Postuar më: 18/02/2022

Shqipëria dhe Zvicra nënshkruajnë marrëveshjen për sigurimet shoqërore

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri zviceran për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Alain Berset, nënshkruan sot një marrëveshje për sigurime shoqërore, e cila lehtëson trajtimin e barabartë dhe qasjen ndaj përfitimeve sociale për qytetarët e të dy vendeve.

Marrëveshja e re dypalëshe formalizon marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Ajo mbulon sigurimet për moshën e tretë, si dhe për mbijetuesit dhe invalidët, dhe përputhet me standardet ndërkombëtare për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes konfirmon vullnetin dhe angazhimin e dy qeverive për thellimin e bashkëpunimit dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Zbatimi i marrëveshjes do të ketë efekt financiar për shtetasit shqiptar në momentin  kur ata të kenë mbushur moshën për pension, kur lind dhe e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore. Janë afërsisht 2,000 shtetas shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me shtetësi të dyfishtë. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet”, tha Ministrja.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përmirëson mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë që kthehen në vendin e tyre. Ajo kontribuon për forcimin e marrëdhënieve shumë të mira dypalëshe midis Shqipërisë dhe Zvicrës”, tha Ministri zviceran për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, Alain Berset.

Marrëveshja siguron që shtetasit zviceranë dhe shqiptarë të marrin trajtim të barabartë përsa i përket të drejtave për sigurime shoqërore, lehtëson qasjen ndaj këtyre përfitimeve dhe lejon që pensionet të paguhen edhe jashtë vendit. Ajo gjithashtu vendos themelet për një bashkëpunim dypalësh për të luftuar mashtrimet dhe abuzimet me sigurimet shoqërore. Së fundmi, marrëveshja lehtëson lëvizshmërinë e shtetasve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata ndaj kontributeve të dyfishta të sigurimeve shoqërore. Marrëveshja do të hyjë në fuqi sapo të miratohet nga parlamentet e të dy vendeve.

Ministri Berset and Ministrja Delina Ibrahimaj diskutuan mbi masat e veçanta të mbështetjes që qeveritë e tyre kanë marrë për të trajtuar pandeminë e Covid-19, si dhe mësimet e nxjerra nga kriza. Ata folën gjithashtu mbi sfidat më të cilat përballen sistemet e pensioneve dhe përpjekjet për t’i rinovuar ato.

Fjala Ministres Ibrahimaj:

I nderuar Ministër Berset,

I nderuar z.Cueni, Zv. Drejtor i Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore,

I nderuar Ambasador Maitre,

Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri.

Ne sapo nënshkruam një marrëveshje shumë të rëndësishme me qeverinë Zviceriane në fushën e mbrojtjes shoqërore, e cila konfirmon edhe një herë vullnetin e të dy qeverive për bashkëpunim të mëtejshëm mes tyre.

Ndër vite shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Zvicër kanë pasur problematikë njohjen e kontributeve shoqërore.

Janë rreth 2,000 shtetas shqiptarë, të cilët në bazë të kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë njohjen e kontributeve. Më parë, një periudhë punësimi, një periudhë pagesë e sigurimeve shoqërore, e cila ishte e kryer në Shqipëri, nuk do të njihej nëse personat do të udhëtonin në Zvicër dhe do të fillonin një punë atje.

Me firmosjen e kësaj marrëveshjeje do të nisin procedurat e ratifikimeve nga Parlamentet e dy vendeve tona dhe të dy palët do të angazhohen që për një periudhë sa më të shkurtër ta miratojmë atë, të marrim dekretimet nga Presidentët, dhe vetëm në atë moment kjo marrëveshje do të jetë aktive dhe të gjithë personat do të përfitojnë nga ajo.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore në Zvicër kanë pasur një proces shumë të mirë negocimi dhe gjej rastin t’i falënderoj sot për punën e shkëlqyer që kanë bërë, e cila sot është finalizuar. Gjatë kësaj kohe ka qenë ndërmjet dhe situata e pandemisë COVID 19, e cila ka ngadalësuar disi procesin, por sot ai është finalizuar me sukses.

Dua të falënderoj qeverinë Zviceriane për vullnetin e saj të mirë në konfirmimin e mbështetjes ndaj Shqipërisë.

Ndër vite konfederata Zviceriane  ka ofruar rreth 410 milionë dollarë  mbështetje financiare për Shqipërinë, për zhvillimin ekonomik, për mirëqenien sociale, për sektorë prioritarë dhe dua të theksoj gjithashtu dhe ndihmën që u dha në kuadër tërmetit të vitit 2019.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, gjatë viteve të fundit, është mbështetur nga qeveria Zviceriane në fushën e punësimit dhe të zhvillimit të arsimit profesional, dhe aktualisht kemi tre projekte të cilat financohen nga ajo.

Për tu vlerësuar gjithashtu, në këtë bashkëpunim, janë dhe politikat e zhvillimit ekonomik, të cilat kanë pasur një mbështetje të vazhdueshme nga qeveria Zviceriane. Kemi pasur mbështetje në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe në fushën e pronësisë intelektuale.

Nga ana tjetër, bizneset Zviceriane janë prezente në vendin tonë në fusha të ndryshme, gati në të gjitha fushat e aktivitetit ekonomik dhe kjo është e qartë në shifrat e Investimeve të Huaja Direkte, të cilat kanë ardhur në rritje nga viti në vit.

Gjatë takimit me ministrin Berset diskutuam gjatë mbi masat e veçanta të mbështetjes që qeveritë tona ndërmorën ndaj biznesit dhe individëve, por edhe masat që u ndërmorën në kuadër të situatës së pandemisë COVID-19. Dy qeveri të ndryshme, dy sisteme kaq të ndryshme gjatë kësaj periudhe kanë pasur të njëjtat sfida dhe me gjithë organizimet e ndryshme të institucioneve kanë arritur në të njëjtat rezultate. Pra, në të gjitha rastet, situata e pandemisë, e cila ishte e paprecedentë dhe e paparashikuar u përballua me sukses nga të gjitha qeveritë dhe shpresojmë që tashmë të ketë mbaruar. Ne diskutuam gjatë për mësimet e nxjerra nga kjo sfidë e madhe, por diskutuam dhe për sfidat në kuadër të reformës së pensioneve dhe se si mund të jetë zhvillimi për të ardhmen.

Në përfundim të fjalës sime, dëshiroj t’ju falënderoj edhe njëherë për gjithë mbështetjen që qeveria Zviceriane i ka dhënë qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve, si dhe shpreh angazhimin e plotë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të thelluar më tej bashkëpunimin, për të shtuar investimet dhe  prezencën e bizneseve në të dy vendet tona.

Faleminderit!