Shqipëria dhe Italia kanë arritur dakordësimin e marrëveshjes teknike për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe të shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri.
Delegacionet e dy qeverive zhvilluan bisedimet përgjatë dy ditëve në Tiranë mbi projekt Marrëveshjen Kuadër për Sigurime Shoqërore dhe ranë dakord që t’ia paraqesin për miratim qeverive respektive.
Arritja e marrëveshjes teknike mes Shqipërisë dhe Italisë u komunikua në një konferencë të posaçme për shtyp nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.
Ministrja Ibrahimaj e konsideroi arritjen e marrëveshjes si një ditë fitoreje për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali, pasi përmes saj do të mundësohet njohja e kontributeve të tyre për efekt të pensioneve të pleqërisë, përfitimet për sëmundjet dhe barrë lindjet, si dhe sigurimet për papunësinë.
“Për këta shqiptarë është një ditë fitoreje, pasi përmbushet e gjithë periudha e punës së tyre, përmbushet njohja e kontributit të tyre. Qeveria shqiptare ka pasur prioritet arritjen e kësaj marrëveshjeje në të gjitha nivelet e komunikimit diplomatik dhe politik, ashtu si edhe qeveria italiane. Kjo marrëveshje tregon për marrëdhëniet e shkëlqyera historike që dy vendet kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë, në linjë edhe me prioritetin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian”, u shpreh Ministrja.
Arritja e marrëveshjes u përshëndet edhe nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, i cili e konsideroi atë si një tjetër urë lidhjeje dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ambasadori theksoi se kontributi i shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali është i jashtëzakonshëm, ashtu si dhe i shtetasve italianë që jetojnë në vendin tonë, dhe falë marrëveshjes ky kontribut do të njihet.
Bisedimet mes Shqipërisë dhe Italisë për marrëveshjen e arritur kanë nisur vite më parë dhe janë intensifikuar që nga viti 2014. Përfitues nga kjo marrëveshje parashikohet të jenë afërsisht 500.000 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Itali. Ajo pritet të miratohet në muajt në vijim nga qeveritë dhe më pas nga parlamentet e të dy vendeve.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
I nderuar ambasador, Z. Fabrizo Bucci,
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu, për një komunikim mediatik shumë të rëndësishëm, i cili është i shumë pritur për vite me radhë, siç është ai i njohjes së pensioneve të shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe të italianëve që jetojnë në Shqipëri.
Qeveria shqiptare i ka nisur përpjekjet për këtë marrëveshje shumë vite më parë dhe nga viti 2014 ato janë intensifikuar për të arritur në ditën e sotme. Marrëveshja teknike është dakordësuar mes dy delegacioneve të qeverisë shqiptare, përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, dhe përfaqësuesve të ministrisë përkatëse të Italisë dhe të Institutit të tyre të Sigurimeve Shoqërore, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, pasi në ditët e fundit kanë bërë një punë të jashtëzakonshme duke rakorduar çdo element të marrëveshjes teknike, e cila me tej do të shkojë për miratim nga dy qeveritë dhe nga dy parlamentet respektive.
Marrëveshja që është dakordësuar bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, mbulon sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe barrë lindjet, si dhe mbulon sigurimin për papunësinë.
Pra është një marrëveshje e gjerë dhe e plotë, nëpërmjet së cilës çdo shqiptar që ka punuar prej vitesh në Itali, apo ka punuar një pjesë të viteve në Itali dhe në Shqipëri, do t’i njihen vitet e pensionit, në ditën që ai do të dalë në pension, sipas ligjeve respektive të dy vendeve.
Hartimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit shqiptar që jeton në Itali dhe sigurisht që finalizimi teknik i saj është shprehje e qartë e vullnetit politik të dy qeverive, shqiptare dhe italiane.
Sot mund të themi që për këto shqiptarë është një ditë fitoreje, pasi përmbushet e gjithë periudha e punës së tyre, përmbushet njohja e kontributit të tyre.
Qeveria shqiptare ka pasur prioritet arritjen e kësaj marrëveshjeje në të gjitha nivelet e komunikimit diplomatik dhe politik, ashtu si edhe qeveria italiane.
Kjo marrëveshje tregon për marrëdhëniet e shkëlqyera historike që dy vendet kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë, në linjë edhe me prioritetin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.
Më lejoni të shprehem kështu sepse Italia është vendi që në kohërat më të vështira i është gjendur më pranë Shqipërisë dhe ka mirëpritur mbi gjysmë miliardi shqiptarë, e ndërkohë është edhe një nga partnerët tanë strategjikë dhe më të rëndësishëm ekonomikë.
Dua të shpreh mirënjohjen për rolin e jashtëzakonshëm që komuniteti shqiptar ka pasur në hartimin e kësaj marrëveshjeje, në lobimin pranë dy qeverive, me qëllim finalizimin e procedurave për nënshkrimin më tutje të kësaj marrëveshjeje.
Një meritë e veçantë i takon edhe ministrive përkatëse, ku Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e kanë ndjekur këtë çështje me shumë vëmendje vit pas viti.
Një falënderim dhe mirënjohje e thellë shkon për Qeverinë Italiane, duke filluar padyshim me Kryeministrin Draghi, i cili e bëri të mundur këtë marrëveshje, e cila vite më parë dukej gati e pamundur.
Po ashtu, një falënderim i posaçëm shkon për senatorin Nannicini, i cili e shndërroi në një mision personal arritjen e kësaj marrëveshjeje, si dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit shqiptar pranë qeverisë italiane.
Sigurisht kontribut të veçantë për këtë marrëveshje kanë dy ministrat, pa të cilin nuk do të ishim sot këtu, Di Maio dhe Orlando, të cilët i falënderoj jo vetëm për rolin që luajtën në avancimin e marrëveshjes, por edhe për vëmendjen që kanë treguar në aksesin që i kanë dhënë komunitetit shqiptar në Itali.
Ndërkohë që, asnjë falënderim nuk do të ishte i plotë, pa theksuar rolin e jashtëzakonshëm e të pazëvendësueshëm që ka luajtur Kryeministri Rama, në ndjekjen e të gjithë hapave të negocimit të kësaj marrëveshjeje, duke u angazhuar personalisht dhe duke bërë të mundur realizimin e nënshkrimit të marrëveshjes teknike sot.
Siç thashë, sot është një ditë fitoreje për të gjithë komunitetin shqiptar që jeton në Itali, por edhe për komunitetin italian që jeton në Shqipëri, i cili ndër vite është rritur në numër.
Sot është një ditë fitoreje, pasi sot ne kemi të drejta të barabarta nëse punojmë në Shqipëri apo në Itali.
Ia kaloj fjalën ambasadorit Buçi për përshëndetjen mbi arritjen e kësaj marrëveshjeje kaq të rëndësishme.
Fjala e Ambasadorit Bucci:
Faleminderit Ministre Ibrahimaj,
Kjo është një ditë shumë e rëndësishme dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu për finalizimin e negociatave.
Në radhë të parë dua të falënderoj ekipin negociues të qeverisë shqiptare, zv.ministren Olta Manjani dhe skuadrën e saj, që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, ashtu si edhe ekipin negociues të qeverisë italiane, të kryesuar nga senatori Nannicini, i cili e ka ndjekur me shumë zemër çështjen e pagesave të kontributeve për pension për të gjithë shqiptarët që kanë paguar kontributet ndër vite.
Ky është hapi i fundit i një rrugëtimi të gjatë që është bërë për shumë vite dhe më në fund, tani që kemi mbyllur negociatat, mund të firmosim marrëveshjen, e cila do të bëjë të mundur që shtetasit shqiptarë që janë kthyer në Shqipëri dhe që kanë derdhur kontributet e tyre, që të mund t’i marrin këto kontribute. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes, sepse numri i shtetasve italianë që transferohen në Itali fillon të rritet.
Kjo është një marrëveshje e bazuar mbi reciprocitetin, kështu që edhe shtetasit italianë që punojnë dhe derdhin kontribute këtu në Shqipëri, falë kësaj marrëveshjeje mund të përfitojnë, pra nga sigurimet shoqërore në shtetin shqiptar.
Është një moment shumë i rëndësishëm sepse është një urë tjetër lidhjeje që po ndërtojmë mes dy vendeve tona, dy vende që janë të ndërlidhura gjerësisht. Kemi komunitet shumë të madh shqiptarësh të integruar që punojnë në Itali, më shumë se 700 mijë në bazë të të dhënave të fundit dhe gati 50 mijë ndërmarrje me NIPT italian janë me drejtues shtetas shqiptar, dhe është një numër shumë i madh. Kontributi i shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe nga komuniteti italian gjithashtu, është i jashtëzakonshëm. Ata paguajnë kontributet e tyre dhe falë kësaj marrëveshjeje do të arrijmë të plotësojmë këtë mangësi apo boshllëk në sistemin tonë.
Falënderoj senatorin Nannicini që mori shumë për zemër këtë problem dhe shohim drejt së ardhmes me besim sepse pas 30 vjetësh, atëherë kur erdhën dhe shqiptarët e parë në Itali, trafiku ishte më i madh nga Shqipëria në Itali, ndërsa tani po rritet numri i shtetasve italianë nga Italia në Shqipëri, që jo vetëm vijnë dhe vizitojnë vendin tuaj të bukur si turistë, por edhe vendosin të qëndrojnë këtu.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, kemi qindra ndërmarrje italiane që ushtrojnë veprimtarinë e tyre këtu, më shumë italianë që jetojnë dhe punojnë këtu, derdhin kontributet e sigurimeve shoqërore në sistemin e mbrojtjes shoqërore shqiptare. Pra numrat janë në rritje dhe kishte vërtet nevojë për një mjet të ri ligjor që të rregullonte dhe të disiplinonte gjithë këtë situatë ekonomike financiare.
Faleminderit zonja Ministre, qeverisë shqiptare dhe skuadrave që bënë një punë të shkëlqyer këto ditë dhe shohim me besim afatet e ardhshme. Kemi shtuar një copëz tjetër në këtë mozaik të madh, një punë të jashtëzakonshme bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë.
Faleminderit.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.