Zv.Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Erjon Luçi, mori pjesë sot në konferencën përmbyllëse të projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore.
Zv.Ministri vlerësoi kontributin e dhënë ndër vite nga USAID për decentralizimin dhe reformimin e financave vendore në Shqipëri, nëpërmjet projekteve të ndryshme.
Një ndër këto projekte është ai i Planifikimit dhe Qeverisjes Vendore, i cili ka mbështetur Reformën Administrativo-Territoriale, në përmirësimet ligjore dhe në reformimin e financave publike vendore. Ky projekt ka kontribuar në Strategjinë Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore; Ligjin e ri Organik për Vetëqeverisjen Vendore; si dhe për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Konsultativ midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore.
Luçi vuri në dukje se ligji i ri organik për vetëqeverisjen vendore, i miratuar në prill të vitit 2017, ka dhënë efekte pozitive në financat vendore duke bërë të mundur që:
“Në sajë të këtyre reformave, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2019 janë afërsisht dy herë më të mëdha se sa në vitin 2013, transferta e pakushtëzuar në 2019 është rreth 60% më e lartë, ose rreth 60 milionë dollarë më shumë se sa në vitin 2013. Në tërësi, shpenzimet buxhetore në nivel vendor në vitin 2019 janë gati dy herë më të larta se sa në vitin 2013”, u shpreh z. Luçi.
Zv.Ministri pohoi se qeveria dhe MFE janë të vetëdijshme se ka ende shumë sfida në drejtim të reformimit të financave vendore dhe theksoi se, në bashkëpunim me donatorët dhe qeverisjen vendore, do të vijojë puna për zgjerimin dhe konsolidimin e autonomisë fiskale dhe financiare.
“Në bashkëpunim me qeverisjen vendore, do të punohet për implementimin e projektit të kadastrës fiskale, ç’ka do të ishte një investim në funksion të rritjes së të ardhurave për buxhetet vendore. Duke filluar nga ky vit, do të gjejmë mekanizmin e shpërndarjes së tatimit për të ardhurat personale, do të vazhdohet rritja e transfertës së pakushtëzuar, do mundësojmë ofrimin e trajnimeve, mbështetje por dhe mbikëqyerje për garantimin e proceseve të hartimit, zbatimit dhe monitorimit të buxheteve të njësive të vetëqeversisjes vendore”, tha z. Luçi.
Në fund të fjalës së tij, Zv.Ministri siguroi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do vijojë punën dhe përpjekjet për reformimin e financave publike qendrore dhe vendore, me qëllim që paratë e taksapaguesve të përdoren për të përmirësuar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.