin fiskal, mbi parimet e së drejtës, barazisë, ekuilibrave të qëndrueshëm si dhe në mbrojtje të interesit publik e privat.

 

Ligji në fuqi i tatimit mbi të ardhurat i miratuar në Dhjetor 1998, ka pësuar një sërë ndryshimesh të kushtëzuara nga etapat e zhvillimit ekonomik, duke reflektuar përpjekjet në përgjigje të politikave fiskale, si dhe nevojave të biznesit.

 

Në veçanti në 10 vitet e fundit, kanë ndodhur ndryshime të ndjeshme në fushën e taksimit ndërkombëtar, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në fushën e taksimit,  me qëllim pengimin e konkurrencës së pandershme në fushën e taksave.

Gjithashtu, si rezultat i amendimeve të ndryshme të  ligjit në kohë dhe për shkak të incentivave, përjashtimeve, tarifave të reduktuara të miratuara në vite, është cenuar, në disa vende, parimi i neutralitetit të tatimit.

Një pjesë e këtyre incentivave, përjashtimeve dhe tarifave të reduktuara, e kanë plotësuar tashmë misionin e tyre dhe nuk ka arsye që të vazhdojnë të aplikohen.

Ndërhyrjet në tarifa,  regjime, përjashtime, etj., kanë ndikuar në shmangien e tatimit, duke nxitur tatimpaguesit individë, persona fizikë tregtarë apo persona juridikë, që të kërkojnë boshllëqe ligjore dhe të kalojnë nga një rregjim me tatim më të lartë, në një rregjim me tatim më të ulët.

Ndërkohë, përveç këtij aspekti problematik, kanë lindur edhe risi të reja në fushën e taksimit të të ardhurave personale dhe fitimit korporativ, të cilat ende nuk janë pasqyruar dhe rregulluar nëpërmjet amendimeve ligjore.

Nga ana tjetër procesi i integrimit europian që kemi nisur nxit nevojën për harmonizimin dhe përputhshmërinë graduale të ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat me direktivat e BE .

Ndaj u pa e nevojshme  një qasje e re e kuadrit ligjor për taksimin e individëve  dhe të ardhurave të tyre nga burime të ndryshme, nëpërmjet hartimit të një ligji tërësisht të ri për tatimin mbi të ardhurat.

Në këtë kudër, në bashkëpunuam me FMN dhe ekspertët e tyre ne hartuam dhe paraqitëm projektligjin që sot është në seancë për votim.

 

Ky projektligj ka 3 objektiva kryesorë:

 

  • krijimi i një sistemi tatimor vetëdeklarativ bashkëkohor ku individi dhe entiteti paguan pjesën e ndershme të tatimit mbi të ardhurat që realizon, dhe kërkon kthimin e këtij kontributi në formën e përfitimeve dhe shërbimeve të përmirësuara publike;
  • rritjen e kontributit në buxhetin e individëve dhe entiteteve nëpërmjet tatimit të të ardhurave, duke balancuar peshën e tatimeve indirekte;
  • ofrimin e një sistemi tatimi më të ndershëm dhe më të gjithëpranuar.

 

Po cilat janë risitë që do të sjellë?

  • Ky ligj përcakton tatimin e të ardhurave në dy kategori:
  1. Tatimi i individëve dhe personave fizikë tregtarë me tatim mbi të ardhurat personale.
  2. Tatimi i entiteteve juridike me tatim mbi fitimin korporativ.

Pra, bën një ndarje të tatimfitimit që është paguar ndër vite dhe të konceptit të tatimfitimit ndryshe për individët dhe personat fizikë, të cilët paguajnë tatimmbi të ardhurat, dhe ndryshe për entitetet të cilat paguajnë tatim fitim korporativ.

 

  • Kategorizohen 3 grupe të të ardhurave personale të cilat realizohen nga individët dhe personat fizikë tregtarë dhe të cilat i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale”:
  • Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi.
  • Tatimi mbi të ardhurat nga biznesi, për personat fizikë.
  • Tatimi nga të ardhurat nga kapitali pasiv.

 

  • Të ardhurat nga punësimi taksohen sipas skemës aktuale progresive të taksimit  (0 %,  13 %,  23 %).
  • Të ardhurat nga biznesi tatohen me 15 % mbi fitimin neto.
  • Të ardhurat nga kapitali pasiv dhe të ardhurat e tjera taksohen me normën 15 %, me përjashtim të dividentit 8 %.
  • Për të ardhurat nga biznesi me qarkullim deri në 10 milion lekë në vit është parashikuar një skemë e thjeshtë taksimi duke deklaruar shpenzimet në një shumë të vetme pa pasur detyrimin e mbajtjes së kontabilitetit. Kjo është një incentivë që shkon në vazhdën e incentivave që ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për biznesin e vogël, me qëllim që to ofrojmë biznesit të vogël sa më shumë lehtësira, jo vetëm në mënyrën e taksimit të tyre, ku bizneset me qarkullim deri në 10 milionë lekë e kanë tatimin mbi vlerën e shtuar zero dhe bizneset me qarkullim deri në 14 milionë lekë e kanë tatim fitimin zero, por edhe procedurat dhe kostot e tyre të mbajtjes së librave të jenë të reduktuara dhe të thjeshtuara.
  • Tatimi mbi të ardhurat e korporatës ka një normë tatimore prej 15%.

 

Në asnjë rast barra fiskale për të punësuarit, nëpërmjet këtij ligji, nuk do të nuk rritet siç mund të jetë thënë. Përkundrazi, nëpërmjet këtij ligji ne do të ulim më tej barrën fiskale sepse tashmë kemi ndërmarrë një angazhim që ne nuk duam ta tatojmë pagat e ulëta. E pikërisht nëpërmjet këtij ligji ne do të rrisim pragun e të ardhurave të patatueshme për individët nga 40 mijë lekë që është sot në 50 mijë lekë, nga hyrja në fuqi e ligjit.

Janë 65 mijë individë të cilët përfitojnë nga kjo lehtësi, të cilët do të paguajnë 15.700 lekë më pak taksa në vit.

 

Njëkohësisht, barra fiskale lehtësohet për të gjithë tatimpaguesit me të ardhura nga punësimi në fashën 50-60 mijë lekë, të cilëve nga 30 mijë lekë që ishte e ardhura e tatueshme me 0%, tashmë u njihet një zbritje tatimore prej 35 mijë lekësh në muaj, duke lehtësuar barrën tatimore për 44 mijë individë me 7,800 lekë në vit.

 

Gjithashtu projektligji parashikon:

 

  • zbritje prej 48 mijë lekë nga baza e tatimit të punëmarrësit për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç;
  • zbritje 100 mijë lekë për arsimin e çdo fëmijëve në ngarkim.

 

Në këtë mënyrë, nëpërmjet zbritjeve nga baza e tatueshme, ngarkesa fiskale për të punësuarit ulet akoma më tej, që do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto) do të ulet ndjeshëm.

 

Projektligji në mënyrë të balancuar përcakton:

 

  1. 1. Tatimi i individëve tregtarë dhe të vetëpunësuar:

 

Për këtë kategori, projekligji ka parashikuar që të vetëpunësuarit dhe tregtarët të tatohen:

  • me normën 15% mbi fitimin neto (të ardhura-shpenzime) kur fitimi neto është deri 14 milionë lekë në vit;
  • me normën 23 % të fitimit neto, vetëm për pjesën e fitimit mbi 14 milionë lekë në vit.

 

Unë dua të ndalem një moment këtu pasi në komision dhe në media ka pasur debate të gjera për normën e tatimit 15 % dhe pragun 14 milionë lekë të fitimit neto, i cili do të fillojë tatohet me 23 %. Në radhë të parë dua të bëj të ditur që janë rreth 300 binzese të regjistruar si persona fizikë dhe kanë një fitim neto mbi 14 milionë lekë. Arsyeja pse ne bëjmë këtë ndërhyrje në ligj është shumë e thjeshtë. Ne nuk duam kurrsesi që bizneset të zgjedhin formën e tyre të regjistrimit për shkak të lehtësirave fiskale apo normave më të reduktuara të tatimit. Ajo që dua të them është që nëse një biznes, një shpk, një korporatë regjistrohet, ajo paguan 15 % tatim fitim dhe 8 % divident, duke e çuar normën tatimore në total 23 %. Ndërkohë, deri dje, persona fizikë kishin tatim fitim 15 % dhe edhe nëse gjeneronin të ardhura të tjera kjo vlerë ishte e pandryshueshme. Norma e tatimit 23 % do të bëjë që bizneset të mos zgjedhin të regjistrohen si persona fizikë vetëm për shkak të përqindjes më të ulët të tatimit dhe për shkak të mos pagimit të dividentit. Pra, do të bëjë një shpërndarje dhe zgjedhje më të drejtë të formave të regjistrimit.

  1. Dua të ritheksoj që tatim fitimi për bizneset me qarkullim deri në 14 mln do të vijojë të jetë zero deri ne vitin 2029,.

Është diskutuar shumë gjatë ditëve të fundit, në komisione dhe në media, për përfshirjen e profesioneve të lira në tatim, duke akuzuar qeverinë se po heq dorë nga tatim fitimi zero për bizneset e vogla. Totalisht e pavërtetë. Janë më shumë se 85 % e bizneseve të cilët do të vijojnë të kenë normën e tatim fitimit zero për qarkullim deri në 14 milionë lekë. Arsyeja pse qeveria shqiptare vendosi që të ndjekë një politikë të tatim fitimit zero dhe të TVSH zero për pragjet kaq të larta është vetëm një, sepse ne duam të nxisim biznesin, të incentivojmë biznesin e lirë, ne duam që biznesi i vogël, si iniciativë familjare, biznesi i cili vendos të regjistrohet për të rritur të ardhurat familjare, të vazhdojë dhe të mbështetet.

Nga ana tjetër, ne nëpërmjet këtij ligji patëm një dukuri e cila ishte e paparashikuar më parë. Ajo që ndodhi ishte që shumë tatimpagues të cilët  punësonin profesionistë apo profesione që lidhen me profesionet e lira, si financiarë, kontabilistë, avokatë e të tilla profesione të lira, filluan të ulnin numrin e të punësuarve për këto profesione dhe t’i kërkonin profesionistëve të hapnin NIPT-e, me qëllim që dhe profesionisti të mos paguante tatim mbi të ardhurat, por edhe biznesi të merrte fatura shpenzimesh të cilat janë të njohura, me qëllim pagimin e një tatimi më të ulët. Pra, na u shfaq një dukuri e erozionit të listë pagesave të tatimpaguesve për këto profesione, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Numri i personave fizikë të regjistruar gjatë tre viteve të fundit me përshkrim të objektivitetit me profesione të lira është rritur në mënyrë të ndjeshme. Nuk ishte ky qëllimi i lehtësimit fiskal që ne bëmë, krijimi i hapësirave për abuzim. Qëllimi ishte nxitja e biznesit të vogël dhe do të vazhdojë të jetë. Nga ana tjetër, të gjithë të punësuarit që vijonin të qëndronin në listë pagesa shfaqën pakënaqësitë e tyre, dhe sidomos të punësuarit me paga të mesme dhe të larta, pasi një avokat që është i punësuar në një kompani paguan 7 herë më shumë tatime dhe kontribute më shumë sot se sa një avokat, i cili hap NIPT-in si person fizik. Do të doja që këtë tua paraqisja me shifra. Nëse do të marrim për bazë një avokat me një pagë 257 mijë lekë, të barabartë me pagën e Presidentit të Republikës. Ky avokat paguan 35.210 lekë tatim mbi pagën ose 13.7 %. Ai paguan 19.500 lekë kontribute ose 7.6 % të pagës bruto, duke e çuar diferencën ndërmjet pagës bruto dhe pagës neto në 54.700 lekë. Pra ai paguan sot 21.3 % të pagës për taksa dhe kontribute. Nga ana tjetër, sot profesionisti i lirë, avokati, i cili ka hapur një person fizik paguan 8 mijë lekë kontribute sigurime shoqërore, pra 3.1 %, ai avokat që ka të ardhura të barabarta me pagën e avokatit që është i punësuar. Pra, paguan 7 herë më pak.

Po si do të ndryshojë ky raport me hyrjen në fuqi të projektligjit? Avokati i cili do të hapë një NIPT si person fizik, tashmë do të paguajë 19.950 lekë tatim mbi biznesin dhe përsëri 8 mijë lekë kontribute si i vetëpunësuar, ose 10.8 % të të ardhurave që gjeneron. Pra, në çdo rast, i vetëpunësuari, person fizik, i cili ushtron aktivitetin si profesionist i lirë do të paguajë 50 % më pagë barrë se të punësuarit, me qëllim që iniciativa e lirë të vijojë të mbështet, por nga ana tjetër të mos jetë inciativë për të shmangur tatimet dhe taksat e listë pagesave.

Kam disa shembuj të tjerë për nivele të ndryshme pagash që do të hyjnë në fuqi nga viti 2024 e tutje.

Nëse një individ ka një pagë bruto 100 mijë lekë, ai ka një normë efektive tatimi mbi të ardhurat 9.1 %, ndërkohë që si i vetëpunësuar do të ketë një normë efektive 6 %.

Një individ që ka një pagë 250 mijë lekë do të ketë një normë efektive tatimi 13.4 %, ndërkohë që si i vetëpunësuar në profesionet e lira do të ketë një normë efektive të tatimit mbi të ardhurat 8.7 %.

Pra, në çdo rast, norma efektive e tatimit do të jetë më e ulët se sa norma e e një të punësuari, pasi tatimpaguesi merr më shumë risqe, është subjekt dhe i taksave lokale, pra ka përgjegjësi të tjera ndërkohë që i punësuari ka një siguri në punën që bën.

 

Ky ligj përcakton taksimin e të ardhurave në dy kategori:

Taksimin e individëve si persona fizikë tregtarë mbi tatimin e të ardhurave personale;

Taksimin e entiteteve juridike mbi tatimin fitimin korporativ.

Ne kemi vendosur që taksimin korporativ ta mbajmë të pandryshuar me ligjin që aktualisht është në fuqi.

 

Gjithashtu, doja të ndalesha te skema dhe sistemi i tatimit progresiv, pra risi është që norma e tatimit progresiv për fitimin neto 14 milionë lekë mbetet 15 % dhe shkon 23 % në të ardhurat në fitim neto më të lartë. Kjo normë vijon të mbetet më e ulëta e mesatares së rajonit.

Unë dua t’ju sjell shembullin e një vendi të rajonit, si Serbia, e cila ka tatim të ardhurat bruto për persona fizikë 20 %. Pra, e theksoj, tatim mbi të ardhurat bruto. E përkthyer në tatim mbi të ardhurat neto kjo normë është e barabartë me 40 %.

Dua t’ju sjell shembullin e vendeve si Italia ku profesionistët e lirë paguajnë për të ardhura neto mbi 50 mijë euro në vit 43 % tatime.

Pra, ne me legjislacionin që propozojmë të futet në fuqi vijojmë te mbetemi vendi që ka normat e tatimeve më të ulëta dhe preferenciale në krahasim me rajonin.

Projektligji, në dispozitat e tatimit mbi fitimin korporativ përfshin disa  zhvillime të reja në fushën e tatimit ndërkombëtar dhe njëkohësisht lehtësojnë korporatën nëpërmjet:

 

  • Zgjatjes së periudhës së mbartjes së humbjeve nga 3 vjet në 5 vjet;
  • Thjeshtimin dhe lehtësimin e shpenzimeve afatgjata nëpërmjet amortizimit linear individual të grupeve makineri/pajisje dhe soft/hardëare;
  • Njehsimit të rregullave të taksimit për kontratat afatgjata;
  • Rregullat e zbatueshme për riorganizimet e biznesit dhe transferimin e aktiveve të biznesit;
  • Njohjen si të zbritshme të vlerës së mbetur të një aktivi që del jashtë qarkullimit;
  • Vendosjen e rregullave transparente në lidhje me borxhin e keq;
  • Vendosjen e rregullave të gjithëpranuara në lidhje me alokimin dhe kufijtë e interesave të kredidhënies etj.

 

  1. Projektligji parashikon rregullat e taksimit të dhuratave dhe trashëgimive, duke parashikuar njëkohësisht edhe përjashtimet nga tatimi për dhuratat/trashëgimitë brenda trungut familjar.

 

Të nderuar deputetë,

 

Projektligji, sa i takon të ardhurave, përgjithësisht propozon ruajtjen e tarifave tatimore ekzistuese, ndërsa cakton një kufi kohor në lidhje me incentivat, tarifat zero dhe tarifat e reduktuara të tatimit për sektorë, industri dhe grupe të caktuara biznesesh.

 

Lehtësimi i barrës tatimore për tatimpaguesit me të ardhura të ulëta, konkretisht i referohet kategorisë me të ardhura nga punësimi në fashën 40 – 50 mijë lekë t’u zbritet e gjithë baza tatimore, pra të mos paguajnë tatim mbi të ardhurat nga punësimi. Njëkohësisht ulet barra tatimore për të gjithë tatimpaguesit me të ardhura nga punësimi në fashën 50-60 mijë lekë.

Efekti në buxhet i kësaj nisme është negativ me rreth -1.1 miliardë lekë.

 

Projektligji propozon që në fushën e shërbimeve dhe kryesisht të furnizimit të shërbimeve profesionale, për shkak të gjithë arsyeve që përmenda më parë, të riskut dhe deformimit të tregut, taksimi i personave me të ardhura deri 14 milionë lekë të fillojë nga data 1 janar 2024.

Ndërkohë do të vijojë të mbetet në fuqi tatim fitimi zero për qarkullimin deri në 14 milionë lekë për të gjithë ato biznese që nuk ofrojnë shërbime profesionale apo që operojnë në fushën e aktiviteteve tregtare.

Kjo masë do të rrijë në fuqi deri në vitin 2029.

Ne e kemi lehtësuar kategorinë e biznesit të vogël, ndërkohë që edhe profesionet e lira do të vijojnë ta kenë shkallën e tatimit mbi vlerën e shtuar zero.

Ne kemi kaluar tashmë në një fazë të re të zhvillimeve ekonomike ku për biznesin nuk ka më vend qasja e informalitetit si një mekanizëm për të rritur përfitimet.

Ne e shohim biznesin si një partnerë të besueshëm me të cilin bashkërisht grumbullojmë të ardhura për ti shndërruar ato në të mira sociale, në shërbime më cilësore dhe në mirëqenie më të lartë për qytetarët tanë.

Në përfundim të fjalës sime do të doja që ta votonit këtë projektligj, pasi do të revolucionalizojë mënyrën e mbledhjes së të ardhurave dhe do të rregullojë të gjithë ato parametra dhe hapësira që deri më tani kanë qenë qenë të paqarta dhe të pakuptueshme, si dhe kanë lejuar hapësira për evazion.

Faleminderit.