
Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi konferencën “CEFTA-Kthimi i Sfidave në Mundësi”, në kuadër eventit “CEFTA Week 2019” dhe në përmbyllje të kryesimit të CEFTA-s për këtë vit nga Shqipëria.
Në këtë konferencë merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj, Anila Denaj; Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, znj. Genoveva Ruiz Cavalera; përfaqësues të qeverive dhe përfaqësues nga dhomat e tregtisë dhe industrisë të vendeve anëtare të CEFTA-s, etj.
Ministrja Denaj mbajti fjalën hapëse të konferencës, gjatë së cilës bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të trajtuara dhe arritjeve gjatë kryesimit të CEFTA-s nga vendi ynë.
Ministrja theksoi faktin se gjatë vitit 2019, Shqipëria, së bashku me palët anëtare në CEFTA, ka punuar intensivisht për realizimin e objektivave në lehtësimin e tregtisë, integrimin rajonal mes vendeve, duke synuar së pari në rritjen e zhvillimin ekonomik dhe përfitimeve direkte dhe indirekte për qytetarët.
“Ky është dhe një moment reflektimi për ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe rajonalë, si dhe është një moment për të vlerësuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë duhet të funksionojë më mirë në të ardhmen”, u shpreh znj. Denaj.
Sipas Ministres, dialogu konstruktiv mes palëve është kyç për të zgjidhur problematikat e hasura në marrëdhëniet ekonomike mes vendeve anëtare të CEFTA, kryesisht problematikat e lidhura me qarkullimin e mallrave, të cilat duhet të adresohen nëpërmjet tryezave të diskutimit dhe bashkëpunimit efektiv rajonal. Për zgjidhjen e problematikave, shtoi znj. Denaj, është mjaft e rëndësishme edhe përfshira e sektorit privat në këto diskutime.
“Synim final i marrëveshjes mbetet eleminimi i barrierave jo tarifore e më gjerë dhe materializimi i shkëmbimeve tregtare të rritura në vijueshmëri. Kryesimi i CEFTA-s në vitin 2019 na ka angazhuar ne si Shqipëri për të realizuar një dialog bashkëpunimi intensiv, i cili ka realizuar disa suksese, por ka shumë punë për të bërë dhe nëse të gjithë do të fokusohemi në një bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, jam i bindur se viti tjetër me kryesimin e Bosnje-Hercegovinës do të jetë edhe më i suksesshëm”, u shpreh Ministrja.
Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, znj. Genoveva Ruiz Cavalera, tha se bashkëpunimi mbetet faktor kyç në rrugën europiane të rajonit, bashkëpunim që vjen edhe si detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim Asoccimit që çdo vend i rajonit ka me BE e në këtë drejtim, implementimi i CEFTA-s është një detyrim.
Znj. Cavalera vlerësoi arritjet e CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë mes vendeve të rajonit dhe shprehu bindjen se ka akoma mundësi për progres të mëtejshëm në këtë drejtim, ndërsa vlerësoi edhe synimin e krijimin e një zonë ekonomike rajonale, duke e konsideruar thelbësor në zhvillimin e potencialit ekonomik të rajonit.
Fjala e Ministres Denaj:
Të nderuar pjesëmarrës, bashkëpunëtorë dhe kolegë,
Shqipëria, në këtë vit të kryesimit të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore – CEFTA, së bashku me të gjithë palët anëtare vijoi në mënyrë intensive punën për të realizuar objektivat në lehtësimin e tregtisë, integrimin rajonal mes vendeve dhe palëve, duke synuar në radhë të parë zhvillimin ekonomik, përfitime direkte dhe indirekte për të gjithë qytetarët.
Si kryesues të CEFTA-s në këtë vit kemi pasur kënaqësinë të drejtojmë edhe Komitetin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Nënkomitetin e Tregtisë në Shërbime.
Ky është dhe një moment reflektimi për ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe rajonalë; si dhe është një moment për të vlerësuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë duhet të funksionojë më mirë në të ardhmen.
CEFTA ka qenë dhe mbetet një forum ku diskutimi dhe negocimi mes palëve duhet të sjellë progres dhe gjetjen e zgjidhjeve të prekshme për të gjithë anëtarët. Përgjatë kësaj periudhe kemi hasur edhe pengesa, kryesisht ato të lidhura me qarkullimin e mallrave, të cilat pa diskutim duhet të adresohen dhe të zgjidhen, në tavolina diskutimi dhe nëpërmjet bashkëpunimit rajonal efektiv.
Komunikimi konstruktiv është kyç për të realizuar zgjidhjen e këtyre problemeve dhe një element shumë i rëndësishëm për ta konsideruar është përfshirja e sektorit privat, si një aktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe një emërues themelor në prioritetet tona.
Synim final i marrëveshjes mbetet eleminimi i barrierave jo tarifore e më gjerë dhe materializimi i shkëmbimeve tregtare të rritura në vijueshmëri.
Sot, rreth 25% e tregtisë së CEFTA-s është tregtia ndër-rajonale dhe rreth 75% për pjesën tjetër të botës, kryesisht me BE-në. Në fund të vitit që lamë pas, shkëmbimet tregtare vetëm midis Shqipërisë dhe palëve të CEFTA-s tejkaluan vlerën e 750 milion euro, mbi 300 milionë Euro në importe dhe 400 milion Euro në eksporte. Trendi pozitiv i shkëmbimeve tregtare në vitet 2014-2018 ka pësuar një rritje të përvitshme mesatare në nivel prej 6%, ndërkohë që shifrat e 11 mujorit të 2019 reflektojnë potencial për tejkalimin e realizimit të viteve të shkuara.
Ky është një sinjal pozitiv për të githë bizneset shqiptare dhe ato në vendet e rajonit.
Burimi kryesor për zhvillimin e ekonomive tona kombëtare dhe rajonale është komuniteti i biznesit me aftësinë dhe fleksibilitetin e tij për t’u përshtatur menjëherë me ndryshimet e marrëveshjeve ndërkombëtare apo rajonale dhe përmirësimet që sjellin këto ndryshime.
Roli i çdo anëtari të CEFTA-s është krijimi i lehtësisë legjislative dhe rregullatore për të siguruar harmonizimin, thjeshtësimin dhe standardizimin e legjislacionit, procedurave dhe dokumentacionit.
Sa më sipër, për të sjellë një volum të shtuar mes të gjitha palëve përmes masave të shtuara të marra.
Prandaj, çdo protokoll dhe çdo marrëveshje do të mbetet një instrument prioritar për të lehtësuar kalimin e mallrave, informacionit, kapitalit dhe njerëzve.
Më lejoni që shkurtimisht të përmend disa nga përpjekjet dhe arritjet që CEFTA ka arritue gjatë këtij viti:
Pas kësaj liste me disa elementë të cilët kanë qenë pjesë e punës së grupeve teknike të të gjithë anëtarëve të CEFTA-s, përfshirë pjesëmarrësit që sot janë në këtë konferencë, qëndron një punë shumë intensive gjatë gjithë këtij viti. Ndaj, më lejoni të falënderoj të gjithë pjesëtarët që kanë punuar dhe ekipin e CEFTA-s në veçanti.
Palët e CEFTA-s kanë treguar vullnet dhe shpesh kanë këmbëngulur deri në identifikimin e zgjidhjeve më të mira dhe gjithëpërfshirëse për çështje madhore të rajonit, duke e bërë CEFTAn një forcë dinamike transformuese dhe duke i kthyer sfidat në mundësi.
Megjithatë, ka shumë punë për të bërë. Kryesimi i CEFTA-s në vitin 2019 na ka angazhuar ne si Shqipëri për të realizuar një dialog bashkëpunimi intensiv. Ky dialog ka realizuar disa suksese, por mendojmë se ka shumë punë për të bërë dhe nëse të gjithë do të fokusohemi në një bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, jam i bindur se viti tjetër me kryesimin e Bosnje-Hercegovinës do të jetë edhe më i suksesshëm.
Ju falënderoj dhe punime të mbara në konferencën e sotme.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.