Postuar më: 25/07/2016

Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, mundësi për qytetarët dhe bizneset. Rivlerësimi sot, i lehtëson nga tatimi i një transaksoni potencial nesër.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend:

Besoj që është domethënëse që pas bashkëvotimit me 140 vota të reformës në drejtësi, vjen dhe një ligj tjetër shumë i rëndësishëm për qytetarët që do të votohet edhe nga opozita, sic është ligji i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme i cili ofron një mundësi të kufizuar në kohë por shumë të rëndësishme për të lehtësuar një barrë të mundshme fiskale në të ardhmen, për të gjithë ata që vlera e pasurisë së tyre të paluajtshme, ka akoma të regjistruar vlerën historike dhe ka nevojë të rivlerësohet në vlerën e tregut, për të lehtësuar pastaj tatimin në një transaksion të mundshëm në të ardhmen.

Është një hap i qeverisë në vazhdën e hapave për të ulur taksat dhe tatimet e rënduara që trashëguam. Një kronologji ia vlen ta bëjmë së bashku. E mbani mend kur folëm për tatimin progresiv, thamë që do të lehtësojmë 97% të shqiptarëve dhe e bëmë. Nëpërmjet taksës progresive lehtësuam, me shifrat e sotme të punësimit, 621 mijë shqiptarë. Sot, 621 mijë shqiptarë të punësuar paguajnë shumë më pak sec kanë paguar para 2013 vetëm falë taksës progresive. Dhe në terma konkretë, për shumë kategori, sidomos për klasën e mesme dhe ata të nivelit të pagave të ulëta, përfitojnë pagën e 13-të dhe kjo është rritje reale pagash afërsisht 8.2%. E theksoj, rritje reale pagash 8.2%.

I kemi thënë qeverisë së atëhershme në këtë parlament, opozitës së sotme, ju taksoni sëmundjen. Ju vendosët 10% TVSH mbi ilacet. Taksonit sëmundjen dhe të sëmurin. Ne e hoqëm. Është premtim I mbajtur. Pra, kronologjia politike është shumë e rëndësishme për të mos harruar atë që morëm përsipër të bënim dhe për të mos harruar atë që trashëguam.

Së treti, taksa zero e biznesit të vogël, 83 mijë familje. Ju e keni konsideruar biznesin e vogël si një biznes për t’u mjelë. Ne e konsiderojmë vetëpunësim, për shkak të natyrës dhe kapacitetit që ka. Ne i afruam 83 mijë familjeve taksën zero për biznesin e vogël, për herë të parë në 25 vite.

Ulja shumë e konsiderueshme e cmimit të energjisë; ulja e shumë e konsiderueshme e cmimit të ilaceve. Vetëm me cmimin e ilaceve, sot të sëmurët shqiptarë, ata njerëzit që janë në hall, marrin mbrapsht 70 milionë dollarë në vit, para që ia paguanin sistemit pa të drejtë. Dhe sot, furnizimi është disa herë më i mirë, pra efektiviteti, efektshmëria, ka diferencë shumë të madhe dhe ky është premtim i mbajtur, nëse doni rekorde për taksat dhe taksat e ulëta.

Hapi konkret i rivlerësimit 2%, patjetër është një mundësi reale e një ngarkese të ulët. A përfiton qytetari? Po ju sjell një shifër shumë interesante. Para disa vitesh kur ky instrument u soll në parlament, përfituan 100 mijë aplikime, pra 100 mijë qytetarë të themi. Në vitin ’92-’94 kishte 500 mijë aplikime në ZRPP, pra ka akoma rreth 400 mijë apo dicka më pak qytetarë që atëherë nuk patën mundësinë të përfitonin.

Po cfarë bëjmë me gjithë këto masa? Nëse do t’I numërojmë të gjitha këto masa, sot ne kemi prekur me ulje drastike të paktën 80% të familjeve shqiptare, kjo është qeveria e premtimeve të mbajtura.

Përtej debatit politik që bëjmë këto janë statistika kokëforta; 80% e familjeve shqiptare kanë përfituar lehtësim të drejtpëdrejtë dhe përmirësim të situatës ekonomike.

Po cfarë është shifra 183 mijë të punësuar? Është virtuale? Jo, janë krijesa. Ju I konsideroni përqindje, ne I konsiderojmë individë, qytetarë, të cilët në këtë qeveri, kanë mundur të gjejnë një punë.

Statistika tregon fare qartë ka rënë papunësia në 16.6% dhe trendi është në rënie. Ka rënë papunësia e të rinjve dhe trendi është në rënie. A është e mjaftueshme? Jo, ajo rënie është akoma e vogël, por trendi është I rëndësishëm.

Rritja ekonomike ishe në nivelin zero kur e morëm, sot që flasim është 2.96%. Të gjithë sektorët me përjashtim të industrisë nxjerrëse e minerare dhe nënsektori i peshkimit në degët e bujqësië, kanë shënuar një rënie, të gjithë sektorët e tjerë me rritje. Kjo është diferenca, rritja 2.96% është diferenca dhe është garant si tremujor për të arritur rritjen 3.4% këtë vit. Rritja 2.96% është më e madhe se zero dhe është më e madhe se 0.8% sa e latë në 2013.

Edhe borxhi publik, sepse tha dikush nga ju në Komision, të kthehemi tek 2013. Të kthehemi prap në greminë doni ju? Mezi dolëm. Doni kreditë e këqija? Me rënie. Doni kredinë konsumatore? Me rritje dyshifrore.

Më në fund ekonomia shqiptare ka dale nga kriza me një trend të konsoliduar. Doni indeksin e ndërmarrjeve? Me një rritje të konisderueshme, 3000 biznese më shumë në gjashtëmujor krahasuar me të njëjtën periudhë të 2015. Doni tregtinë me pakicë? Rritje 6.2%. Doni konsumin? Ka tre tremujorë rresht që rritet.

Shikojini këto shifra dhe vlerësojini. Unë nuk them ekonomia është rozë, sepse këtu bëjmë debat serioz, nuk them që atje në terren cdo gjë shkon shumë mirë, por rritja ekonomike sot është e konsoliduar.

Ju sigurisht që nuk e keni pandehur dhe prandaj nuk I pranoni këto shifra. Ditën një kur ne erdhëm në zyra ju keni promovuar skenarin grek. Cfarë skenari po ndodh tani që skenari grek nuk ndodhi, fatkeqësisht për ju dhe fatmirësisht për qytetarët?

Ky është skenari i rritjes ekonomike dhe e kishim parashikuar. Prandaj kronologjia ka sens. E mbani mend ate debatin qesharak para pesë muajsh për inflaconin? Ja ku jemi tani. Sigurisht nuk është ende inflacioni që tregon një puls të madh të ekonomisë, por nuk nuk është as 0.2% apo 0.3%. Edhe këtë muaj në rritje, brenda parametrave të parashikuar.

Doni vlerësimet e FMN apo Bankës Botërore? Pritshmëritë janë tejet pozitive për ekonominë shqiptare. Ka qenë sakrificë patjetër, megjithatë ia kanë dalë qytetarët, se kjo është sakrifica dhe arritja e tyre.

Banka e Shqipërisë thotë drejtpërsëdrejti, është rritur e ardhura e disponueshme 7.6%, e shkruar e zeza në të bardhë, sado ta mohoni.

Ky projektligj që sot kthehet në ligj është shumë I rëndësishëm për qytetarët. Të jeni të bindur që shkaku nuk ka qenë as fushata elektorale, as të ardhurat. Ne nuk i planifikojmë këto të ardhura në buxhet, sepse kur të vijnë, të gjitha do shkojnë në uljen e borxhit.

E debatoni dhe borxhin, patjetër. Për herë të parë qeveria nuk krijon balancë primare negative. Ka të bëjë me përgjegjshmërinë e qeverisë për të krijuar borxh të ri me operacionet e veta dhe kjo qeveri nuk e bën këtë. Këtë vit borxhi do të jetë më I ulët se vitin e kaluar dhe më I ulët se vitet e kaluara, duke filluar trajektoren rënëse.

Mos harroni që kjo qeveri për herë të parë nëpërmjet ligjit organik të buxhetit I ka hequr mundësinë cdo qeverie, të rrisë borxhin dhe I ka lënë detyrë të drejtpërdrejtë me ligj, që ta ulë atë. Nuk ka ndodhur asnjëherë; e keni pasur 60% tavanin, e keni thyer.

Po ashtu, I ka hequr të drejtën vetes dhe cdo qeverie tjetër të abuzojë me instrumentet buxhetor në vit zgjedhjesh parlamentare. Po ka qeveri që e ka bërë këtë gjë në 25 vite me përgjegjshmëri të plotë ndaj qytetarëve? E bëmë ne. E vendosëm detyrim në ligj që asnjë qeveri nuk mund të harxhojë në gjashtëmujorin e parë të vitit zgjedhor parlamentar më shumë se 55% të deficitit. E dini cfarë kishit bërë ju kur e latë? E kishit harxhuar të gjithë deficitin vjetor, 100% të deficitit, që në fund të korrikut. Lënë arka e shtetit bosh.

Dua ta mbyll duke ju thënë që rritja ekonomike nuk duhet t’ju mërzisë, duhet t’ju gëzojë, se nuk ka të bëjë me ju apo me ne, por ka të bëjë me qytetarin.

Unë nuk besoj se është reflektim vota që do t’I jepni këtij ligji, por një shenjë e rëndësishme për qytetarët, është. Falenderoj anëtarët e Komisionit të Ekonomisë që ditën e shtunë e disktuam këtë ligj dhe Kryetarit të Komisionit për mbështetjen dhe ju ftoj ta votoni të gjithë.

Faleminderit,

Të rejat e fundit