Postuar më: 05/12/2020

Rishikimi Periodik I Agjencisë së Vlerësimit Moody’s konfirmon qëndrimin e qendrueshëm të ekonomisë shqiptare

Në datë 04 Dhjetor, Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s ka publikuar rishikimin periodik të saj për Shqipërinë, një qendrim mbi pozicionin e vendit.

 

Pas renditjes më të fundit në vlerësimin në “B1” dhe me perspektivë “të qëndrueshme” në muajin Tetor të këtij viti, Agjencia thekson përsëri pozicionimin e qëndrueshëm të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë.

 

Ky rishikim periodik i Moody’s mbi vlerësimin e Shqipërisë, ruan të pandryshuar renditjen e faktorit institucional dhe të qeverisjes në Ba2, duke rikujtuar pozitivisht angazhimin e vendit në procesin e integrimit në BE, me përpjekjet dhe reformat e rëndësishme institucionale në fushën e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit.

 

Ky rishikim konfirmon gjithashtu renditjen e pandryshuar të faktorit ekonomik Ba3, pas emetimit të suksesshëm të Eurobondit në muajin Qershor të këtij viti, duke theksuar nevojën për diversifikimin e vazhduar të ekonomisë.

 

Në vijim të qendrueshmërisë së vlerësimit B1 për faktorin fiskal, Ministria e Financave dhe Ekonomisë sjell në vëmendje angazhimin për t’ju rikthyer konsolidimit fiskal të financave publike me trajektore në përimrësim për borxhin publik dhe deficitin buxhetor.

 

Në raportin e fundit të renditjes, të përpara një muaji, Moody’s ka njohur efektet e pandemisë në ekonomi dhe ndikimin e pashmangshëm, por të përkohshëm negativ edhe në parametrat fiskalë. Megjithatë, kushtet e forta e të qendrueshme ekonomike në vitet e fundit dhe përpjekja e përbashkët nga autoritetet për të luftuar ekonominë informale kanë përmirësuar tregun e punës.

 

*****

Raportet e mëparshme të kompanive ndërkombëtare kanë vlerësuar përmirësimin e profilit makroekonomik, progresin në reformat strukturore dhe institucionale, si dhe konsolidimin fiskal të arritur gjatë viteve të fundit.

Në tetor 2020, Agjencia ka vlerësuar se kuadri fiskal është përmirësuar. Shqipëria ka përmirësuar planifikimin dhe ekzekutimin e saj fiskal. Shqipëria ka marr masa ligjore me parashikimet në Ligjin Organik të Buxhetit, për disiplinimin e deficitit në vitet zgjedhore.

Në kontrast me periudhën parazgjedhore në 2013, ku rezultoi një akumulim i konsiderueshëm i detyrimeve të prapambetura (4.8% të PBB-së), Agjencia ka vlerësuar se asnjë rrëshqitje fiskale nuk ndodhi gjatë periudhës së zgjedhjeve të fundit.

 

Në korrik 2020, qeveria miratoi amendime të mëtejshme në Ligjin Organik të Buxhetit, duke përfshirë një rregull fiskal për një balancë primare të paktën zero duke filluar nga viti 2023 e në vijim. Agjencia ka vlerësuar konsolidimin fiskal dhe rikthimin në indikatorë makroekonomikë fiskalë pozitivë në vitin e ardhshëm.

Në vlerësimin e saj të fundit, Agjencia parashikon se ekonomia do të fillojë të ri-mëkëmbet, që prej vitit të ardhshëm (2021), ku parashikon një rritje pozitive prej 5%. Angazhimin drejt rrugës së Bashkimit Evropian dhe diversifikimi i ekonomisë dhe burimeve energjetike po vazhdon përmes prioriteteve politike dhe projekteve novatore në sektor, duke reduktuar varësinë nga burimet ujore.