Postuar më: 26/07/2022

Open Ballkan-Ibrahimaj: Të lehtësojmë tregtinë, të eliminojnë barrierat mes vendeve tona

Në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur” u zhvillua në Tiranë konferenca me temë “Sfidat kryesore dhe zgjidhjet lehtësuese për rajonin”.

Përfaqësuesit e delegacioneve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, diskutuan mes tyre lidhur me çështjet kryesore ku do të fokusohet plani i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Në përfundim të bisedimeve, u zhvillua dhe konferenca përmbyllëse, ku morën pjesë dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Zv. kryeministri Arben Ahmetaj, dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Ushqimit, Frida Krifca, ku u bënë të ditura dhe rezultatet e bisedimeve.

Drejtimet kryesore ku është fokusuar bashkëpunimi mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në kuadër të Ballkanit të Hapur janë energjia, siguria ushqimore dhe mbrojtja civile.

Ndërsa mori fjalën në konferencën përmbyllëse, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri një prezantim të ecurisë së bashkëpunimit në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe të hapave që pritet të ndërmerren në vijim, për çështjet që lidhen me lehtësimin e tregtisë dhe shkëmbimet tregtare mes vendeve.

Ministrja u shpreh se deri më tani janë bërë mjaft hapa pozitivë në fushën e lehtësimit të tregtisë mes tre vendeve.

Ndërkohë Ministrja theksoi se hapi tjetër do të jenë çështjet   që do të diskutohen nga grupi i përbashkët i punës për barrierat jo tarifore, ku elementët kryesorë për të siguruar lëshimin e shpejtë të mallrave, të tilla si pagesa elektronike e detyrimeve dhe tarifave dhe përpunimi para mbërritjes të cilat  nuk janë vendosur nga të gjitha palët.

Stafet teknike të tre vendeve kanë dakordësuar mbi një sërë çështjesh, për të cilat do të nënshkruhen dhe marrëveshjet dhe protokollet përkatëse në samitin e ardhshëm të Ballkanit të Hapur që do të mbahet në Beograd më datën 1 shtator.