Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për Eurobondin, që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë”.
Në fjalën e saj, Ministrja Delina Ibrahimaj paraqiti fillimisht një panoramë të situatës së borxhit në vend, e cila është ndikuar nga goditja e dyfishtë e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemia COVID 19.
Ministrja theksoi faktin se borxhi është përdorur për të financuar investime dhe projekte, të cilat përkthehen në rritje ekonomike, e cila është konstatuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtare, sipas të cilit rritja ekonomike e Shqipërisë për 6-mujorin e parë të vitit 2021 është më e larta në rajon.
Sa i përket Eurobond-it që pritet të emetohet në fillim të muajit nëntor, Ministrja tha se ky transaksion do të ndihmojë në përmbushjen e nevojave për realizimin e reformave ekonomike dhe përbën një mundësi për të pasqyruar perspektivat optimiste afatmesme kundrejt investitorëve.
Emetimi i Eurobond-it vjen në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Instrumenti pritet të ketë një madhësi rreth 700 milionë Euro dhe maturim 7-10 vite, në varësi të kushteve të tregjeve financiare ndërkombëtare.
“Financimi i siguruar nga Eurobond-i do përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të alokohet për shpenzime publike në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura si dhe në mbështetje të investimeve publike, të cilat synojmë t’i ruajmë mbi nivelin 5% të PBB. Një pjesë e Eurobond-it do mbetet në Thesar, për nevoja të financimit për vitin 2022”, tha Ibrahimaj.
Qeveria shqiptare ka ndjekur një politikë fiskale ekspansioniste si një përgjigje ambicioze, për të zbutur ndikimin e goditjeve nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia COVID 19 dhe për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike.
Ministrja nënvizoi faktin se prioritet në të ardhmen mbetet forcimi i stabilitetin makroekonomik të vendit, duke synuar një rënie graduale të borxhit publik.
“Sipas draft-kuadrit makro të finalizuar këto ditë, niveli i borxhit do t’i rikthehet trajektores rënëse duke nisur nga viti 2022 dhe duke arritur nivelin e rreth 74.9% e PBB në fund të vitit 2025. Këto parashikime janë në linjë dhe me të gjitha pritshmëritë e organizatave ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
Fjala e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj:
E nderuar zonja Kryetare,
Të nderuar deputetë,
Sot ndodhen përpara jush për të prezantuar projektligjin që lidhet me emetimin e instrumentit Eurobond nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Kjo është hera e pestë që Shqipëria kërkon financim në tregjet e kapitalit ndërkombëtar, përmes Eurobondit.
Ky transaksion do të na ndihmojë të përmbushim nevojat tona financiare për realizimin e reformave ekonomike dhe gjithashtu përbën një mundësi për të pasqyruar perspektivat optimiste afatmesme kundrejt investitorëve.
Më lejoni t’ju paraqes një vështrim të përgjithshëm të situatës së borxhit në vend.
Nevojat e lindura për financim si rezultat i goditjes së dyfishtë të ardhur nga tërmetit i nëntorit 2019 dhe nga pandemia COVID 19 ndikuan në rritjen e borxhit publik. Por, ndryshe nga çfarë thuhet këtu në Parlament, ky borxh shkoi për të financuar investime, projekte të cilat po përkthehen në rritje ekonomike siç është, e thënë edhe nga FMN, rritja ekonomike e vendit në 6 mujorin e parë, e cila është më e larta në rajon.
Rreth 83 % e borxhit sovran të Shqipërisë është afatgjatë. Borxhi i brendshëm përbën 54.4 % të totalit të borxhit ose 697 miliardë lekë, ndërkohë që borxhi i jashtëm përbën 45.6 % të totalit të stokut ose 585 miliardë lekë.
Është e rëndësishme që shifrat e lartpërmendura të shihen nga një këndvështrim dinamik dhe të analizohen se si kanë ndryshuar me kohën.
Interesat e borxhit kanë ardhur në rënie. Në vitin 2020 Shqipëria pagoi rreth 34.4 miliardë lekë interesa ose 2 % më pak se një vit më parë, ndërkohë që në krahasim me vitin 2010 këto ishin 17.3 % më pak. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së menaxhimit të borxhit, ku rëndësi të veçantë kanë daljet në tregjet e huaja të kapitalit, pasi norma e interesit është më e ulët se sa ajo e tregut të brendshëm. Patjetër që ka ardhur edhe si rezultat i kushteve të favorshme në tregje, ku normat e interesit kanë qenë më të ulëta, por edhe kërkesa ka qenë e lartë për tituj shtetërorë, duke i treguar një kredibilitet investitorëve ndaj qeverisë shqiptare. Për më tepër, maturiteti mesatar ka ardhur në rritje dhe kjo ka kontribuar në përmirësimin e ndjeshëm në drejtim të menaxhimit të riskut dhe të rifinancimit. Risku i normave të interesit gjithashtu është reduktuar, pasi pesha e instrumenteve që vlerësojnë normat e interesit në harkun kohor të një viti është ulur ndjeshëm. Në këtë drejtim, ndikim ka pasur reduktimi i peshës të titujve afatshkurtër dhe atyre me norma interesi të ndryshëm në portofolin e borxhit.
Emetimi i Eurobond-it vjen në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Instrumenti pritet të ketë një madhësi rreth 700 milionë Euro dhe maturim 7-10 vite, në varësi të kushteve të tregjeve financiare ndërkombëtare. Aktualisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë është drejt fundit të përgatitjes së dokumentacionit.
Jemi konsultuar me këshilltarët tanë ndërkombëtarë mbi kohën e përshtatshme për realizimin e transaksionit, për të siguruar rezultatet më të mira në terma çmimi dhe vëllimi, dhe po punojmë me intensitet që në fillim të muajit nëntor Shqipëria të dalë në treg.
Financimi i siguruar nga Eurobond-i do përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të alokohet për shpenzime publike në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura si dhe në mbështetje të investimeve publike, të cilat synojmë t’i ruajmë mbi nivelin 5% të PBB.
Një pjesë e Eurobond-it do mbetet në Thesar, për nevoja të financimit për vitin 2022.
Pas emetimit të këtij Eurobond-i, niveli i borxhit në valutë pritet të shkojë rreth 50 % kundrejt stokut total të borxhit.
Në terma afatmesme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon të mbajë këtë tregues në nivel 46-48 %.
Kujtoj se aktualisht qëndrojmë nën kufirin 55 % të përcaktuar nga strategjia afatmesme e menaxhimit të borxhit publik, e cila është miratuar dhe draftuar në bashkëpunim me FMN.
Siç është thënë më parë nga qeveria, politika fiskale ekspansioniste e Shqipërisë është projektuar si një përgjigje ambicioze, për të zbutur ndikimin e goditjeve ekonomike dhe për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme.
Duke parë drejt së ardhmes, prioriteti ynë mbetet të forcojmë stabilitetin makroekonomik të vendit, duke synuar një rënie graduale të borxhit publik.
Borxhi i qeverisjes qendrore pritet që në fund të vitit 2021 të arrijë nivelin 80% të PBB-së, i ndikuar nga emetimi i Eurobondit dhe disbursimi i disa mbështetjeve buxhetore që janë në proces.
Sipas draft-kuadrit makro të finalizuar këto ditë, niveli i borxhit do t’i rikthehet trajektores rënëse duke nisur nga viti 2022 dhe duke arritur nivelin e rreth 74.9% e PBB në fund të vitit 2025. Këto parashikime janë në linjë dhe me të gjitha pritshmëritë e organizatave ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.