I nderuar Z. Kryetar, të nderuar deputetë!
Projekt-ligji për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin ekzistues Organik të Buxhetit, është fryt i një përpjekjeje të gjatë e intensive të Ministrisë së Financave, por jo vetëm e saj. Kemi pasur mundësinë dhe fatin që për këtë projekt-ligj tejet të rëndësishëm për menaxhimin e financave publike, të kishim vëmendjen maksimale dhe asistencën e çmuar të institucioneve ndërkombëtare si: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Departamenti i Ekonomise dhe Financave i Bashkimit Europian, si dhe OECD. Sigurisht që do kisha dashur që sot këtu të ishte dhe opozita, e cila e votoi ligjin në parim dhe do ishte në nderin e saj të ishte sot këtu dhe të votonte Pro sa i takon ngjarjes më të madhe të legjislacionit dhe reformave të financave publike.
Dëshiroj që të sjell në vëmendjen tuaj se nxitja kryesore për të inicuar dhe finalizuar draftin që keni përpara Jush, ka të bëjë me adresimin njëherë e përgjithmonë të problemit të krijimit të detyrimeve të prapambetura, gjë e cila doli në pah fill pas largimit nga pushteti të qeverisjes së mëparshme. Mjafton të risjell në vëmendjen tuaj gropën e madhe prej 72 miliardë lekë, të pashlyera, të prapambetura dhe të parakorduara në buxhetin publik:
Ishte pikërisht kjo shifër alarmante për ecurinë e mëtejshme të financave publike dhe riskut të daljes jashtë kontrollit të borxhit publik, së bashku me nevojën emergjente të përballimit të saj në një kohë sa më të shkurtër të mundshme dhe me efikasitetin e duhur, që e detyroi Qeverinë të ndërmerrte hapa konkretë për të zgjidhur njëherë e mirë situatën.
Një nga arsyet e tjera që e shtyu Qeverinë dhe insitucionet ndërkomëbtare të punonin së bashku për të sjellë këtë ligj ishte situata skandaloze me deficitin buxhetor, i cili në mes të vitit 2013 ishte i harxhuar totalisht. Pra shëmbëlltyra e qeverisë së vjetër, që shkatërron financat publike në vitin elektoral parlamentar është në themel të asaj që s’duhet të përsëritet dhe është në themel të parimeve kryesore, të cilat sot kjo Qeveri i implanton në ADN e menaxhimit të financave publike.
Një nga shtyllat e marrëveshjes me institucionet e FMN e BB, ishte pikërisht ndërmarrja e masave të duhura për eleminimin e këtij fenomeneve. Kam kënaqësinë të deklaroj këtu se projektligji që keni përpara sot i adreson dilemat, pikëpyetjet dhe keqmenaxhimin e shumë e shumë viteve njëherë e mirë, duke eleminuar çdo hapësirë të mundshme për krijimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen apo bërë keqmenaxhimin e financave publike sipas qejfeve. Pra nuk është vetëm qendrim politik, është guxim, përgjegjshmëri e një qeverie, e cila vjen këtu me një ligj, i cili heq çdo hapësirë që një grupim politik dhe një qeveri të mund të abuzojë me financat publike për interesa politike e aq më tepër në vite elektorale.
Shtylla tjeter mbi të cilën u ndërtua dhe funksionon sot marrëveshja e kësaj Qeverie me FMN dhe BB, ka të bëjë me vendosjen e disa rregullave fiskalë të ligjëruar. Kemi debatuar jashtëzakonisht shumë për rregullin fiskal. Është debatuar majtas, djathas, në qendër. Të gjithë kanë folur për borxhin, u rrit borxhi, u ul borxhi. Të qartë dhe të paqartë kanë folur për borxhin publik; të kthjellët dhe konfuzë kanë folur për borxhin publik, ama është kjo qeveri për herë të parë që vendos një rregull të drejtpëdrejt fiskal në Ligjin Organik të Buxhetit. Është ndryshim themelor filozofie i menaxhimit të financave publike dhe është përgjegjshmëri në favor të interesit publik.
Ky ligj sanksionon se në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, apo në planet buxhetore afatmesme borxhi publik do të planifikohet gjithnjë më i ulët se niveli i vlerësuar i vitit pararendës deri në kohën kur niveli i borxhit publik të arrijë poshtë nivelit prej 45% të PBB. Kemi debatuar për shumë vite për një rregull fiskal, ai rregulli i artë fiskal, ja ku është kjo qeveri që më në fund e vendos.
Aspekte të tjera të rëndësishme, sanksionuar në projekt-ligjin e ri organik që po Ju paraqesim sot për miratim, konsistojnë në një sërë shtesash, përmirësimesh dhe riformulimesh.
Kjo qeveri vjen me një ligj që e detyron këtë qeveri dhe çdo qeveri tjetr nesër që në një vit elektoral mos ketë mundësi kurrë të abuzojë si qeveria e vjetër me fondet publike dhe e detyron që brenda gjashtëmujorit çdo qeveri, si kjo qeveri që sjell këtë ligj në Parlament, të mos harxhojë dot më shumë se 55% të deficitit buxhetir brenda 6- mujorit të parë. Ekuilibër në menaxhimin e financave publike dhe kjo bëhet me ligj, jo më me dëshirë të Kryeministrit, Ministrit të Financave apo Qeverisë.
Në të njëjtën kohë ka një legjendë urbane PPP dhe them legjendë urbane, sepse në këndvështrimin tim, partneriteti publik privat funksionon në favor të interesit publik, por sigurisht që ka një nevojë të shihet nga ana e riskut buxhetor dhe nga ana e interesit publik dhe në ligj sankionojmë që të gjitha PPP disiplinohen në mënyrë që të kenë risk të parashikuar fiskal dhe kurrë të mos kalojë mbështetja vjetore për PPP jo më shumë se 5% e totalit të të ardhurave tatimore.
Në përfundim të fjalës time, dëshiroj të ndaj me ju që jam shumë i lumtur që kam fatin dhe përgjegjësinë të sjell këtë ligj në Parlament, i cili bën një revolucion në menaxhimin e financave publike, përbën patjetër një epokë të re në menaxhimin e instrumenteve të borxhit publik, përbën një epokë të re në menaxhimin e investimeve publike, rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të tyre, por nuk dua ta mbyll pa faledneruar të gjithë ata që na ndihmuan ta hartojmë këtë ligj, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, kryetarin Braçe dhe anëtarët për bashkëpunimin aktiv në përmirësimin e këtij ligji, deputetin Cani për iniciimin e këtij ligji, sepse unë e gjeta punën në proces dhe harxhuam gati katër muaj dhe sot me kënaqësi e modesti ju ftoj të votoni një nga dokumentet më të rëndësishme të menaxhimit të financave publike.
Kështu do ta falenderoja dhe opozitën po të ishte këtu, megjithatë gjej rastin ta falenderoj ata anëtarë të opozitës që votuan pro këtij ligji në parim dhe bënë qendrime e sugjerime të rëndësishme, një pjesë e të cilave janë reflektuar këtu.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.