Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilluan sot një takim me përfaqësues të bizneseve furnizuese të ushqimeve.
Ky takim erdhi si domosdoshmëri pas rritjes së cmimeve që kanë pësuar gjithë produktet ushqimore, që pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë.
Gjatë këtij takimi kreu i Qeverisë nënvizoi faktin se në këtë situatë kemi faktikisht detyrimin e përbashkët të gjithë ne si shqiptarë që të bëjmë secili të vetën, dhe se është shumë domethënëse që konsumi nuk ka rënë.
Rama u shpreh se pensionistët do t’i mbështesë qeveria me një shumë që është e barabartë me rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë, por do i mbështesë edhe biznesi me çmimet që do vendosë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi, se Bordi i Transparencës për Çmimet Bazë do të mblidhet ditën e nesërme menjëherë pas daljes së Aktit Normativ.
Bordi do të vendosë për disa produkte specifike të shportës që kanë peshën më të madhe në konsumin e familjeve me të ardhura të ulëta si për orizin, miellin, qumështin, vajin, sheqerin.
Ministrja theksoi, se një ndër problematikat ishte disponueshmëria e mallrave, pra oferta, pasi, sipas saj, kur nuk është oferta çmimi bëhet i pakontrollueshëm. Për këtë, ajo informoi se qeveria ishte angazhuar së bashku me tregtarët në vend, për të vendosur kontakte të reja, por edhe për t’u siguruar që kontratat të vazhdojnë.
“Kemi bërë takime të vazhdueshme me ministrinë e Bujqësisë, me qëllim që të rrisnim kuptueshmërinë e pasojave që kriza ka në tregun ku ju operoni. Nga ana tjetër që nga dita e parë kemi filluar të monitorojmë çmimet e tregtimit me pakicë dhe ato të importit në doganë, me bazë ditore për disa produkte specifike të shportës që kanë peshën më të madhe në konsumin e familjeve me të ardhura të ulëta si për orizin, miellin, qumështin, vajin, sheqerin, pra për ato produkte bazike dhe të domosdoshme për konsum”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se çmimet kanë ardhur me rritje në doganë dhe në pakicë. Por sipas saj, disa kanë pasur rritje jo proporcionale krahasuar me ato të doganës.
“Ne nëpërmjet këtij bordi duam të sigurohemi se rritja e çmimeve të tregtimi është nga rritja e kostove, faturave që ju paguani në import, apo në prodhimi për ato subjekte që janë prodhues. Problematika kryesore, e para dhe më e rëndësishmja nuk ishte çmimi për ne, por disponueshmëria, pra oferta, pasi kur nuk është oferta çmimi bëhet i pakontrollueshëm. Dhe të gjitha palët u angazhuam që oferta të jetë dhe të jetë e qëndrueshme dhe të mos mungojë produkti në tregun shqiptar. U angazhuam ne si qeveri dhe vet biznesi me kontaktet dhe tregtarët nëpër vendet e tjera për t’u siguruar që kontratat të vazhdojnë”, shtoi ajo.
Ibrahimaj tha se dëshironte që ky bashkëpunim të vazhdojë. “Duam të ketë disponibilitet në treg dhe transparencë totale mbi çmimet, ku tregtarë të ndryshëm të mos mendojnë se mund të abuzohet. Në takimet e zhvilluara kemi gjetur solidaritet nga aktorët kryesorë të tregut, furnizuesit apo marketet që janë të gatshëm që pavarësisht çfarë ka ndodhur në të kaluarën, janë të gatshëm të operojnë pa marzhe fitimi, pa abuzime dhe të rregullojmë bashkërisht atë që po ndodh, pasi çmimet prekin konsumatorët ju, dhe të gjithë ciklin e ekonomisë”, tha ajo.
Sipas ministres, në mbledhjen ditore të bordit do të përcaktohen çmimet e shumicës dhe pakicës dhe të gjithë operatorët e tregut do të duhet të operojnë me ato çmime për produktet bazë.
“Me daljen e aktit normativ, që besoj do të dalë nesër, do të bëjmë një mbledhje me përfaqësues të pakicës dhe shumicë. Në mbledhjen ditore të bordit do të përcaktojmë çmimet e shumicës dhe pakicës dhe të gjithë operatorët e tregut do të duhet të operojnë me ato çmime për produktet bazë. Këto çmime do të kontrollohen, pasi janë domosdoshmëri dhe i shërbejnë mirëqenies dhe ecurisë së të gjithë familjes shqiptare. Unë uroj që atë bashkëpunim dhe mirëkuptim që kemi pasur, të vazhdojmë ta kemi dhe të krijojmë një qetësi në treg dhe stabilitet dhe çmimet të tregojnë stabilitetin në botë dhe jo çudira që mund të bëjnë tregtarë specifik në Shqipëri”, deklaroi ministrja.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.