Postuar më: 20/07/2019

Lufta kundër informalitetit, Ministrja Denaj inspekton bizneset në zonën e Shkëmbit të Kavajës

Denaj apel bizneseve: Regjistrohuni në QKB dhe organet tatimore

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, ishte sot në terren, në kuadër të zbatimit të masave të Planit Operacional në luftën kundër informalitetit. Ministrja inspektoi disa subjekte që operojnë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, kryesisht në sektorin e hotelerisë.

Ministrja inspektoi një subjekt, i cili kishte rezultuar me probleme lidhur me zbatimin e ligjit, pasi nuk ishte regjistruar në QKB dhe në organet tatimore, ndërkohë të rezultonte i regjistruar si hotel në Booking.

Pasi subjekti u regjistrua në organet përkatëse dhe u pajis me NIPT, nga ana e administratës tatimore u vijua me zhbllokimin e aktivitetit.

Ministrja kërkoi nga të gjithë bizneset që të respektojnë rregullat dhe procedurat ligjore, ndërsa theksoi se regjistrimi i një biznesi duhet të ndodhë së pari në institucionet përkatëse shtetërore në vend, e jo në Booking, si mund të jetë rasti i një hoteli.

“Unë shpresoj që ju të paktën të kuptoni që kjo nuk është e qëllimshme, nuk është për të penguar punën tuaj. Përkundrazi, në momentin që ju u regjistruat dje, ne po e zhbllokojmë menjëherë aktivitetin. Sot është e shtunë, i gjithë ekipi është duke punuar, të shtunë e të diel, dhe në këto situata ne jemi në ndihmën tuaj. Por është e pamundur që të regjistroheni më përpara në Booking përpara organeve administrative në Shqipëri dhe jo vetëm tatimore. Të gjithë regjistrimet janë të nevojshme”, u shpreh znj. Denaj.

Ministrja theksoi rëndësinë e regjistrimit të një biznesi jo vetëm në QKB dhe organet tatimore, por edhe resektimin e të gjithë rregullave të tjera që lidhen me funksionimin e një biznesi, si deklarimi i punonjësve, lidhja e kontratës së energjisë elektrike me OSHEE apo e kontratës së furnizimit me ujë.