Postuar më: 29/01/2016

Ministri Cani: Nuk ka asnjë gjë antikushtetuese dhe të pafavorshme në projektin tonë.

Një bisedë në një nga televizionet e vendit, m’u desh ta filloja me një shembull të thjeshtuar, duke synuar për t’u kuptuar nga të gjitha shtresat e popullsisë. Por duke qenë se këtu shoh se edhe ish pedagogë, edhe ekonomistë, nuk e kanë kuptuar, po e them edhe njëherë atë që thashë për ata bashkëfshatarët tanë kudo që janë, po e them për bashkëdeputetët tanë, që nuk e kanë konceptin, po e them, nuk do mërzitem për ta thënë prapë, (dhe do të them po të njëjtin shembull)…

Rastin e një fshatari që po punonte tokën me parmendë, me dy qe të lodhur, i cili ka pas gruan për të hedhur farën, për të mbjellë prodhimin dhe që në fund të vitit shpreson të fitojë 100 lekë. Në atë rrugë i kalon një me traktor dhe i thotë: “Sa do fitosh?”- 100 lekë! “Po po ta punoj unë tokën me traktor dhe ti fiton 200 lekë, a m’i jep mua 50 lekë dhe ti të marrësh 150 lekë? “

Përgjigjja e parafolëses është: “Jo, jo, pse do marrësh 50 lekë ti!”

Parafolsja merret me faktin pse merr ai traktoristi 50 lekë, nuk ka hallin se fshatari do marrë 150 lekë!

Nuk ka për të marrë mendjen tënde ai fshatari, po do i thojë: “Bujrum, punoje tokën dhe më jep mua 150 lekë”!

Meqë e donit shembullin, merreni, studiojeni, se doni kohë ta përpuni dhe të na ktheni përgjigjen: “Po apo Jo”? Do bëheni ju me atë fshatarin, apo do t’i tregoni ca teori librash, që nuk di ku i gjeni! Po kjo është puna juaj!

Po ju përgjigjem shkurt, se nuk ja vlen të zgjatem me ju. Po u përgjigjem shkurt disa prej çështjeve që ju nuk doni, nuk doni dhe s’keni për të dashur kurrë t’i dëgjoni të paktën, se pastaj, doni apo nuk doni ta çoni atje ku duhet, kjo është puna juaj.

Kemi thënë: Nuk, nuk, nuk do të mblidhet TVSH, çfarë do që të thoni ju, nuk është projekt për të mbledhur TVSH, është platformë teknologjike.

Thoni se është antikushtetuese! Nuk është antikushtetuese, edhe sikur të mblidhej. E dini se kush e mbledh TVSH, se po çudisni dynjanë? Shitësit e mbledhin! Shitësit e mbledhin TVSH për llogari të shtetit. Ku është antikushtetueshmëria? Shteti nuk heq dorë nga TVSH, e merr ai TVSH, nuk e çon në shtëpi shitësi. Pse filozofoni, pse kërkoni të ngatërroni njerëzit e thjeshtë, që e kuptojnë shumë më qartë nga ju?

…Po tani po ju shpjegoj zonjë, siklet e kam në fakt se jemi të dy ekonomistë dhe dua të kemi mirëkuptim mes ekonomistësh, pastaj me ju.. ju do e ngrini në rrafsh filozofik dhe do na vështirësoni shumë punën!

Kushte dukshëm të disfavorshme?! Nga e nxorrët që kushtet janë dukshëm të disfavorshëm? Eshtë shumë qartë e thënë: në 17 vjet, duke përjashtuar kohën e krizës suaj, mesatarja e TVSH-së që unë mbledh, pa asnjë teknologji, është 11%. Po mblodhe mbi 11%, do merremi vesh bashkë për të ndarë fitimin. Po e realizove poshtë 11%, ti nuk do marrësh gjë, shpenzimet operative do i mbash ti, unë do të të paguaj 1/10. Nëse do të bëjë investimi 10 milionë euro, unë çdo vit vetëm 1 milion euro do të të mbuloj këtë kosto, jo kostot e tjera.

Për qartësinë tuaj dhe të kujdo: Këto që themi nuk kanë shkuar akoma në tender, por kur të shkojë puna në tender ne themi se kostoja është deri në 10 milionë, deri këtu pranohet. Kush dëshiron të ofrojë, 9, 8, 7, 6, 5 milionë do dalë fitues. Ne themi “kush do të japë më pak, do të dalë fitues”.

Ku i shihni kushtet e pafavorshme? Ku janë kushtet e disfavorshme, që terrorizuat Shqipërinë, shqiptarët, dhe ata që duan të vijnë në terndera! Lërini të qetë, të vijnë të tenderojnë, të konkurrojnë, të fitojnë, të vijë platforma teknologjike, sepse sot jemi mbrapa me teknologjinë. Ne kërkojmë teknologji, brenda mundësive. S’ka buxheti para, po gjejmë një mënyrë për të futur teknologjinë, që të fitojmë më shumë dhe që të ndajmë fitimin. Askush nuk vjen për të humbur këtu.

Ju thoni një partnerit publik privat jashtë një mandati qeverisës?!

Po mirë, nuk doni të lexoni ligjin, nuk doni të shikoni praktikat tuaja se nuk keni qënë në qeveri? Nuk doni të shikoni praktikat ndërkombëtare? Eshtë tej një mandati partneriteti publik privat, si rregull! Është tej një mandati. E dini që keni dhënë kontrata edhe 30 vjeçare? E dini sa është është kontrata e një hidrocentrali, meqë doni t’i përziejmë koncensionin me partneritetin public dhe privat? Ju nuk e dini që kanë diferencë! Si mund të jepet një hidrocentral? Për 3 vite? Po për tre vite ai nuk ndërtohet. Nga i nxirrni këto teori?! Pse doni ta çorodisni gjithëkënd? Në vend që t’i hyni dhe të merreni me thelbësoren- a është eficiente, a është sistemi që duhet apo jo, ju merreni me ca gjëra që nuk i hyjnë në punë kujt! Domethënë, hajde ti, investo 10 milionë,100 milionë, 3 vjet të jap afat?! Po për tre vjet nuk e vë dot në punë. Cila rrugë mund të bëhet për tre vite?

Do paguajmë dhe do dalim me humbje si qeveri? Më duket se e shpjegova dhe nuk arrij dot ta kuptoj se ku doli me humbje qeveria. Edhe njëherë, ne, grupi teknik kemi bërë një mesatare për 17 vite sa kemi mbledhur TVSH dhe themi:  “11% i mbledhim vetë, po deshe të vish, i themi kujtdo se është tender i hapur ndërkombëtar, po realizove mbi 11%, do shlyesh kostot e tua, investimin tënd dhe do të ndajmë edhe fitimin”. Ku është humbja për qeverinë?

Po dole poshtë këtyre treguesve, do të ta paguajmë çdo vit 110 e investimit, pa interes. Ju e dini, në 6-7 vite dyfishohet vlera dhe ne themi “do të marrësh vetëm aq sa do të investosh”. Ku është humbja?! Në fund përfitohet sistemi, sepse sistemi mbetet yti. Merr një praktikë pune dhe mbetet jotja. Ku është humbja këtu, unë nuk e kuptoj se ku e shihni ju?!

Që të jem i sinqertë, ndoshta duhet ta mbyll, se nuk ja vlen t’ju jap përgjigje për çdo gjë.., pse bëheni gojëhidhur dhe keqdashës, po deri në ekstrem! Pse gojëprishur deri në themel? Para se të më përgjigjeni, shkoni bisedoni me atë fshatarin që po mbjell atje, se mbase ua jep përgjigjen!

Faleminderit!

Të rejat e fundit