Postuar më: 16/10/2015

Qeveria, formulë të re për shpërndarjen e buxhetit për njësitë vendore

Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për këtë takim konsultativ për “Decentralizimin Fiskal”, i cili bëhet në kuadër të zbatimit të reformës territoriale, si dhe në funksion të debatit që fillojmë për buxhetin e vitit 2016.

 

Një tjetër falënderim shkon për USAID-in dhe qeverinë zvicerane si bashkëorganizatorë të këtij aktiviteti, por njëkohësisht, edhe si kontribues kryesorë në modernizimin e funksionimit të pushtetit vendor.

 

Me këtë rast falënderoj edhe të gjithë donatorët e tjerë që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në çështjet e pushtetit vendor në Shqipëri.

 

Mazhoranca aktuale ndërmori një hap shumë të rëndësishëm me miratimin e ligjit për ndarjen e re territoriale dhe më tej pas zgjedhjeve, edhe me fillimin e zbatimit të këtij ligji me zgjedhjet e qershorit të 2015.

 

Qëllimi i kësaj reforme ishte modernizimi i qeverisjes në nivel vendor dhe jo thjesht reduktimi i njësive vendore, por, gjithsesi, nga kjo reformë rreth 50% e shpenzimeve administrative u kursehen taksapaguesve, duke ua kthyer po taksapaguesve në formën e investimeve dhe shërbimeve publike.

  • Ajo që ishte vërejtur ishte fragmentarizimi i njësive të qeverisjes vendore, ku për shumë vite shihej qartë që ishte e tepërt,  kështu që duke qenë se qytetari është bazë për të marrë edhe më shumë investime dhe shërbime, ne gjykuam që ta përmbledhim numrin e njësive. Siç edhe e dini nga 373 kryetarë të njësive vendore, jemi me 61 bashki, si dhe nga 6,500 këshilltarë dhe rreth 20,000 nëpunës vendorë, tashmë kemi një administratë rreth 40% më të vogël.
  • Reforma kursen rreth 6 miliardë lekë ose afro 60 milionë dollarë çdo vit shpenzime administrative, të cilat do adresohen në investime dhe shërbime publike për komunitetet vendore.
  • Kjo reformë rrit efiçencën dhe efektivitetin e pushtetit vendor.
    • Një administratë me 40% më pak rrogëtarë (do të thotë burime njerëzore më shumë eficente dhe cilësore në realizimin e detyrave) dhe
    • Me 76% më pak numër këshilltarësh (nga 6,500 në 1,595).
  • Në vitin 2016 do të nisi një formulë të re për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar, formulë të cilën do të prezantohet sot në këtë takim. Kjo formulë është bërë në bashkëpunim me USAID-in dhe synon: drejtësi, objektivitet dhe parashikueshmëri të fondeve që buxheti i shtetit jep për njësitë e qeverisjes vendore, duke e pasur më të thjeshtë menaxhimin në katër vite, jo vetëm nga viti në vit.
  • Ne gjykojmë se formula që sot po prezantojmë e depolitizon de fakto ndarjen e fondeve dhe ja jep për ushtrimin e përgjegjësive ligjore të të zgjedhurve vendorë.
  • Theksoj se formula është bërë nga ekspertë të USAID/PLGP dhe të Ministrisë së Financave. Kemi synuar për barazi, ndarje të ndershme dhe shpresojmë në eficencë. Ne mendojmë se do të hedhë themelet e shëndosha të financave vendore. Formula do të parashtrohet dhe jeni të mirëpritur të na jepni mendimet dhe sygjerimet rreth kësaj formule.
  • Në funksion të mbështetjes së reformës territoriale do thellojmë decentralizmin fiskal.
    • Që në vitin e parë të kësaj reforme, renta minerare do të jetë mbi shtatë herë më e lartë se ajo e 5 viteve të fundit.
    • Për llogari të vitit të ardhshëm buxhetor, do të reformojmë taksën mbi pasuritë me synim shumëfishimin e të ardhurave nga kjo taksë.
    • Për vitin 2016 do të thellohet procesi i decentralizimit duke rritur kompetencat në fushën e:
      • arsimit parashkollor dhe parauniversitar,
      • zhvillimit urban dhe rural,
      • shërbimit social,
      • emergjencave civile dhe Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH), etj.

 

  • Gjykojmë se ky decentralizim do të ndikojë në rritjen e buxhetit vendor me 50% më shumë se sa një vit më parë.

 

  • Gjatë vitit të ardhshëm në planet e Ministrisë së Financave është krijimi i një ligji specifik për financat vendore, me të cilin synojmë: rregull dhe procedura të qarta lidhur me buxhetin dhe menaxhimin financiar, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të të zgjedhurve vendorë në mënyrë që zgjedhësit tuaj të jenë më shumë të lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet dhe të kuptojnë se si po administrohen paratë e tyre.

Ky është një shans që ne t’i rilindim financat e pushtetit vendor mbi rrënojat e një modeli të vjetër, për t’i bërë gjërat ndryshe. Ne mësojmë nga gabimet e të kaluarës duke synuar të krijojmë financa të pushtetit vendor sa më solide dhe sa më në shërbim të qytetarit.

 

Faleminderit!

Të rejat e fundit