Postuar më: 18/03/2022

Paketa e Rezistencës Sociale, 500 milionë lekë për të mos rritur çmimin e biletës

 

Ibrahimaj: Mbulojmë 100 lekë për litër të karburantit për sektorin e transportit

 

Në kuadër të masave të marra në Paketën e Rezistencës Sociale,  Qeveria ka vendosur 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të biletës në transportin urban qytetas dhe ndërqytetas, që qytetarët përdorues të këtij transporti të mos preken financiarisht nga pasoja e luftës mbi çmimin e karburantit.

Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë,Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilluan  një takim me përfaqësues të shoqatave të transportit, ku shpjeguan  masat e marra nga Qeveria  në lidhje me  Paketën e Rezistencës Sociale,  në sektorin e transportit public.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se edhe sikur shoqatat e transportit të rrisnin çmimin e biletës, sërish kapaciteti i tyre për të rezistuar do të ishte i dobët.

“Ndaj ne vendosëm 5 milionë dollarë për të kompensuar diferencën dhe për t’ju kërkuar të mos prekni në këtë fazë kaq delikate çmimin e biletës. Nga pikëpamja e modaliteteve kjo është përgatitur, por është shumë e rëndësishme që të vazhdojë shërbimi”, tha Rama.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha, se “qeveria ka vendosur të mbulojë 100 lekë për litër të karburantit që përdor sektori i transportit publik, në kushtet e rritjes së çmimit të naftës”.

Ibrahimaj theksoi,  se “ky sektor është hera e dytë që preket nga krizat. Hera e parë ka qenë gjatë pandemisë, ku sektori juaj u pezullua dhe të gjithë patët ndikim të madh në buxhetet e bizneseve tuaja. Në atë moment ne e trajtuam sektorin e transportit në një mënyrë të veçantë, duke qenë se ka një ndikim të madh në shërbimin publik”.

“Jemi duke bërë hapa të matur që rezistenca jonë të jetë më e gjatë dhe të mbështesim kategoritë më në nevojë”, tha Ibrahimaj.

“Kemi bërë analizën e kostove të karburantit dhe sektori juaj ka përdorimin më të madh për të operuar. Ju, karburantin e keni rreth 50 % të kostove tuaja, prandaj rritja e çmimit të karburanteve ju ndikon më shumë se çdo sektor tjetër. Njësoj si ju janë edhe 30 subjekte në Shqipëri, që nuk merren me transport, por merren me prodhim tjetër, ndërkohë që ju jeni shumë dhe çmimi juaj reflektohet direkt tek konsumatori që ka më shumë nevojë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja tha se, “kemi vendosur të mbulojmë çmimin e rritur të naftës 100 lekë për litër, për sektorin e transportit publik, për të amortizuar situatën dhe duke marrë parasysh gjithë situatën tuaj financiare që është e përkeqësuar edhe nga situata e mëparshme e pandemisë”.