Postuar më: 16/03/2019

Ministrja Denaj vizitë në Qarkun e Vlorës, bashkëpunim ndërinstitucional për punësimin në sezonin turistik

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj zhvilloi një vizitë pune në qarkun e Vlorës. Gjatë kësaj vizite, Ministrja u ndal së pari në Zyrën e Punës Vlorë, ku u njoh nga afër me arritjet e saj dhe objektivat që synohen të arrihen në vijim. Në qytetin e Vlorës janë punësuar gjatë 2 muajve të parë të vitit 2019 gjithsej 334 punëkërkues përmes Zyrave të Punës. Këto punësime janë kryer kryesisht në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve. Përmes programit profesional të integrimit në punë “Start Smart” në Vlorë synohen të trajnohen rreth 2000  të rinj për vitin 2019.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë insektoi dhe shkollën industriale “Pavarësia”, në kuadër të  investimeve dhe të modernizimit të Arsimit Profesional.

Falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar dhe investimeve nga qeveria shqiptare, Shkolla industriale “Pavarsia” dhe 696 nxënësit e saj  zhvillojnë orët e tyre mësimore në ambiente dhe pajisje me standarde të larta siç janë:  Laborator Printera 3D, Laborator të standarteve CISCO, Laborator për testimin e Makinave Elektrike, Klasa të mësimit të kombinuar (standarde të nivelit më të lartë ndërkombetar), Infoteque. Pozitiv janë treguesit se 85% e të diplomuarave të vitit të kaluar janë integruar menjëherë në tregun e punës që në vitin e parë. Ndërkohë numri i kompanive partnere arrin në 65 subjekte të cilat ofrojnë praktika për 119 nxënës.

Ministrja Denaj theksoi faktin se, qeveria shqiptare është e angazhuar për zhvillimin dhe modernizmin e infrastrukturës mësimore të arsimit profesional si një parakusht për përgjigjen me burime të kulifikuara njerëzore për kërkesat në rritje të tregut të punës profesional.

“Politika e qeverisë është të ndihmojë shkollat profesionale të dinamizohen në të gjithë qytetet. Vlora ka potenciale akoma më të larta jo vetëm në këtë strukturë, të teknologjisë dhe mekanikës, por kryesisht dhe për turizmin, pasi ofron mundësinë e punësimit të shumë vendeve në këtë sektor. Unë sa vij nga një vizitë në zyrat e Punës ku parashikohet mbi 5000 të punësuar vetëm në sezonin e verës, për sektorin e turizmit. Kështu që diku, përveç kurseve tona profesionale që ofrojmë te zyrat e punësimit, duhet të krijojmë mundësinë edhe të dinamizojmë shkollat profesionale si një mundësi shumë e artë e të gjithëve të qëndrojnë në tregun e tyre lokal, në familjet e tyre dhe të kontribuojnë me rritje punësimi”, u shpreh Ministrja.

Ministrja Denaj theksoi faktin se bashkëpunimi ndërinstitucional është me mjaft rëndësi dhe, në këtë kuadër, duhet të nxitim bashkëpunimin mes Zyrave të Punës në të gjitha qarqet, në mënyrë që të ketë punësim jo vetëm brenda një qarku, por kjo të jetë e ndërthurur.

Sapo nxita bashkëpunimin ndërinstitucional mes zyrave të Punës që të kemi mundësi që të marrim jo vetëm nga qytetet e qarkut të Vlorës, por dhe qytete të tjera. Ne e dimë që në turizëm vijmë dhe nga Tirana në sezonin turistik, dhe këtë bashkëpunim dhe këtë ndërmjetësim ta realizojmë nëpërmjet këtij bashkëpunimi të zyrave tona të Punës, që edhe të mund t’i trajnojmë siç duhet e pastaj t’i integrojmë, sikurse dhe t’i ndjekim pastaj se si ky ndërmjetësim dhe punësim ka qenë i qëndrueshëm, sepse nuk është e rëndësishme që të punësohen për një sezon, por të ketë një punësim të vazhdueshëm dhe sa më afatgjatë”, shpjegoi Ministrja.