Postuar më: 03/09/2019

Ministrja Denaj prezantoi projektligjin “Për mbrojten shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë”,

Gjatë fjalës së saj para deputetëve të komisionit znj. Denaj tha se : “Ratifikimi i kësaj marrëveshje krijon mundësi për përfitimin e pensioneve për rreth 70,000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Kanada, si dhe shtetasve kanadezë, të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri si të punësuar nga kompani investitorë në industrinë nxjerrëse, minerare e energjetike, apo të vetëpunësuar.

“Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet. Marrëveshja e Mbrojtjes Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Gjithashtu, ajo garanton që personat, të cilët lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme merren në konsideratë për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre. Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë”, tha ministrja Denaj.

Marrëveshja krijon hapësira ligjore për mbrojtjen e emigrantëve shqiptarë përveçse në Kanada edhe në vendet e tjera me të cilët këto dy vende kanë marrëveshje.

Ajo  vjen në vazhdën e një sërë marrëveshjeve të tjera të miratuara, si me Belgjikën, Luksemburgun, Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Rumaninë, Republikën Ceke, Gjermaninë, Austrinë, Turqinë dhe Kosovën.

Ratifikimi është procesi përfundimtar me anë të të cilit Kuvendi i Shqipërisë jep miratimin përfundimtar të projektligjit.