Kam kënaqësinë t’ju uroj fillimin e trajnimit profesional mbi dy mujor punonjësve te administratave tatimore dhe doganore.
Gjithçka vjen në zbatim të Programit të Qeverisë për rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve administrative dhe ligjore të punonjësve të sferës së Ministrisë së Financave, për t’u përshtatur me kërkesat e kohës, me synimet e Qeverisë si dhe me dëshirat e synimet tuaja si pjesëtarë të armatës së administratës publike.
Akademia, në bashkëpunim me Tatimet dhe Doganat, fillon sot ciklin e trajnimeve formuese të inspektorëve tatimorë e doganorë etj. dhe drejtuesve respektivë me qëllim:
•edukimin e tyre etik e profesional,
•aftësimin e tyre për të thithur e reflektuar reformat institucionale, për t`ju përgjigjur proceseve të integrimit, për të arritur objektivin e maksimizimit të mbledhjes së të ardhurave, por edhe për t’i shërbyer me profesionalizëm dhe integritet tatimpaguesve, në respekt të të drejtave dhe detyrimeve të tyre.
Akademia, në bashkëpunim me institucionet e Ministrisë, do të ofrojë në vazhdimësi një infrastrukturë dhe procedura standarde trajnimi për të siguruar trajnime të niveleve të larta të personelit në fushën e financës publike nëpërmjet:
• Trajnimeve bazë për nëpunësit civilë të punësuar rishtazi në Tatime dhe Dogana, Lojërat e Fatit etj., me qëllimin që të arrijnë integrimin e tyre të shpejtë në vendin e punës.
• Trajnime të vazhdueshme për punonjësit në nivel drejtues për të rritur aftësitë menaxheriale dhe udhëhequr ekipet në varësi, për realizimin e detyrave me një qasje të re ndaj shoqërisë dhe biznesit.
•Trajnime të vazhdueshme edhe për përfaqësuesit e bizneseve dhe organeve tatimore të pushtetit lokal.
•Trajnime të përhershme për të gjithë punonjësit (për shkak të ndryshimeve në legjislacionin e fushës përkatëse, organizative, modelet ekonomike, etj).
Të nderuar pjesëmarrës,
Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Evropiane është pozicionuar qartë dhe prerë për një administratë fiskale ndryshe nga ajo e ngritjes së trarit për xhepin e vet dhe të inspektorit për kuletën e vet. Është pozicionuar fort në programin e vet për një qasje të re inovative ndaj biznesit, për etikën, profesionalizmin dhe përvetësimin e praktikave më të mira botërore. Këto objektiva nuk arrihen me njerëz mediokër dhe të paaftë, me njerëz të pamësuar dhe të korruptuar. Prioriteti ynë është të ndryshojmë perceptimin për punonjësin e administratës fiskale dhe t’i japim siguri biznesit për punë sa më cilësore në të ardhmen. Prandaj, pajisja e administratës tatimore dhe doganore etj. me staf të ditur, të trajnuar, të karakterizuar nga kodi etik e profesionistë, është siguri për kryerjen e detyrave me efektivitet dhe eficiencë, në dobi të programit qeverisës dhe tatimpaguesit.
Një nga elementet kryesore të reformës në Shqipëri është ndërtimi i një sistemi fiskal modern e eficient në linjë me BE dhe vendet e tjera të OECD. Ngritja e administratës eficiente në linjë me standardet e BE kërkon modernizim të mëtejshëm dhe forcimin e kapaciteteve institucionale si në administratën tatimore, ashtu edhe në atë doganore, të lojërave të fatit etj.
Hapja e këtij cikli të formimit profesional i shërben këtyre qëllimeve.
Kam kënaqësinë, që në emër të Ministrisë së Financave, t’ju uroj mirëseardhje juve, pjesëmarrësve të tjerë në vijimësi, si dhe trajnerëve, duke uruar një fillim e vazhdim të mbarë.
Faleminderit.
Shënim:
Cikli i trajnimeve do të zgjasë rreth dy muaj, ku parashikohet të marrin pjesë mbi 400 punonjës të administratës tatimore dhe doganore, të punësuar rishtazi. Në trajnime do të përfshihen edhe drejtuesit e lartë, ku pritet të ketë provime për të gjithë pjesëmarrësit.
Në seancën e parë, zhvilluar sot, datë 29 mars, morën pjesë rreth 200 punonjës dhe leksionet u përqendruan te kodi dhe komunikimi etik, bazuar mbi standardet e BE-së, me lektorë nga agjencia “Crawn Agents”.
Tjetër risi është fakti se do të zhvillohen leksione bashkërisht me punonjësit e administratave dhe përfaqësuesit e biznesit, me qëllim shmangien e interpretimeve të ligjeve fiskale sipas “standardit të gjithsecilit”!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.