Postuar më: 21/02/2020

Prezantohet në Tiranë për herë të parë në nivel rajonal nisma e krijimit të Akseleratorit për konkurrueshmërinë dhe inovacionin në Ballkanin Perëndimor

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me homologët e Ballkanit Perëndimor, Forumin Ekonomik Botëror (WEF) dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), prezantuan sot nismën për krijimin e Akseleratorit për konkurrueshmërinë dhe inovacionin në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitet, vlerësoi  se “Ballkani Perëndimor  ka nisur të shkruajë një kapitull të ri  duke ulur rreth një tavoline  të përbashkët vendet për të folur  mbi mundësitë e së ardhmes”.

Ndërsa në fjalën e saj, Ministrja Denaj theksoi krijimin e platformës për përshpejtimin e konkurrueshmërisë dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor, si një platformë e bashkëpunimit rajonal publik dhe privat. Kjo nismë synon të mbështesë Ballkanin Perëndimor në përmirësimin e ekonomisë rajonale përmes inovacionit, mbështetjes për sipërmarrjen dhe në rrugëtimin e sektorit privat drejt tregut europian dhe më gjerë.

Ministrja Denaj mirëpriti iniciativën dhe theksoi se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet t’i kushtojnë rëndësi transformimit të modelit aktual të biznesit drejt modelit “të zgjuar” të së ardhmes, të orientuar drejt inovacionit, duke synuar përmirësim të konkurrueshmërisë dhe cilësisë.

“Ne duhet të mendojmë për biznese të zgjuara dhe për këtë duhet të mendojmë në mënyrë rajonale si të transformojmë modelin aktual të biznesit në një model të së ardhmes. Ky model do të sjellë për ne si rajon mundësi për tu zhvilluar më tej dhe se si mund të krijojmë edhe shkallëzimin e këtyre çështjeve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, dhe të përmirësojmë cilësinë”, tha znj. Denaj.

Gjithashtu, Ministrja Denaj vuri theksin në rëndësinë e arsimit dhe trajnimit profesional sa i përket zhvillimit të konkurrueshmërisë së bizneseve, për sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Një aspekt shumë i rëndësishëm lidhet me faktin se si mund të sjellim arsimin dhe trajnimin profesional në këtë plan dhe të transformojmë edhe mënyrën se si e shikojmë arsimin profesional edhe në të gjithë zinxhirin e profesionalizimit, i cili është i lidhur me këto ndryshime në modele biznesi dhe në këtë kohë të biznesit “smart” të së ardhmes”, u shpreh Ministrja.