Postuar më: 15/12/2020

Ministrja Denaj : I qëndrojmë propozimeve dhe parashikimeve për Buxhetin e vitit 2021

 

Në vijim të Dekretit dhe argumenteve të Presidentit të Republikës për ligjin e “Buxhetit të Vitit 2021”, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, në mbledhjen online të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat,  solli në vëmendje të anëtarëve disa arsyetimet se pse ky është buxheti i Rimëkëmbjes dhe që i shërben qytetarëve.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishin të ardhurat, ku Ministrja theksoi se të ardhurat e buxhetit, nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kanë qenë gjatë gjithë vitit 2020 në ndjekje dhe analizim të situatës, duke adresuar problematikat buxhetore të lindura për shkak të pandemisë,  nëpërmjet akteve normative.

Te ardhurat tatimore të buxhetit në vitin 2020 do  të rezultojnë në nivelin rreth 98% krahasuar me nivelin e projektuar nëpërmjet aktit normativ të korrikut 2020.

Të ardhurat totale të buxhetit 2021, krahasuar me buxhetin 2020 janë parashikuar me rritje +0,6 % e PBB-së dhe jo +2,5 % sikurse thuhet në letrën e Presidentit.

“Sigurisht ne po punojmë së bashku me FMN-në këtë vit për të implementuar një projekt afatmesëm të rritjes së të ardhurave dhe jam e bindur që vitin e ardhshëm ky objektiv do të vazhdojë të zbatohet, për të synuar një rritje të të ardhurave ndaj PBB-së me të paktën 3%, ku një pjesë e konsiderueshme është mirëadministrimi fiskal, që është një pjesë e rëndësishme e implementimit. Një nga vështirësitë kryesore në aspektin e realizimit të të ardhurave është informaliteti, që nuk mund të zhbëhet në një ditë, por dëshiroj që të vlerësohet edhe nga zyra e Presidentit, përpjekja për hartimin e ligjeve të rëndësishme që kemi çuar parë këto dy vjet, duke filluar nga Fiskalizimi apo edhe me ligje, që janë pjesë e paketës Moneyval. Janë 6 ligje të kësaj pakete dhe janë dy regjistrat e ardhshëm që do të krijohen në fillim të vitit tjetër”, tha Ministrja Denaj.

Një tjetër aspekt ku Ministrja Denaj u ndal, gjatë diskutimit në Komision, ishte edhe rritja e pagës mesatare nga 2013 në 2019 me 22.4%.

“Sigurisht diferencat do të shkojnë nga një vit në tjetrin, por nuk është hera e parë që bëhen rritje pagash, në sektorin e shëndetësisë , arsimit, si dhe në sektorë të tjerë. Jemi duke folur për një vit të vështirë, ku shëndetësia ka fokusin kryesor dhe ku pagat e mjekëve, laborantëve dhe të gjithë personelit janë vendosur në themel të një rritje të konsiderueshme me 40% mbi pagën funksionale”, tha Ministrja Denaj.

Borxhi publik, ishte gjithashtu një temë tjetër, ku Ministrja Denaj u fokusua në fjalën e saj, ku theksoi se konsolidimi fiskal është një objektiv, i cili edhe në Ligjin Organik të Buxhetit është vendosur në vëmendje të veçantë për vitin 2023.

“Funksionet ‘stabilizuese’ të politikës fiskale dhe buxhetit të shtetit shkojnë deri në atë masë optimale ku nuk rrezikohet qëndrueshmëria afat-mesme dhe afat-gjatë e financave publike dhe stabilitetit makroekonomik në tërësi, dhe pikërisht ky kriter kryesor ka udhëhequr politikën fiskalë të materializuar në projektbuxhetin 2021.

 

Për rrjedhojë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, i qëndron propozimeve dhe parashikimeve në Buxhetin e vitit 2021”, tha Ministrja Denaj.