


15 shkurt 2019 – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Valletta, Maltë. Në këtë takim merrnin pjesë Ministrat e Financave të vendeve anëtare të këtij grupi, si Italia, Greqia, Portugalia, Malta, San Marino dhe Timori Lindor.
Rritja e efektivitetit të vendeve anëtare si dhe zhvillimet më të fundit të dy institucioneve ndërkombëtare nga aspekti i Konstituencës, ishin dhe temat që u diskutuan në këtë takim, ku nuk u lanë pas zhvillimet e ekonomisë globale dhe ato të ekonomive rajonale. Një vend të rëndësishëm në diskutimet mes pjesëmarrësve ishte dhe prezantimi i paktit të ri social bazuar në analizat më të fundit analitike të FMN dhe BB.
Në bazë të këtyre diskutimeve u theksua nga pjesëmarrësit kërkesa për një rishikim të politikave aktuale që fokusohen ngushtësisht te pabarazia e të ardhurave. Gjithashtu duhet një vëmendje më e madhe te politikat për mundësi të barabarta për punësim, edukim dhe barazi gjinore. Pjesëmarrësit në këtë takim i vlerësuan këto faktorë si mjaft të rëndësishëm dhe si mjete për arritjen e një zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës.
Ministrja Denaj dhe Guvernatori Sejko zhvillun takime me z.Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore dhe z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri dhe rajon, si dhe reformat e ndërmarra për të përballuar sfidat që po kalon ekonomia globale.
Shqipëria është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej vitit 1991 dhe bën pjesë në të njëjtën konstituencë me Greqinë, Italinë, Maltën, Portugalinë, Timorin Lindor dhe San Marinon.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.