Postuar më: 21/03/2019

Ministrja Denaj: Të angazhuar për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin

Ministrja Denaj: Të angazhuar për krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin

Mblidhet Komiteti Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë

Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë zhvilloi takimin e parë për vitin 2019 me aktorët institucionalë dhe përfaqësuesit e bizneseve ku u diskutua mbi potencialet e lehtësimit të tregtisë për operatorët në vend. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anlila Denaj, u shpreh gjatë fjalës hapëse se roli i Komitetit për vitin 2019 është i një rëndësie të veçantë, pasi prej Janarit të vitit 2019 Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

Ministrja ftoi aktorët pjesëmarrës në këtë komitet për sugjerime mbi zbatimin e suksesshëm të protokolleve të kësaj marrëveshjeje në kuadër të lehtësimit të  tregtisë, si edhe mbi hapat e mëtejshëm në kuadër të realizimit të Programit të Operatorëve Ekonomikë, si një nga prioritetet e vitit 2019.

Ministrja Anila Denaj vuri theksin te përfitimet që bizneset kanë nga programi i Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar dhe mundësitë që krijohen për aksesin e mëtejshëm të tregjeve rajonale dhe europiane për këto sipërmarrje.

Znj. Denaj shprehu angazhimin e Qeverisë për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin, veçanërisht për SME-të, për të lehtësuar procesin e njohjes e këtij statusi edhe në vendet CEFTA si fazë paraprake për njohjen e përbashkët me vendet e BE-së.

“Është një program i menduar mbi të gjitha për biznesin! Për vetë statusin që marrin, operatorët kanë: një trajtim më të favorshëm për vlerësimin dhe kontrollin e riskut; më pak kontrolle fizike dhe dokumentare; njoftim paraprak në rast kontrolli fizik; trajtim prioritar për kontroll, lehtësi në zgjedhjen e vendit të kontrollit; avantazhe logjistike, mundësi të planifikimit të  transportit duke minimizuar vonesat dhe reduktuar kostot e më gjerë”, sqaroi znj. Denaj.

Më tej, Ministrja ftoi të gjitha palët në Komitet për një përfshirje më të gjerë dhe një nivel më të lartë bashkëpunimi,  në këtë platformë të  përbashkët për politikat e zhvillimit të tregtisë.

Instituti i Politikave Publike dhe Private, me mbështetjen e GIZ,  prezantoi studimin mbi përfitimet që ka sipërmarrja që merr statusin e Operatorit  Ekonomik të Autorizuar.

Fjala e Ministres Denaj në mbledhjen e Komitetit Kombëtare të Lehtësimit të Tregtisë

Të nderuar kolegë,

Të nderuar përfaqësues të bizneseve, bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës,

Me kënaqësi ju uroj mirëseardhjen në këtë takim të parë për vitin 2019, në Komitetin Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë.

Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për ekzistencën e këtij Komiteti, jo vetëm si një mekanizëm që rrjedh nga anëtarësimi ynë në Organizatën Botërore të Tregtisë, por edhe si një platformë që mundëson koordinimin e brendshëm mbi çështjet e tregtisë dhe lehtëson zbatimin e politikave ekonomike që prekin operatorët në të gjithë zinxhirin e furnizimit.

Roli i këtij komiteti në vitin 2019 është i një rëndësie të dyfishtë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton prej muajit Janar 2019 Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë në Evropën Qëndrore (CEFTA) dhe komitetet përbërëse të lidhura me Lehtësimin e Tregtisë së Mallrave, Barrierave Jo-Tarifore dhe të Tregtisë në Shërbime.

Në këtë kuadër, sugjerimet tuaja për zbatimin e suksesshëm të protokolleve të kësaj marrëveshjeje dhe sugjerimet për hapa të reja në lehtësimin e tregtisë janë mëse të mirëpritura.

Së pari më lejoni të ndaj me ju disa nga angazhimet tona në nivel rajonal në kuadër të kryesimit të CEFTA-s:

1. Siç jeni në dijeni, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, është angazhuar në zbatimin e njohjes reciproke të dokumenteve kufitare dhe programeve të operatorëve ekonomikë të autorizuar sipas Protokollit Shtesë 5.

Ky Protokoll është ndër arritjet më të mëdha të palëve në CEFTA në vitet e fundit. Deri më sot kemi pasur fatin e mirë të kemi një partner si GIZ, i cili me mbështetjen e Ministrisë homologe në Gjermani (Ministria Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik) dhe Bashkimit Evropian ka ofruar mbështetjen për njohjen e kërkesave rregullatore dhe atyre operacionale të programeve AEO, kriteret, procedurat dhe benefitet e këtij programi për sektorin privat. Falenderimet tona shkojnë për Open Regional Fund dhe Znj. Dragojevic.

Vende si Moldavia dhe Serbia janë shembuj shumë të mirë të zbatimit ekselent të këtij protokolli dhe të dhënies së statusit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar. Mbi 120 biznese moldave kanë marrë statusin e AEO-ve në një periudhë 4 vjeçare. Pala serbe, ndërkohë, ka arritur në një numër prej 7 operatorësh të autorizuar, një rezultat të cilin unë besoj fort, se bizneset dhe operatorët shqiptarë mund ta arrijnë me dëshirën e mirë përmes bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

2. Së dyti, Shqipëria do të drejtojë negociatat për Protokollin Shtesë 7 mbi Zgjidhjet e Mosmarrëveshjeve në fushën e Tregtisë në CEFTA, tashmë një domosdoshmëri për rajonin.

Me ndihmën e ekspertëve ligjorë dhe Sekretariatit të CEFTA-s gjatë këtij viti palët do të trajtojnë dhe negociojnë protokollin në detaj, për të arritur në një draft final brenda vitit 2019.

3. Qeveria Shqiptare i është përkushtuar lehtësimit të tregtisë përmes shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve doganore, element që shkurton procedurat dhe kohën për operatorët në pika doganore, rrit konkurrueshmërinë e operatorëve shqiptarë dhe sigurisht përmirëson shërbimin e ofruar nga Drejtoria e Doganave. Objektivi i mëtejshëm në kuadër të CEFTA-s është vijimi i punës për shkëmbimin e informacionit, përmirësimi i menaxhimit të përbashkët të rrezikut, menaxhimi i përbashkët i kontrollit kufitar dhe zbatimi i parimit të Single Window.

Gjej rastin të falënderoj Bashkimin Europian për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht përmes programit SEED +, i cili ka mundësuar përmirësimin e cilësisë së informacionit për autoritetet doganore, duke rritur efektivitetin e kontrolleve për operatorët.

Projekti SEED + do të vazhdojë për një periudhë tjetër 4 vjeçare me fokus ofrimin e shërbimeve informatike për përmirësimin e menaxhimit të riskut dhe shkëmbimin e informacionit midis autoriteteve doganore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të hartimit të një Strategjie Rajonale të Menaxhimit të Riskut janë identifikuar tashmë 12 profile rajonale të riskut me synim pasjen e dokumenti politikash brenda vitit 2019.

Po ashtu, dëshiroj të falendëroj Bankën Botërore dhe t’ju bëj me dije se ajo ka ofruar suportin e saj për dizajnin dhe instalimin e një Arkitekture Teknike dhe Funksionale për Single Window, duke na ndihmuar të kemi modele të procesimit të biznesit dhe pika të përbashkëta doganore jo vetëm me Kosovën, por edhe me Maqedoninë.

4. Në CEFTA, synojmë po ashtu, nisjen dhe nxitjen e mëtejshme të bisedimeve të ndërsjellta mes vendeve për cështjet e mbikëqyrjes së tregut dhe ndihmës shtetërore në rajon, e cila shpeshherë është përmendur dhe sjellë në vëmendje nga bizneset shqiptare.

5. Më tej, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe unë si Ministre, do të vazhdojmë përpjekjet për promovimin e dialogut publik-privat në CEFTA dhe në vend. Shqetësimet e biznesit duhet të adresohen përmes kanaleve të duhura dhe Qeveria po bën maksimumin për ofrimin e këtyre kanaleve të qëndrushme dhe të besueshme për biznesin.

Dhe kjo e fundit më rikthen në punën e përditshme të Ministrisë në vend dhe në bashkëpunimin me ju në këtë platformë. Sipas sugjerimeve të palëve në këtë tavolinë, Ministria ka hartuar një plan vjetor me disa prioritete, rreth të cilave Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë do të organizojë punën përgjatë vitit.

Ngjashmërisht me vitin e kaluar Komiteti do të mblidhet katër herë dhe do të përpiqemi që bashkarisht të realizojmë analizat për të cilat ju keni shprehur domosdoshmërinë dhe të mundësojmë zbatimin e rekomandimeve nga këto analiza.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë e drejton këtë Komitet, por vetëm angazhimi i institucioneve tuaja do të mundësojë realizimin me sukses të planit të tij.

Ndaj do të doja të ftoja Ministritë, Agjencitë dhe Drejtoritë përkatëse të kryesojnë diskutimet në cështjet e lidhura me fushën e tyre të përgjegjësisë, qoftë kjo mundësia e unifikimit të certifikatave në fushën e bujqësisë apo analiza e tarifave dhe pagesave për importet dhe eksportet etj.

Për ta mbyllur këtë fjalë hapëse në mbledhjen e parë të vitit për Komitetin Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë, dëshiroj të sjell edhe njëherë në vëmendje rëndësinë e Programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar.

Është një program i menduar mbi të gjitha për ju!

Jeni ju ata të cilët përfitoni!

Për vetë statusin që marrin, operatorët kanë:

  • një trajtim më të favorshëm për vlerësimin dhe kontrollin e riskut,
  • më pak kontrolle fizike dhe dokumentare,
  • njoftim paraprak në rast kontrolli fizik (para mbërritjes së mallrave në territorin doganor të R.Sh),
  • trajtim prioritar për kontroll, lehtësi në zgjedhjen e vendit të kontrollit,avantazhe logjistike, mundësi të planifikimit të  transportit duke minimizuar vonesat dhe reduktuar kostot e më gjerë.

Në rast të funksionimit të Programit, angazhimi i Drejtorisë së Doganave do të fokusohet të aktorët realë me riskut dhe jo në bizneset formale dhe të mirëstrukturuara.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar maksimalisht në realizimin e sa më sipër. Jemi të angazhuar (i) për të ndihmuar krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, (ii) për të lehtësuar procesin e autorizimit dhe njohjen e këtij statusi edhe në vendet CEFTA si fazë e parë dhe (iii) për të kaluar në njohjen e përbashkët edhe me vendet e BE-së.

Në këtë kuadër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dëshiron të ruajë momentumin mbi statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar dhe punës voluminoze të kryesuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në informimin e biznesit mbi këtë procedure.

Ju falënderoj dhe qëndroj e hapur ndaj sugjerimeve dhe suportit që mund t’ju duhet në këtë kontekst!