Postuar më: 22/02/2022

MFE lançon konsultimin publik të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hapur procesin e konsultimit publik për Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave (SAA) 2022-2026.

Ky dokument i rëndësishëm pasqyron reformat në fushën e politikave tatimore, administrimit tatimor dhe doganor që parashikohen të ndërmerren gjatë një periudhe pesë vjeçare. Synimi i saj është  përmirësimi i politikave fiskale, rritja e të ardhurave tatimore dhe efektivitetit të administratës tatimore dhe doganore në mbledhjen e tyre.

Reformat kryesore tatimore dhe administrative të parashikuara në SAA janë hartuar me asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe janë të bazuara në direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e tatimeve, taksave dhe doganave. Reformat e parashikuara kanë në fokus të tyre përmirësimin e politikave tatimore me qëllim rritjen e neutralitetit të sistemit tatimor, eliminimin e deformimeve të krijuara në sistem, si dhe përmirësimin e nivelit të tarifave tatimore.

Kjo strategji do të shërbejë si një guidë e rëndësishme në vendimmarrjen politike në lidhje me politikat fiskale të vendit, si dhe në vendimmarrjet e operatorëve ekonomikë në lidhje me strategjitë e biznesit, të cilat kërkojnë qëndrueshmëri në politikat fiskale me qëllim programimin e veprimtarisë dhe aktiviteteve në terma afatgjatë.

Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, bazuar në reformat e prezantuara, i ofron qeverisë një pasqyrë të qartë të nivelit të të ardhurave tatimore të pritshme në secilin vit të kësaj periudhe 5 vjeçare, sikurse i ofron operatorëve ekonomikë pamje të qartë dhe mbi të gjitha më shumë siguri, mbi mënyrën se si do të trajtohen dhe cilat do të jenë detyrimet tatimore në lidhje me vendimet që do ndërmarrin për investimet e tyre.

Reformat tatimore të propozuara në këtë Strategji 5 vjeçare 2022-2026, parashikohet që në fund të saj, të rrisin të ardhurat tatimore me rreth +2.55% të PBB-së, duke e çuar koeficientin “Të ardhura tatimore/PBB” në 27.75% nga 25.20% që ka rezultuar në vitin 2019. Ndërkohë, totali i të hyrave në buxhet në fund të kësaj periudhe synohet të jetë mbi 30% të PBB-së, nga 27.20% që ka rezultuar në vitin 2019.

Procesi i konsultimit publik për SAA do të zgjasë 30 ditë. Ftohen të gjithë të interesuarit që të dërgojnë komentet e tyre në adresën e-mail: Zarina.Taja@arkiva.financa.gov.al dhe sekretariazv1@arkiva.financa.gov.al .

 

Në linkun më poshtë mund të njiheni me Raportin e Asistencës teknike të FMN mbi Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave:

https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2022/02/17/Albania-Technical-Assistance-Report-Tax-Policy-Reform-Options-for-the-MTRS-513275