Së pari, dua të falënderoj misionin e FMN për diskutimet që patëm në kuadër të rishikimit të shtatë të programit, të cilat u fokusuan në zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe masat që kemi ndërmarrë për minimizimin e rreziqeve në të ardhmen.
Rimëkëmbja e ekonomisë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2015. Ndajmë qëndrimin e përbashkët me FMN që ritmet e rritjes reale, janë në përputhje me parashikimin tonë fillestar prej 2.7%. Zhvillimet poshtë pritshmërive të ambjentit të jashtëm sidomos ato në Eurozonë, u zbutën nga zhvillimet pozitive të brendshme, veçanërisht në sektorët e manifakturës, bujqësisë, ndërtimit, turizmit dhe energjisë. Gjithashtu, investimet private të brendshme dhe të huaja shënuan një rritje më të fortë se pritshmëritë fillestare.
Sa i takon parashikimit për periudhën në vijim, ekonomia shqiptare pritet të vazhdojë përshpejtimin e ritmeve të rritjes. Për vitin 2016, ekonomia pritet të shënojë një rritje reale 3.4% e mbështetur kryesisht nga përmirësimi i konsumit të brendshëm, rritja e flukseve të investimeve të huaja direkte, dhe një ambient më i favorshëm për sektorin privat, për të financuar projektet e tyre të investimit.
Gjithashtu, çmimet e favorshme për disa lëndë të para të rëndësishme për të cilat ekonomia shqiptare është importuese neto, si karburantet, vlerësohen si një oportunitet tejet pozitiv për ekonominë dhe pritet të japin një impuls shtesë. [Rënia e normës së inflacionit si pasojë e këtyre zhvillimeve nuk duhet keqintepretuar si tregues i rënies të kërkesës. Përkundrazi, është nxitese e saj.] Rënia e inflacionit është thjesht një reflektim i goditjes së cmimit ndërkombëtar të naftës që është gati përgjysmuar që nga viti i kaluar.
Lidhur me ecurinë e programit, ndajmë të njëjtin vlerësim me Misionin, se qeveria shqiptare i ka zbatuar të gjithë parametrat e paracaktuar duke përmbushur të gjithë kriteret e përformancës.
Në vecanti, performanca e të ardhurave në buxhet në muajt e parë të vitit 2016, ka qenë në përputhje me pritshmëritë tona, madje ato të ardhura të cilat kanë impakt direkt në deficit, kanë performuar më mirë se sa plani respektiv.
Për rrjedhojë, deri më tani performanca e buxhetit sa i takon parametrave kryesorë të tij (të ardhurat, shpenzimet, deficiti e borxhi publik) janë plotësisht nën kontroll dhe në përputhje me parashikimet tona fillestare. Ndërkohë që kjo performancë është pozitive për arritjen e objektivave të fundvitit, ne kemi identifikuar “amortizues” të mjaftueshëm në buxhet për të akomoduar cdo risk potencial gjatë vitit 2016 .
Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të vijuar uljen e borxhit publik. Përveç masave dhe reformave të deritanishme që kanë ulur ndjeshëm rreziqet e borxhit publik në të ardhmen përpjekjet për konsolidimin fiskal do të fokusohen kryesisht në reduktimin e informalitetit dhe evazionit fiskal, në përmirësimin administrativ të të ardhurave dhe zgjerimin e bazës, si dhe në të njëtën kohë mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve, sidomos atyre jo-produktive dhe rritjen e hapësirave për shpenzimet e tjera produktive për ekonominë.
Reformat e marra gjatë dy viteve të shkuara, vecanërisht ajo e energjisë, kanë filluar tashmë të clirojnë dhe do thellojnë hapësira të mëdha në buxhet, të cilat do të ndihmojnë si në uljen e borxhit ashtu edhe në rritjen e shpenzimeve produktive në buxhet.
Me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura një vit përpara planit, kemi shtuar përpjekjet për forcimin e mekanizmave të financave publike për shmangien e tyre në të ardhmen.
Së fundi, beteja jonë kundër informalitetit, e nisur në shtator 2015, ka dhënë rezultatet e saj të dukshme në rritjen e numrit të bizneseve të regjistruara dhe vendeve të punës të formalizuara. Si rezultat i fushatës sensibilizuese dhe aksionit në terren, e cila u shoqërua me vizita, këshillime, sqarime të procedurave ligjore dhe verifikime në biznese, jane arritur rezultate inkurajuese, sidomos në drejtim të formalizimit të punës, me rritjen e numrit të punonjësve të deklaruar në skemën e sigurimeve me 22 % dhe rritjen e bizneseve të regjistruara me 45 mijë ose 33% më shumë në fund të vitit 2015 krahasuar me fundin e vitit 2013.
Tashmë në Ministrinë e Financave po punojmë me një qasje të re, për ta ridimensionuar këtë reformë, përmes hartimit të një strategjie të avancuar, që e adreson fenomenin qoftë në aspektin e politikave afatgjata, ashtu edhe përmes vazhdimit të planit të detajuar të aksionit në terren.
Ne po i rifokusojmë përpjekjet tona në segmentet me risk të lartë, në përputhje me strategjinë e menaxhimit të riskut dhe rritjes së disiplinës së pagesës së taksave. Ne vijim, fushata kunder informalitetit do të fokusohet në forcimin dhe përmirësimin e operacioneve të shërbimit dhe edukimit, përmirësimit të profileve të riskut, mbrojtjen e bazës së tatimit, mbledhjes së të ardhurave, si dhe shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimtarive mes administratës tatimore dhe asaj doganore, ku janë programuar një sërë detyrash dhe operacionesh të përbashkëta.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.