Postuar më: 01/09/2015

Ministri Cani: Informaliteti dhe evazioni nuk kanë lindur pas shtatorit 2013

Kur Aleanca për Shqipërinë Evropiane mori drejtimin e vendit, situata ekonomike e vendit ishte në ditën më të zezë pas vitit 1997:

  • Ne kishim në dyert tona 10 miliardë lekë që prisnin në thesar për t’u paguar dhe nuk kishte para për t’i paguar;
  • Borxhi i trashëguar, i pa deklaruar, i fshehur, ndaj biznesit, vlerësohej në mbi 70 miliardë lekë;
  • Borxhi publik kishte arritur faktikisht mbi 70% të PBB-së;
  • Realizimi i të ardhurave nga tatimet dhe doganat ishte 87.5% e planit (mungonin 23.3 miliardë lekë).

Në këtë situatë, në bazë të programit elektoral dhe atij qeverisës, ndërhymë për kryerjen e reformave dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ndërmorëm:

  • Reformën në fushën e taksave – ulëm taksat për 97% të popullsisë;
  • Programuam shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Sot themi se janë shlyer mbi 60 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj biznesit;
  • Ndërmorëm një sërë reformash në ekonomi ku mund të përmend atë në arsim, në rendin publik, shëndetësi, energji, pensione, reformën administrativo-territoriale dhe sot atë kundër informalitetit, etj.

Të gjitha këto reforma synojnë stabilizimin dhe qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit, me synim rritjen ekonomike, me synim uljen e borxhit publik, si dhe përmirësimin e mirëqënies të qytetarëve tanë.

Si rezultat i reformave të ndërmarra në vitin 2014 nuk duhet të harrojmë se janë realizuar rreth 40 miliardë lekë ose 400 milionë dollarë më shumë të ardhura nga vitin 2013. Në vitin 2015, në këtë 7-mujor janë realizuar mbi 10 miliardë lekë më shumë të ardhura sesa në vitin 2014, edhe pse nuk kemi arritur atë që ne kemi synuar.

Më lejoni të ndalem pak në akuzat që na bëhen për rreth 15.5 miliardë lekë kontrabandë apo evazion, si duan t’i quajnë, në tatime dhe dogana. Me përgjegjësinë qeverisëse dhe për transparencë me publikun më lejoni të sqaroj që nuk është aspak e vërtetë. Do t’i marr zë për zë, në mënyrë që të përgjigjem realisht dhe ashtu siç duhet, pas një analize të plotë të gjendjes:

  • 2.3 miliardë lekë nga 15.5 miliardë lekë që mungojnë, janë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Çmimet në këto tregje nuk varen nga qeveria Shqiptare. Ne, si qeveri, jemi ose përfitues, ose humbës/të dëmtuar nga konjuktura ndërkombëtare. Në rastin konkret jemi humbës për 2.3 miliardë lekë.
  • 1.3 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike. Jemi të lumtur që në sajë të masave të marra, ndoshta edhe të ndihmës nga shiu, ne nuk importuam. Kuptohet që nuk realizuam të ardhurat, por fituam një gjë të madhe për ekonominë, atë që ne synojmë: që të prodhojmë në vend sa më shumë.
  • 1.2 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së normave të interesit bankar dhe pagesës së dividentit. Normat më të ulëta të interesit janë të dobishme për ekonominë, sepse nxitet kreditimi dhe biznesit i krijohet më shumë hapësirë për të marrë kredi me interesa të ulët dhe, doemos, që ndikojnë në të mirë, në dobi të zhvillimit ekonomik, edhe pse për momentin na japin të ardhura më të ulëta. Mos harrojmë që ulja e shpenzimeve nga interesi në buxhet kanë qenë shumë më të mëdha nga kjo humbje që kemi nga ulja e normave të interesit.
  • 730 milionë lekë mungojnë për shkak të lehtësive fiskale në importimin e makinerive dhe lëndëve të para. Këtë kemi synuar, që të lehtësojmë hyrjen e makinerive dhe lëndëve të para për të prodhuar sa më shumë në vend. Humbëm diçka nga të ardhurat, por fituam shumë nga ekonomia, fituam shumë nga e ardhmja, sepse qartësisht nxitet prodhimi vendas.
  • 500 milionë lekë mungojnë nga importi i prodhimeve  ushqimore. Përsëri një e mirë e madhe; bujqësia po prodhon më shumë. 44% më shumë është rritur eksporti i mallrave bujqësore. Ne humbëm diçka nga të ardhurat, gjysmë miliardi, por kemi fituar më shumë nga prodhimi vendas, atë që kemi synuar. Dhe kishim një program të veçantë për këtë punë.
  • 2.2 miliardë lekë i mungojnë buxhetit për arsye se TVSH-ja e rimbursuar me sistemin e ri automatik të IT, që ne vazhdimisht e kemi përmendur në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, na ka “imponuar” ose ne e kemi bërë me dëshirë, (por sipas rastit ta zgjedhë kush të dojë fjalinë e duhur) kemi rimbursuar më shumë ndaj biznesit, duke i dhënë atë që i takon, ndryshe nga ç’ishte bërë nga qeveria e mëparshme që i mbanin çdo vit nga 2-3 miliardë lekë rimbursim TVSH-je, pa ja dhënë biznesit. Dhe u detyruam, në këtë 60 miliardë, është pjesë edhe kjo. Ne hoqëm dorë nga kjo taktikë, që t’ja mbajmë biznesit dhe t’ja japim buxhetit me të padrejtë; ja dhamë atij që i takon.
  • 2 miliardë lekë mungojnë thjesht për shkak të një ndryshimi procedural në raportimin e taksës së qarkullimit, karbonit dhe ambalazhet. Është shumë e thjeshtë, në vend që ta raportonim në 31 korrik si të ardhur, (ajo aty është) ne, në sistemin e ri të IT, e raportojmë në 15 gusht. Kështu, për pasojë, këtë vit do të kemi humbje të kësaj shume prej 2 miliardë lekësh, thjesht për çështje raportimi.
  • 2 miliardë lekë mungojnë për shkak të rritjes më të ulët të inflacionit. Inflacionin e kishim parashikuar që do të ishte 2.5%. (inflacioni, për publikun e gjerë përtej nesh, është rritja e çmimeve). Nuk u vërtetua rritja e çmimeve që ne kishim parashikuar si rezultat i zhvillimit më të mirë të ekonomisë botërore. U vërtetua vetëm 1.3%; kjo diferencë na jep të ardhura më të pakëta. Për qartësim të publikut, do të marr një shembull: nëse ne kishim llogaritur që do të kishim 100 lekë më shumë në ekonomi nga rritja e çmimeve, vetëm TVSH-ja  e zbatuar mbi 100 lekë do të jepte 20 lekë taksë për organet fiskale. Në fakt u vërtetua vetëm 50 lekë. Dhe shumë mirë që nuk u rritën çmimet. E zbatuar 20%, TVSH-ja mbi 50 lekë (jo më mbi 100 lekë), jep vetëm 10 lekë dhe jo 20 lekë, pra të ardhurat ranë vetëm nga ky efekt. Ku është qeveria këtu?!
  • 3.2 miliardë lekë mungojnë për shkak të akcizës së cigareve. Ka rënë dukshëm, nga të gjithë treguesit, importi cigareve; është zëvendësuar me prodhim vendi, i cili nuk është i përfshirë dhe është i rregjistruar dhe kjo ka sjellë të ardhura mangët në buxhetin e shtetit. Edhe sikur të ishte i rregjistruar, do të merrnin vetëm gjysmën e këtyre të ardhurave, për arsye se ky është sistemi i taksimit që kemi zbatuar për të nxitur prodhimin e vendit. Këtë e vërtetojmë lehtë, sepse është rritur importi i letrës së cigares me 70 %, pra ka gjetur përdorim vendas.

Po t’i mbledhim të gjithë këta faktorë, bëjnë diçka më tepër se 15 miliardë lekë, bëjnë 15.5 miliardë lekë që i mungojnë buxhetit.

Kjo është transparenca jonë për shqiptarët, për shifrat; ndërkohë jeni mësuar të dëgjoni nga qeveria e shkuar që mungojnë mbi 1 miliard dollarë.

Analiza e thelluar dhe realiste që bëmë për ecurinë e realizimit të të ardhurave, jo vetëm na ka ndihmuar për transparencë dhe përgjegjshmëri në këtë qeverisje, por na bëri të vetëdijshëm edhe për domosdoshmërinë e ndërmarrjes së kësaj reforme, ndoshta më të komplikuar nga reformat e ndërmarra deri tani, që ka të bëjë me praninë e informalitetit dhe evazionit në ekonomi.

Informaliteti dhe evazioni nuk kanë lindur pas shtatorit 2013. Këto sëmundje gërryese të ekonomisë dhe të demotivimit të biznesit dhe konsumatorit të ndershëm, kanë qenë bashkëshoqëruese të periudhës së ndërtimit të demokracisë. Për herë të parë kjo Qeveri ndërmerr një reformë gjithëpërfshirëse, me guxim, duke përfshirë këdo, duke filluar nga vetë administrata fiskale.

Pasi përfunduam me realizimin e premtimit tonë elektoral dhe qeverisës për reformën në fushën e politikave fiskale, tani jemi pozicionuar në zbatimin e drejtë të raportit të individit dhe biznesit ndaj shtetit. Lufta jonë ndaj informalitetit nuk është një fushatë kryqëzuese për biznesin, por është një përpjekje serioze për të mbrojtur pikërisht biznesin dhe konsumatorin e ndershëm. Secili duhet t’i paguajë shtetit atë dhe për aq sa i takon.

Suksesi i këtij operacioni dhe kësaj reforme është në interes dhe dobi të çdo biznesi dhe konsumatori. Me suksesin e kësaj reforme do të sigurojmë rritjen e pagave dhe uljen e taksave. Prandaj, kërkojmë mbështetjen dhe mirëkuptimin e të gjithëve, për një luftë pa kompromis për çdo shfaqje të informalitetit dhe evazionit.

Ju faleminderit dhe suksese së bashku!

Të rejat e fundit