Postuar më: 16/02/2023

Shqipëri-Finlandë, marrëveshje për eliminimin e taksimit të dyfishtë në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor

 

Shqipëria dhe Finlanda do të eliminojnë taksimin e dyfishtë në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Finlandës, për eliminimin e taksimit të dyfishtë në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor”.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se përmes këtij projektligji sigurohet kuadri i plotë funksional që midis dy vendeve të mos krijohen premisat për rëndim me tatim të dyfishtë, ashtu edhe për parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor.

“Ne besojmë se shmangia e taksimit të dyfishtë është një katalizator i rëndësishëm që stimulon rritjen e Investimeve të Huaja Direkte dhe Shqipëria ka bërë një progres të ndjeshëm në përmirësimin e kuadrit ligjor për të bërë të mundur një klimë sa më të favorshme dhe reduktimin e barrierave që mund të kufizojnë tregtinë”, tha Ibrahimaj në fjalën e saj.

Ministrja theksoi gjithashtu se ky projektligj vjen në linjë me objektivat e qeverisë shqiptare për të forcuar pozitat e administratës tatimore, me qëllim që të kryejë funksionin e saj në kuadër të shmangies së evazionit dhe luftës kundër informalitetit.

“Ne ia kemi lënë ndërkombëtarëve, agjencive të vlerësimit ndërkombëtar për të vlerësuar mirëmenaxhimin e financave publike dhe punën që qeveria shqiptare është duke bërë. Dua t’ju kujtoj se institucionet ndërkombëtare si FMN, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimi Europian, agjenci vlerësimi si Moody’s dhe Standard and Poor’s vijojnë të vlerësojnë performancën e MFE si të mirëmenaxhuar, pas të gjithë krizave ekonomike që kjo qeveri ka përballuar”, u shpreh Ibrahimaj.

Kërkesa për ratifikimin e marrëveshjes me Finlandën bazohet në modelin e OECD-së dhe UN-së, por edhe në zbatim të rekomandimeve të Progres Raportit të BE-së.

Shqipëria deri tani ka ratifikuar 44 marrëveshje dhe Finlanda bëhet kështu sot  shteti i 45-të, ndërkohë kanë përfunduar negociatat me Sllovakinë dhe mbështetur në rekomandimet e Bashkimit Europian do të duhet të fillojmë negociatat me Portugalinë, Danimarkën dhe Qipron.