Të nderuar deputetë,
Opozita është e zemëruar me ministrin e Financave dhe Qeverinë dhe në fakt ka të drejtë. Ka të drejtë për dy arsye: ka të drejtë sepse një muaj më përpara ne e ulëm në 5 mijë lekë (nga 45 në 40 mijë lekë shpërblimin mbi pagë (bonus) që merrte çdo deputet i opozitës vetëm për naftë). Po kështu deputetët e opozitës kanë të drejtë të zemërohen, sepse sistemi i taksës progresive, sistemi i taksës që ne e quajmë të ndershme, ju heq edhe ca para nga xhepi dhe doemos kanë të drejtë të zemërohen, sepse pretendojnë sikur po diskutojnë për hallet e popullit, por në fakt ju dhemb xhepi i tyre për pak lekë që ju heqim.
Ne kemi deklaruar solidaritetin dhe do ta zbatojmë atë.
Një nga kritikat që kemi dëgjuar gjatë këtyre kohëve ka qenë që të jemi më optimistë. Kjo është e drejtë. Më optimistë do të jemi, por bazuar në realizëm. Gjërat shkojnë përpara kur optimizmi bazohet në realizëm. Dhe kështu kemi bërë. Jemi bazuar mbi realizmin dhe japim një paketë fiskale dhe një buxhet optimist. Me optimizmin e tepruar, e dimë se çfarë na gjen. Gjetëm dy vite të mbrapshta, dy realitete të hidhura: 1997 dhe 2013, ku vendi gjendet përpara faktesh të pakontestueshme që ekonomia ra në mënyrë drastike.
Prandaj, do të flas me optimizëm duke u bazuar në realizëm.
Kur ishim në opozitë, dendur paralajmëruam, për atë që do të vinte. Thamë që qeveria e ish-isheve, efenditë që ikin kur diskutohet buxheti dhe vijnë në parlament vetëm sa për të thënë nja dy fjalë, ashtu në të shkuar e sipër, dhe politika e tyre e borxheve, qoftë ai i hapuri, por sidomos ai i fshehti, si dhe keqadministrimi i të ardhurave nga pasuritë natyrore, po e fuste Shqipërinë në qorrsokak. Ju patëm paralajmëruar shumë qartë për këtë.
Sot, pas 100 ditëve, nuk jemi të lumtur që na ka dalë fjala, për arsye se shohim një realitet të hidhur që do të ishim shumë cinik që të gëzoheshim për të këqijat që i keni bërë vendit. Por s’kemi ç’bëjmë, kështu e ka kjo punë, ju prish, ne përvish mëngët për ti ndrequr. Sido që të jetë, ne shohim me optimizëm, na ka ardhur buzëqeshja se e keqja ka kaluar, ekonomia vitin që vjen sheh drejt progresit, drejt më të mirës. Por përpara se të flas për optimizmin e këtij buxheti, më lejoni të them dy-tre gjëra se ku është ekonomia e lënë nga dyshja e efendiklerëreve që mashtruan popullin.
Ky është realiteti që duhet të ballafaqoheni. Qofshi ju që nuk reagoni me përulësi ndaj kësaj gjendje.
Më lejoni të them se nëqoftëse nuk do të ishte ky realitet ne do të kishim një buxhet me një pamje krejt tjetër. E megjithatë, ky është përsëri buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, më i madh nga të gjithë të mëdhenjtë që i madhi juaj ka thënë këtu në parlament. Është buxheti i kthesës së madhe, buxhet me sytë nga qytetari dhe nga biznesi. Është një buxhet që përmbush premtimet në fushatë, në program dhe në qeverinë e kualicionit, kualicion që u votua në mënyrë plebishitare.
Ky buxhet është buxhet solidar. Ai përmbush disa kërkesa, mbron shtresat në nevojë, nxit punësimin, ul taksat për 97 përqind të punësuarve, heq taksën e biznesit të vogël dhe ul me ¼ taksën e fitimit të biznesit të vogël, rrit pagën e policëve dhe pensionet, shlyen 350 milionë dollarë detyrime të prapambetura, borxhe të prapambetura, borxhet tuaja. Realizon kontrollin shëndetësor falas, ul çmimin e barnave me jo më pak se 10 përqind dhe rikthen shpresën tek shqiptarët.
Ky është buxhet zhvillues. Ky buxhet parashikon vetëm investime të drejtpërdrejta 72 miliardë lekë që po tu shtojmë edhe 350 milionë dollarë apo 35 miliardë lekë të tjera, pra hedh si likujditet në treg 1.1 miliardë dollarë. Kjo nxit në mënyrë parësore me dyshishin e tempit të rritjes sektorë prioritarë si: shëndetësi, arsim, bujqësi dhe infrastrukturë.
Pavarësisht nga situata, ky nuk është buxhet krize. Ky është buxhet i rritjes ekonomike. Ekonomia fillon startin e rritjes me një rritje jo pak por nga 1.2-1.3 përqind në 2-2.1 përqind.
Ky buxhet është buxhet transformues. Kthen modelin nga modeli i vjetër në modelin e ri që kush fiton më shumë paguan më shumë.
Është buxheti më i madh i hartuar deri tani me 455 miliardë lekë kundrejt 405 miliardë lekë që ishte buxheti i vitit të kaluar, pra buxheti i vitit 2013, buxhet elektoral.
I vjen në ndihmë shtresën në nevojë, lehtëson shtresat e mesme dhe biznesin.
Gjenerohen të ardhura në total prej 42 miliardë lekë më shumë. Ju kujtoi se vetëm të ardhurat nga tatim-taksat janë 40 miliardë lekë më shumë. Nëse do të më duhet tu tregoi sepse ishte një shqetësim i vazhdueshëm i juaji, nëse do ketë përmirësime në të ardhurat nga përmirësimet e administratës së fiskut po ju tregoj se vetëm të ardhurat që do të realizohen nga përmirësimi i administrimit fiskal do të jenë 18-19 miliardë lekë më shumë ose baras me rritjen mesatare nga viti në vit në 10 vitet e fundit të gjithë të ardhurave tuaja. Pra vetëm nga administrimi më i mirë fiskal ne realizojmë të ardhura baras me të gjithë rritjen vjetore mesatare të të ardhurave tuaja të dekadës së fundit.
Ky është buxhet i premtimeve të mbajtura.
Ajo që kishit shqetësim të madh, buxheti lokal është një buxhet që merr goxha para: 33 miliardë lekë ose 15.6 përqind më shumë nga buxheti juaj elektoral ku keni harxhuar miliona e miliarda për qëllime elektorale.
Buxheti është optimist. Rikthen punën. Ky buxhet jep mundësi për reforma në institucione dhe në sektorë prioritarë.
Buxheti sheh edhe një aspekt tjetër, që ju doni ta lini në harresë, përmirëson në mënyrë të dukshme marrëdhëniet e administratës fiskale me biznesin në luftë kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.
Është Crown Agent që ju shqetëson shumë, i cili do të pengojë miqtë tuaj nga avazioni fiskal, nga kondrabanda, do të realizohet bashkëpunim më i gjerë me organet doganore të vendeve të tjera. Ndërkohë do të bëhen përmirësime në procedurat e tatim-taksave. Dhe mund t’ju përmend disa prej tyre.
Për kushtet aktuale, ne e dimë që Shqipërisë, biznesit, të gjithë qytetarëve u duhen më shumë, por kjo është mundësia në kushtet aktuale. Ne i japim 1.1 miliardë dollarë biznesit në mënyrë që ti kthejë në para për investime, për punë publike, për të angazhuar popullsisë në punë.
Ne vërtet marrim borxh, marrim jo pak, marrim 300 milionë dollarë borxhe, por ne i marrim nga FMN-ja për të shlyer borxhet që na latë ju, borxhet e prapambetura. Por ju kujtoj një gjë: ne i marrim borxhet me 2 përqind-maksimumi 2.5 përqind. Ndërkohë që borxhi juaj, i imponuar për fushatë elektorale ishte jo pak, por 12.8 përqind, 5 herë më i shtrejtë nga borxhi që po marrim ne. Edhe këtu ka pjesë, veprimtari, që do ta quaja dhe këtu kriminale.
Në përfundim të mesazhit unë dua të jem i qartë: Qeveria jonë gjykon që populli me këtë buxhet i kthehet punës, ky buxhet e mundëson këtë. Jemi të bindur se me punë e ndërgjegjshmëri, Shqipëria do të ecë më shpejt drejt rrugës së Rilindjes.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.